Zonja dhe zotërinj mirëmbrëma,

Zonjusha Gjystina Bojaj. Mirë se vjen në Komunitetin tonë! Më gëzon fakti që një vajzë e mirë dhe elegante sic jeni Ju e drejtoni këtë përvjetor për më tepër kur Ju e ardhur tash vonë nga Malësia e këndoni aq bukur himnin tonë kombëtar.

Bashkatdhetarë të nderuar,

Gjatë këtij vitit mund të kujtojmë 4 përvjetorë jubilarë, fatkeqësisht 3 prej tyre tragjikë. Sivjet është 100-vjetori i masakrës së Hotit. Masakrës më të madhe që kjo trevë legjendare e Malësia kishte pësuar ndonjëherë në histori. Para 100-vjetësh në Hot forcat serbo-malazeze kishin pushkatuar 72 hotjanë. Në këtë masakër barabar ishin pushkatuar trima të moshave të ndryshme dhe të gjithë së bashku i kishin hedhur në një gropë të përbashkët dhe mbi trupat e tyre të pa jetë kishin hedhur 3 kuaj të vrarë.
Sivjet është edhe 75 – vjetori i masakrave të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhë u vranë dhe u masakruan dhjetëra malësorë të pafajshëm, bile në disa raste edhe 3 ose 4 prej një shtëpie. Sivjet është edhe 50-vjetori i shpërnguljes më të madhe të malësorëve për në Shtetet e Bashkuara. Ishin ato eksode trishtuese që e shkretuan Malësinë si asnjëherë gjatë historisë. Sivjet është 25-vjetori i themelimit të Fondit Humanitar “Malësia” të cilit pas bashkimit me Fondacionin “Dedë Gjo’Luli”, iu dha emri “Malësia e Madhe”. Kjo shoqatë ka bërë punë shumë të mira për Malësinë dhe më gjerë. Por malësorët e Amerikës mund të bëjnë më shumë për vendlindjen tyre. Sipas shumë burimeve statistikore sot në Shtetet e Bashkuara jetojnë 5.000 (pesë mijë) shtëpi. Kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe. Të ardhurat mesatare të çdo shtëpie malësore-amerikane janë 30.000 (tridhjetë mijë dollarë) në vit. Në qoftë se çdo shtëpi dhuron për Malësinë 1 për qind të fitimit vjetor do të bënte Zoti mrekulli. Fitimi tridhjetë mijë dollarë në vit për 5.000 shtëpi është 150 milionë dollarë në vit. Një për qind e 150 milionë dollarëve do të ishte 1 milion e gjysmë dollarë për Malësinë. Një për qind e fitimit do të ishte 300 dollarë në vit, që do të thotë 83 cent në ditë. Pra, në qoftë se 5000 shtëpi nga Malësia në Shtetet e Bashkuara kontribuojnë 83 cent në ditë për Malësinë sasia totale do të ishte 1 milion e gjysmë dollarë në vit për Malësinë tonë të dashur. Pothuajse kaq kushton një cigare duhani, që do të thotë një cigare duhan në dit Malësia lulëzon. Për malësorët e Amerikës shishja e ujit “Poland Spring” mund të përdorej si bankë kursimi i 83 centëve në ditë. Në atë shishe mund të shkruhet “Kontribut për Malësinë”. Këtu përfshihen të gjitha familjet malësore pa dallim të përkatësisë fetare, sepse jemi të gjithë malësor e shqiptar pa dallim.
Një milion e gjysmë dollarë në vit për Malësinë do të ishte ndihmë e mirë. Për shembull kontributi i vitit të parë prej një milion e gjysmë dollarë mund t’i dedikohej Hotit, ndërsa kontributi i dytë i të njëjtës sasi mund t’i dërgohej Dinoshës, Mileshit , Vulajve dhe Hakshabanajve, e kështu me radhë. Këto kontribute do ta ndryshonin pamjen e Malësisë. Do të përmirësohej infrastruktura e fushës dhe malit. Me këto financime do të lulëzonin trevat e Malësisë. Kjo do të ishte periudha e Rilindjes së Malësisë.

Zonja dhe zotërinj,
Ne malësorët po e teprojmë duke shpenzuar qindra mijëra dollarë për famën dhe lavdinë e gjyshave dhe gjysheve tona. Historinë dhe lavdinë e një malësori nuk mund ta shkruajë familja ngase ajo gjithmonë do të jetë e njëanshme. Në qoftë se gjyshërit tanë kanë vepruar për të mirën e Malësisë dhe popullit shqiptar, famën dhe lavdinë e tyre do ta shkruajnë historianët dhe biografët serioz të Malësisë dhe Shqipërisë e jo disa matrapazë tregtarë të mbrapshtë që lodrojnë sidomos pas dollarit të diasporës. Dekoratat dhe lëvdatat e trimave të Malësisë nuk i dhuron familja, ato i jep kombi dhe shoqëria. Ne mund të ngrisim lapidarë e shtatore sa të duam, por ata nuk janë heronj as heroina. Ata ishin mbase njerëz të mirë. Do të ishte më mirë me ndezë një qiri për shpirtin e tyre se me botua rrena e kaçarrena që e dëmtojnë për së vdekuri emrin e tyre. Sipas tyre Malësia paska pas shumë Degolla e Washingtona. Meritat për heroizëm e lavdi nuk e japin tregtarët. A to tituj i japin akademitë dhe zyrat e larta shtetërore e shoqërore. Sikur Malësia dhe Shqipëria të kishte pas aq shumë trima e trimëresha nuk do të ishim sot të copëtuar në 5 shtete ballkanike. Disa malësorë të Amerikës pasi u ngopën me bukë e mish duan të ndryshojnë historinë e Malësisë. Për shembull malësorët e Amerikës shpenzojnë qindra mijëra dollarë për ndërtimin e shtëpive shumë luksoze, ndërsa rrugët publike përpara shtëpisë së tyre janë kodra e gropa, baltë e pluhur njësoj si në fshatrat e Afganistanit.
Do të ishte më mirë që ato financime të shkonin për shëndetin dhe arsimin e rrënuar të Malësisë sesa për ato lapidare e paçavurre. Kur hyn në shtëpinë e malësorit në Amerikë buçet kënga në You-tube për çobanët e dhive të maleve të Malësisë. lëvizë dollari e pllet gomari. U mbush Malësia me heronj e heroina, bile nuk ka më tokë më për memorialet e tyre.
Zonja dhe zotërinj,
Tani Shoqatën “Malësia e Madhe” e drejton Nikollë Juncaj atdhetar i sprovuam. Siç e dini të gjithë Nikolle Juncaj kishte marrë pjesë në luftë për çlirimin e Kosovës. Është nder e madhe që Malësia jonë ka dhënë një trim si Nikollë Juncaj i cili duke qenë qytetar i lirë i Amerikës i kishte braktisur të gjitha duke shkuar në luftë për lirinë e Kosovës. Pra, është nder për Malësinë që në krye të kësaj shoqate është ky bir besnik i Malësisë dhe i shqiptarisë. Në qoftë se nuk na pëlqen Nikollë Junçaj atëherë na falni sepse nuk mund ta ngjallim Dedë Gjo’Lulin. Malësia nuk ka nevojë për këngë. Për Malësinë ka shkruar këngë të bukura Gjergj Fishta në “ Lahutën e Malësisë”. Malësia ka nevojë për ndihma ekonomike. Malësia dhe Tuzi nuk e kanë sot një automjet modern për urgjencat e shëndetësisë. Në Kosovë një fjalë e urtë thot:”Është me të dhanme e jo me të thanme”. Ndërsa Gjergj Fishata ka thënë “Për atdhe e troje të veta mos tu dhimbet gjaja as jeta”.
Tërë jetën qamë e vajtuam për një komunë shqiptare në Malësi dhe më në fund e fituam. Tash është koha me fut dorën në xhep në mbështetje të komunës sonë shqiptare të Malësisë dhe Tuzit.
Ju faleminderit për vëmendje!

P. S. Botohet me disa ndryshime të vogla.

By admini