Nga Frank Shkreli
Autori dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe të Evropës jug-lindore, Profesori i shkencave politike dhe i historisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, pati mirësinë të më dërgonte kohët e fundit dy librat e tija të përkthyera në anglisht: “Kosovo Threatened by the Greater Serbia” (Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe) dhe “Coercive Diplomacy of Nato in Kosovo” (Diplomacia e Imponuar e Nato-s në Kosovë). Libri, “Diplomacia e NATO-s në Kosovë” e studiuesit dhe historianit Enver Bytyçi është botuar në anglisht në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese Cambridge Scholars Publishing, ku trajtohet, siç sugjeron edhe titulli, diplomacia e NATO-s në Kosovë, duke i ofruar lexuesit një pasqyrë të gjithëanshme të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës. Por, po përqendrohemi tek libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, botuar kohët e fundit, në përgjigje të hedhjes së tezës për korigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë.
Libri “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, është botuar anglisht dhe shqip nga Instituti i Studimeve të Evropës Jug-lindore dhe është promovuar nga fundi i Janarit që kaloi në Tiranë dhe në Prishtinë. Kjo monografi është një përmbledhje dokumentacioni mbi ngjarjet historike mbi Kosovën, ku në thelb, autori trajton çështjen e kufijve të Kosovës me Serbinë, duke argumentuar se ndryshimi, rishqyrtimi, korrigjimi i kufijve, rregullimi ose demarkacioni, ose sido që ta quajnë sot mbështetsit e kësaj teze ndryshimin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë – është një precedent tepër i rrezikshëm për paqën dhe stabilitetin afat-shkurtë dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Profesor Bytyçi me të drejtë e konsideron ndryshimin e mundëshëm të kufijve midis dy vendeve, si një akt që është në interesin e Serbisë dhe që si i tillë kontribon drejt realizimit të planit afatgjatë dhe ëndërrës shekullore të Beogradit, për krijimin e Serbisë së Madhe.
Autori ka zgjedhur kohën më të përshtatëshme për të botuar në anglisht monografinë “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndërkohë që qendrat kryesore botërore – Washingtoni dhe Brukseli – po përgatiten të rifillojnë bisedimet e planifikuara, ose siç e qujanë ato, “dialogun” midis Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje “gjithëpërfëshirse”, e cila sipas shumë eskpertëve do të përfshijë edhe ndryshimin, ose të pakën rishqyrtimin e kufijve midis dy vendeve. Megjithëse zëdhënës të ndryshëm, sidomos në Washington, pretendojnë se propozimi për ndryshim të kufijve nuk është në tavolinë, përfshir edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Ambasadorin Richard Grenell, ndërsa evropianët janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve midis dy vendeve. Megjithkëtë, në këtë ndërkohë, duke parë se diçka po vlon në ketë mes, Kongresisti amerikan dhe mik i kahmotshëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Dhomës së Deputetëve për Punët e Jashtme, ka shprehur, ditët e fundit, shqetësimet e tija mbi politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës.
Ndërkohë që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e kryesuar nga ish-deputeti amerikan Joe Dioguardi, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të largojë ambasadorin Richard Grenell nga detyra e tij si i Dërguari Special i tij për dialogun Kosovë -Serbi, “Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një ndërmjetësuesi të paanshëm”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA). Kjo organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, njëkohësisht, kritikon ashpër edhe klasën politike të Kosovës në krye me Presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se nga një ndryshim i kufijve, jo vetëm që do të humbiste Kosova, por do të fitonte Serbia dhe jo vetëm Serbia, por edhe aleatja e saj historike, Rusia: “Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat e tyre hegjemone për dominim në Evropën Juglindore dhe hyrjen në detin Adriatik”, thuhet në letrën e hapur të LQSHA-s. Me fjalë të tjera, punët shqiptare janë ndërlikuar shumë keq dhe për fat të keq, mund të keqësohen e dhe më shumë. Libri i historianit Enver Bytyçi “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe” e përkthyer në anglisht, është një kontribut i vlefshëm në debatin aktual të këtyre çështjeve madhore në këtë moment të historisë së shqiptarëve.
Do të sugjeroja që të gjithë protagonistët në këtë mes — kombëtarë dhe ndërkombëtarë — të lexojnë monografinë e Profesor Enver Bytyçit. Në debatin aktual, Enver Bytyci ofron, jo vetëm, fakte e dokumentacion të dobishëm për gjëndjen e krijuar por ofron edhe këshilla se si duhet të dilet nga ky qorrsokak i politikës shqiptare në Kosovë, por edhe politikës së ngatërruar ndërshiptare, midis Tiranës dhe Prishtinës. Ndajë shqetësimin tim me autorin e nderuar dhe jam dakort me të — ashtu siç kam shkruar edhe disa herë në të kaluarën — se mungesa e këshillimeve dhe bashkrendimeve të qëndrimeve në radhët e udhëheqësve shqiptarë, për një politikë aq me rëndësi, siç janë bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndryshimi i mundëshëm i kufijve — është një politikë e papërgjegjëshme nga ana e kësaj klase politike, për të mos thenë edhe skandaloze, ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve. Siç është i papërgjegjëshëm edhe i ashtuquajturi procesi “minishengen”, i udhëhequr nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një proces ky që kundërshtohet nga Kosova pasi nuk merr aspak parasyshë shqetësimet dhe as interesat e Kosovës, në këtë proces.
Ku është strategjia kombëtare e platformës mbarë-shqiptare për “minishengenin” ballkanik dhe ku janë këshillimet dhe bashkrendimet e politikave me institucionet përkatëse midis dy shteteve shqiptare? Mos pasja e një politike të bashkrenduar midis Shqipërisë dhe Kosovës, për parimet e mëdha të interesit kombëtar, jo vetëm që është skandaloze, por mund të konsideorhet edhe kriminale ndaj interesave kombëtare.
Pajtohem edhe me mendimet dhe kritikat e Profesorit Enver Bytyçit, autorit të monografisë, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndajë politikës së gabuar të Tiranës përsa u përket shumë çështjeve të pazgjidhura Kosovë-Serbi – e sidomos, procesit ndaj procesit “minishengen” të kohëve të fundit, si një politikë e gabuara që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendos përsëri Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re”, e cila i shërben kryekëput interesave të Serbisë së Madhe, ndërkohë që njëkohësisht, i hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës në Ballkanin Perëndimor. Dikush prej këtyre udhëheqësve shqiptarë që mbështesin këtë proces, duhet të shpjegojë se si një rol i përforcuar politik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë në Balkan dhe në Evropën Jug-lindore, është në favor të interesave kombëtare të shqiptarëve?!
Për ata që duan të dinë se pse kjo politikë është e gabuar, le të lexojnë librin e posa botuar në anglisht dhe shqip të Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”. Eksperti i politikës dhe i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare bën paralajmërimin e tij se Tirana zyrtare me politikën e saj, sidomos, me politikën minishengen për Ballkanin Perëndimor, po dëmton dhe mund të shkatërrojë pavarësinë shtetërore të Republikës së Kosovës. Ai e quan këtë politikë si terësisht anti-shqiptare sepse, shkruan autori, ky proces thekson dhe mbështetë një politikë që drejtohet nga Beogradi dhe jo nga Brukseli, drejtë integrimeve të plota euro-atlantike të shqiptarëve, një ide dhe dëshirë kjo e kahmotëshme e shumicës së shqiptarëve. Tridhjetë vjet pas shembjes së komunizmit dhe pak më shumë se 20-vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pas 12-vjetë pavarësi, Kombi shqiptar, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe, gjëndet përballë një krize të një rreziku të përmbrendshëm, një rreziku të shkaktuar nga vet shqiptarët.
Kjo krizë për të cilën kanë kontribuar vet me politikat e tyre të papërgjegjëshme nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, fatkeqësisht, i gjenë udhëheqësit politikë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, duke mos ditur se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide të re dhe pa asnjë strategji politike kombëtare, se si duhet shkuar përpara. Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa ofruar asnjë marrëveshje as vizion të përbashkët se si duhet vazhduar. Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht, aktualisht, pasi ka “hedhur gurin e tani fsheh dorën”. E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare. Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo vetëm kërcënimit, por edhe mundësisë së krijimit të një Serbie të Madhe, në kurriz të interesave të Kosovës dhe të shqitarëve në përgjithësi.
Fatkeqsisht, për fatet tona, kriza shëndetsore botërore e shkaktuar nga koronavirusi vdekjeprurës, i ka ndërlikuar edhe më shumë punët e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe interesimin e miqëve tradicionalë të shqiptarëve, të cilët ashtu si e gjithë bota përballen me hallet e veta, si përfundim i kësaj epidemie dhe është vëshitër që ti kushtojnë vëmendje një zone të largët të Balalkanit, me të cilën edhe mund të jetë lodhur edhe opinion public amerikan dhe perëndimor.
Prandaj, para se të fajësojmë amerikanët por edhe të tjerët për ngërçin e punëve tona, duhet që të drejtojmë gishtin e akuzës atje ku në të vërtetë duhet ta drejtojmë: ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare dhe politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme. Libri i Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, furnizon në gjuhën anglisht — jo vetëm lexuesin e thjeshtë por edhe protagonistët ndërkombëtarë që merren me punët e Ballkanit Perëndimor — me analiza të dobishme, dokumentacion, fakte dhe ide, nga të cilat, sipas Wolfgang Grossruck, ish-presidenti Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, gjithashtu “do të përfitojnë edhe politikëbërsit rajonalë që të mendojnë dhe të veprojnë në mbështetje të demokracisë, paqës dhe sigurisë në rajonin e Evropës Jug-lindore”.
Frank Shkreli