Nga Frank Shkreli
Sipas një njoftimi për median të premtën nga Bashkimi Evropian,(BE) Përfaqsuesi i lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell foli në telefon, veças me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar, sipas njoftimit, bisedimet që ai kishte zhvilluar me ta gjatë vizitës së tij të parë në Beograd dhe në Prishtinë në fund të Janarit.
Por duket se arsyeja kryesore e këtyre telefonatave që Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së zhvilloi me tre udhëheqësit e lartë-përmendur ishte vendimi për të emëruar një Përfaqsues të Posaçëm të BE-së për Dialogun në Ballkanin Përendimor, siç cilësohet në njoftimin për media, midis Serbisë dhe Kosovës.
Me rastin e vizitës së tij në Prishtinë dhe në Beograd në fund të Janarit që kaloi, pritej që Josep Borrell, në kapacitetin e tij si Shef i Politikës së Jashtme të BE-së, do të vazhdonte rolin e paraardhëses së tij, Federica Mogherini dhe si i tillë do të kryesonte dialogun Kosovë-Serbi, sipas modelit të Mogherinit. Në një artikull me rastin e vizitës së Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme Evropiane, Josep Borrel në Serbi dhe në Kosovë, pata shkruar se emërimi i diplomatit spanjollit Borrell në atë detyrë, ishte lajm i keq për Kosovën. Kisha sugjeruar me atë rast se ai mund të ishte njeriu më i papërshtatëshëm për atë detyrë dhe se për arsye të qendrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës, në të kaluarën, dhe për faktin se vjen nga një vend si Spanja që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës – do të ishte më mirë që të tërhiqej nga një rol i tillë, në bisedimet e ardhëshme Kosovë-Serbi, dhe të emërohej dikush tjetër më i përshtatshëm dhe më i paanshëm, për bisedimet e vështira Beograd-Prishtinë. http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-kush-eshte-josep-borrell-per-shqiptaret/
Cilatdo qofshin arsyet e tërheqjes së tij nga roli për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi, vendimi i Josep Borrell për t’u tërhequr dhe për të emëruar një përfaqësues të posaçëm për këtë detyrë delikate, është një vendim i mirëseardhur, kur të merren parasysh komentet e tija, në të kaluarën, kundër pavarësisë së Kosovës, megjithëse ai ishte në një rol tjetër, si përfaqsues i Spanjës. Por me at rast, argumentova se Josep Borrel, si përfaqsues i BE-së, nuk kishte as besueshmërinë minimale të nevojshme për të udhëhequr bisedimet Serbi-Kosovë, sidomos për nga pikëpamja dhe këndveshtrimet e Kosovës.
Sipas njoftimit të BE-së për media të premten, Josep Borrel ka nënvijuar se emërimi që pritet të bëhet shpejt për një përfaqësues të posaçëm te BE-së në bisedimet Serbi-Kosovë, pasqyron rëndësinë që Bashkimi Evropian dhe ai vet personalisht, i kushtojnë rajonit dhe stabilizimit të gjendjes dhe përparimit atje në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në njoftimin e BE-së thuhet gjithashtu se Josep Borrel do të vazhdojë të jetë personalisht i angazhuar në mbështetje të përspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe ndaj rolit të tij si lehtësues në dialogun Prishtinë-Beograd.
Megjithë këtë angazhim të tij personal, sipas raporteve në media, pritet që së shpejti, Shefi i Politikës së Jashtme Evropiane të emërojë një të dërguar të posaçëm të BE-së, që do të merret ekskluzivisht me dialogun Serbi-Kosovë. Megjithëse deri tani ai nuk ka përmendur ndonjë emër të mundëshëm për këtë rol — emërimi i një përfaqsuesi evropian për bisedimet Prishtinë-Beograd — është një lajm i mirë në vetvete, duke marrë parasysh se Josep Borrel, në mendimin tim, nuk do të ishte njeriu më i përshtatëshëm për këtë rol.
Por nëqoftse u besohet disa lajmeve që po qarkullojnë sot e që thonë se Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, po konsideron për këtë detyrë, Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajçek. Një propozim ky, ndoshta, jo aq i keq sa do të ishte vet Josep Borrel në rolin ndërmjetësues evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, por do të ishte, sipas meje, gjithnjë një emërim problematik për Kosovën, pak a shumë për të njëjtat arsye pse do të ishte problematik, edhe Josep Borrell, po të luante rolin e përfaqësuesit evropian në bisedimet Kosovë-Serbi. Sepse siç dihet, edhe Sllovakia është një prej 5 vendeve që ende nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe si i tillë, a mund të pritet që ai të jetë asnjanës? Ashtu si Spanja, edhe Sllovakia ka probleme me grupet etnike mbrenda kufijve të saj. Në Sllovaki jetojnë afër gjysëm milioni hungarezë, ose 8.5% e popullsisë së përgjithshme prej 5.5 milionë veta. Gjëndja e hungarezve nuk është aq e keqe në Sllovaki, por problemet etnike midis sllovakëve dhe hungarezve vazdojnë të jenë problematike. Situata këto se në një mënyrë ose në një tjetër, afektojnë pikëpamjet e zyrtarëve të lartë siç janë spanjolli Josep Borrel dhe Mirosllav Lajçak, madje edhe në rolin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Për fat të mirë, edhe nëqoftse bëhet një propozim i tillë, emërimi I Miroslav Lajçak, duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Shpresoj që vendet kryesore të BE-së të jenë sensitive ndaj faktorëve të tillë, të kenë një mirëkuptim të përbashkët dhe të emërojnë një diplomat të karierës, njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe çeshtjeve ndërlikuese midis Kosovës dhe Serbisë, në veçanti. Mbi të gjitha, përfaqsuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, duhet të jetë një ndërmjetës i paanshëm, me një besueshmëri të lartë dhe të pa cënueshme. Por, jo vetëm kaq, përfaqësuesi evropian për bisedimet Serbi-Kosovë, duhet të jetë gjithashtu një individ i cili do të mund të bashkpunojë ngusht edhe me përfaqsuesit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, të cilët janë emëruar tanimë, nëqoftse bisedimet Prishtinë-Beograd do të kenë edhe mundësinë më të vogël që të dalin me sukses.