Ambasada e Republkes së Shqipërisë në Malin e Zi ka uruar qytetarët e Ulqinit për festën e qytetit të tyre.

Urimin e Ambasadës së Shqipërisë po e përcjellim në tërësi.

Të dashur qytetarë të Ulqinit!

Sot shënohet dita e qytetit tuaj të lashtë, të bukur dhe mikpritës, qytetit që ka hyrë në ndërgjegjen historike, si shpalosje heroike e mbijetesës së identitetit shqiptar.

Nuk ka trevë shqiptare që nuk e njeh Ulqinin, nuk ka libër e program shkollor që të mos flasë dhe të mos tregojë për të dhe për njerëzit e tij të virtytshëm.

Eshtë një festim specifik ky i sivjetshmi për Ulqinin, një festë, pothuaj si në kohë lufte. Sot, festimi i ulqinakëve është errësuar disi nga pandemia e koronavirusit Covid-19, por kjo nuk është sfida më e rrezikshme që kanë përballuar ulqinakët e legjendave të detit.

Jam i bindur, se falë masave të marra nga pushteti lokal dhe Qeveria malazeze, por sidomos falë disiplinës higjenike të qytetarëve ulqinakë edhe kjo fatkeqësi pandemike do të mbetet prapa krahëve me pasoja të përballueshme nga ana juaj.

Vlerat tradicionale, pasuria kulturore dhe komuniteti i mrekullueshëm ulqinak, janë garanci e zhvillimit dhe prosperitetit të Komunës!

Mbarësi përjetë për Ulqinin dhe qytetarët e tij të denjë!

Gëzuar Ditën e qytetit tuaj të mrekullueshëm!

Ridi Kurtezi

By admini