Nga Xheladin Zeneli
Ky 28 Nëntor ndryshon nga 28 Nëntorët e tjerë.Ndryshon sepse mu në prag të Festës tonë Kombëtare një pjesë atdheut tonë u prek nga një tërmet i fuqishëm nga pasojat e së cilit humbën jetën me dhjetra dhe qindra të tjerë vëllezër e motrat tona u lënduan.
Derisa shqiptarët anë e mbanë botës kishin filluar përgatitjet për kremtimin e Festës së Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë,menjëherë pasi u përhap lajmi i hidhur për tërmetin katastrofal , çdo gjë ndryshoj dhe fokusi i të gjithëve u zhdvendos në solidarizimin me vëllezërit dhe motrat tona të cilët pësuan nga kjo fatkeqësi natyrore. Pamjet trishtuese dhe imazhet e prekshme të pasojave shkatërruese të tërmetit u shpërndanë me shpejtësinë e internetit dhe rrjeteve shoqërore , në mbarë botën. Shqiptarët si rrallë herë u mobilizuan duke demostruar përkrahjen në forma të ndryshme si ate të mbledhjes së fondeve financiare, ndihma materiale në ushqim e veshëmbathje, ndihma në formën e vullnetarëve të shërbimit profesional që merren me kërkimin dhe shpëtimin e të mbijetuarve, në formën e dhurimit të gjakut për të lënduarit, disa shqiptarë nga trojet e ndryshme të Shqipërisë Etnike ofruan shtëpitë apo banesat e tyre për strehim të bashkombasëve që mbeten pa kulm mbi kry si pasojë e tërmetit si dhe forma të tjera të ndihmës.Dhe këto ndihma arriten nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora.Me këtë rast, duhet theksuar reagimi i shpejtë dhe i organizuar i shtetit të Kosovës. Kur flitet për ndihmat financiare nga diaspora shqiptare, vlen të përmendet se vetëm për një kohë shumë të shkurtë disa organizata shqiptare që veprojnë në SHBA mblodhën disa miliona dollarë nga pjesëtarët bujarë të kësaj diaspore. Shuma e këtyre kontributeve do të vazhdojë të rritet gjithnjë pasi që aksionet fond-mledhëse për këtë qëllim nuk kanë përfunduar dhe janë në vazhdim e sipër.
Urojmë dhe shpresojmë që ndihmat e mbledhura të përfundojnë në duart e atyre që edhe iu dedikohen , pra familjeve të viktimave si dhe atyre që e pësuan dhe u dëmtuan më shumë nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Tërmeti goditi një pjesë të Shqipërisë, por dridhi dhe tundi gjithë Shqiptarinë dhe popullin shqiptar.Kjo fatkeqësi natyrore dëshmoi edhe një herë se ne shqiptarët jo vetëm që dijmë të solidarizohemi me njëri tjetrin, por bujaria dhe humanizmi si shprehje e këtij solidariteti është një vyrtyt i veçantë që posedojmë. E kaluara ynë ka shumë raste që ne si popull jemi ballafaquar me sfida dhe vështirësi të natyrave të ndryshme dhe historia n’a ka sjellur shpeshëherë para sprovave të mëdha, por falë bujarisë dhe humanizmit të ndërsjelltë i kemi tejkaluar dhe i kemi mbijetuar ato.
Solidariteti, bujaria dhe bamirësia në mes bashkëkombësve të një gjaku e gjuhe ,ka qenë dhe është një karakteristikë e veçantë ndër shqiptarët. Këto janë virtyte hyjnore që i njeh vetëm një popull me traditë e kulturë të lashtë dhe unike siç është populli ynë.Nuk është e rastit që nga gjiri i popullit tonë lindi humanistja më e madhe që njeh bota, pra Nënë Tereza.
Andaj, PËR KËTË 28 NËNTOR, TË GJITHË SHQIPTARËVE , URIME PËR SOLIDARITETIN VËLLAZËROR !
Urime Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!
Qoft e bekuar Shqipëria!
Qoft i bekuar Kombi Shqiptar!