
Komuna e Ulqinit shiti sot një parcelë tokë në Ranë me një sipërfaqe totale prej 448 metra katrorë për 900 mijë euro, që ishte çmimi fillestar i ankandit. Blerësi është shtetasi nga Kosova Lirim Mustafa, i cili ishte pjesëmarrësi i vetëm i thirrjes publike të 20 janarit.
Në këtë tokë që është në afërsi të Xhamisë së Detarëve, është parashikuar ndërtimi i një ndërtese biznesi-banimi P + 2. Parcela kadastrale ishte në pronësi të Qeverisë ndërsa Komuna kishte të drejtën e disponimit. Thirrjes publike i parapriu miratimi nga ana e qeverisë si dhe vendimi i parlament lokal në korrik të vitit të kaluar.