Nga arkivi

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi do të mbahen me 30 gusht të këtij viti. Në këtë prizëm duket se edhe partitë shqiptare përkatësisht prijesit e tyre kanë filluar të jenë aktiv.

Para katër vjetësh, në një distancë të ngjashme prej zgjedhjeve parlamentare, formuam koalicionin “Shqiptarët e Vendosur”. Ky bashkëpunim ynë katërvjeçar politik që kapërceu interesat partiak për hir të interesit kombëtar e ka justifikuar plotësisht veten sepse ka luajtur një rol vendimtar në interes të popullit tonë por edhe të orientimit perëndimor të shtetit të Malit të Zi, shkruan Kryetari i Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu në një shkrim të tij.

Cungu më tej tregon për sukseset e këtij koalicioni ne mandatin e kaluar.

Në rrafshin kombëtar koalicioni ynë ka qenë shumë i suksesshëm sepse ia ka dalë që të përmbushë disa prej kërkesave të kamotshme të shqiptarëve të Malit të Zi sikurse qe krijimi i komunës së Tuzit dhe miratimi i ligjit për simbolet kombëtare. Po ashtu falë këtij bashkimi ne kemi nisur zbatimin e projekteve infrastrukturore të interesit tonë kombëtar sikurse janë rrugëlidhjet e vendkalimet e reja kufitare me Shqipërinë e Kosovën. Aleanca jonë pati rol vendimtar edhe në rrafshin shtetëror në procesin delikat të anëtarësimit në NATO të Malit të Zi, gjë që përbën një interes vital gjeopolitik mbarëkombëtar për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Po ashtu ne kemi mbështetur me sukses reformat që do përshpejtojnë integrimin në Bashkim Evropian. Këto janë vetëm disa nga pikat kyçe të arritjeve të koalicionit “Shqiptarët e Vendosur”. Pas këtij bilanci kuptimplotë të punës sonë të deritanishme unë kam gjykuar që ne duhet të vazhdojmë edhe më tutje punën e mirë që kemi bërë në legjislaturën e ardhshme. Kemi ende shumë sfida e nevoja që na presin të cilat mund ti përballojmë vetëm të bashkuar, vazhdon Cungu.

Në fund ai ka edhe një ftesë për kryetari e  Unionit Demokratik të Shqiptarëve.

Prandaj i kam dërguar letër z Mehmet Zenka, kryetarit të Unionit Demokratik të Shqiptarëve për ta ftuar që të diskutojmë bashkëpunimim e mëtutjeshëm. E përsëris ftesën edhe këtu sot publikisht për ta vijuar më tutje një bashkëpunim të frytshëm që ka funksionuar mirë, duke ftuar gjithashtu edhe faktorë të tjerë politikë shqiptarë që të na bashkohen, në të mirë të interesit të përgjithshëm të popullit tonë, përfundon Cungu.

By admini