Reagim ndaj deklaratës së Kryetarit të Komunës së Ulqinit z. Loro Nrekiq në gazetën ditore “Vijesti” të datës 21 dhjetor 2019
Nga Sabri Halili, Krythë
Para 3 ditësh personalisht si qytetar i Krythës, i jam drejtuar Kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Loro Nrekiq me një kërkesë për të më informuar lidhur me punimet që janë duke u bërë në Paralije. Mendoj se si çdo qytetar tjetër edhe unë kam të drejtë legjitime të informohem se çfarë punohet te shtëpia ime. Po ashtu edhe nga tubimi i qytetarëve ka dalë një kërkesë e tillë, pra që Kryetari Nrekiq t’i informojë për punimet dhe se çfarë konkretisht planifikohet të ndërtohet aty?
Në vend që Kryetari Nrekiq të vijë t’i informojë dhe bindi qytetarët se ndikimi në mjedis i këtij projekti na qenka “Ndotj në nivelin e një pike të karburantit”, për fat të keq këtë e bënë përmes gazetës ditore “Vijesti” të datës 21 dhjetor 2019, e madje ka guximin që edhe të kërcënojë qytetarët kur thotë: “ali predsjednik Opštine Ljoro Nrekić tvrdi da ništa ne može zaustaviti realizaciju projekta” (“por Kryetari i Komunës Loro Nrekiq pohon se asgjë nuk mund ta ndalojë realizimin e projektit). Si qytetar i kësaj zone, kjo deklaratë e të parit të Komunës së Ulqinit, më ka befasuar jashtë mase, kuptohet për të keq, sepse mendoj që është shumë e ngutur dhe e pamatur. Çdo njeri në shekullin XXI me pak kërkim në internet mund të informohet sa është ndotja, përkatësisht ndikimi i një impianti të tillë në shëndetin e njeriut dhe mjedis. Mjafton të përmendi vetëm dy të dhënë që i kam lexuar në internet, e që nuk i ka thënë asnjë laik i fushës, por ekspertë të kësaj fushe e që ka të bëjë me ujin e burimeve, i cili pas lëshimit në punë të këtyre impianteve, është i papërdorshëm, pra nuk mund të përdoret për pije. Ekspertët po ashtu thonë që çmimi i patundshmërive në zona të tilla pëson rënie së paku për 50 %. Besoj që vetëm për këto dy fakte mjaftojnë që t’i thuhet jo një impianti të tillë në këtë zonë. Me instalimin e këtyre makinerive, dëmet do të ishin të pariparueshëm.
Në mes tjerash kryetari Nrekiq thotë: “Šta ima tu loše” (Ç’të keqe ka këtu?). z. Kryetar, nëse vërtetë jeni i bindur që këtu nuk ka asgjë të keqe, eja në një tubim (jo partiak siç thoni ju), por të qytetarëve të Krythës dhe bindi ata që vërtetë këtu nuk ka asgjë të keqe, se e keqa e vetme qenkan ata që jetojnë aty dhe “nuk merrkan” aspak vesh nga këto “punët e mëdha” dhe të “mirat” që ua keni sjellë te dera. Ata mendojnë se kjo çfarë është duke u bërë aty, është një strategji pakëz më e thellë se ndoshta mendoni edhe ju vetë. Nga këto treva tashmë janë shpërngulur më shumë se gjysma e popullsisë, e me këtë “fabrikën” që u ofroni do t’i jepet goditja përfundimtare spastrimit të kësaj zone nga banorët autoktonë.