
Shkruan : Esat Mehmeti
Në Ulqin, sot më shumë se kurrë ka lojëra të fatit, sesa lindje të foshnjave brënda një viti ! Fatkeqësisht edhe në qendër të Anës së Malit, në Katërkollë, sot janë të rralla ato kafene, që në qoshet e tyre të mos kenë të instaluar ndonjë aparat me lojëra të fatit !
Papunësia dhe paperspektiva e të rinjve në një anë dhe në anën tjetër apatia dhe nëpërkëmbja e tyre, janë faktorët që të rinjtë tanë, shtresën më vitale të shoqërisë sonë e kanë kushtëzuar që të orjentohen në horizonte të paqarta !.
Sidomos, në vitet e fundit, shumë të rinj janë kthyer në skllevër të lojërave të fatit. Lojëra të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen virusi më i rrezikshëm për shoqërinë tonë. Andaj dhe rreziku më i madh për t’u bërë i varuar nga këto lojëra sa vjen e rritet. Këtu më të rrezikuarit janë të rinjtë, kryesisht ata të papunësuarit. Shkaqet e përhapjes së këtij virusi janë tejet të mëdha. Këta, përveç humbjeve në kohë, po humbasin shuma të mëdha parashë, po shkatërrojnë të ardhmen e vet dhe familjen e tyre.
Varësia nga lojërat e fatit është sëmundje me pasoja fatale
Lojërat e fatit janë një e keqe e madhe që e kanë kapluar tërë botën. Mirëpo, viteve të fundit edhe në mjediset tona, lojërat e fatit si ; bastoret sportive, loja online-poker, kumari e lojëra të tjera, janë bërë një dukuri e rrezikshme dhe me pasoja tepër fatale për shoqërinë tonë. Ato i kanë bërë njerëzit të varur dhe po shkatërrojnë familje të tëra. Sot, shumë familje kanë përfunduar të shkatërruara, vetëm si pasojë e lojërave të fatit. Shumë fëmijë sot rriten nën kujdesin e vetëm të nënave, sepse babai i tyre i luan lojërat e bixhozit.
Për të shkruar këtë shkrim mora shkas nga një shoku im, i cili pavarësisht se në një moshë të pjekur, familjar dhe me arsim të lartë, kishte rënë pre e lojërave të fatit !
Kështu, ditë më parë, përderisa po e pinim nga një kafe me shokun tim, bisedonim edhe për shumë gjëra, por siç thotë një fajalë e urtë popullore ; “ Shkon gjuha ku dhem dhami “,andaj dhe dolme në temën, që për te ishte më e dhimbshmja. Ai filloi të me shpjegojë gjerë e gjatë, por pas çdo ndërprerje bisede, ai shfaqej me shenja lodhjeje, i stresuar dhe plot ankth ! Shpesh me thoshte se nuk e zë gjumi natën duke menduar rreth humbjeve të deritanishme dhe duke ëndërruar mundësinë për të fituar. Shoku im ishte i vrarë shpirtërisht dhe tepër i shqetësuar. Ai kishte përjetuar atë më të keqen, i kishte humbur të gjitha. Kishte shkatërruar familjen dhe humbur pasuarinë, edhe nga shëndeti nuk dukej mirë. Shoku im, i dëshpruar po përjetonte vrasjën shpirtërore. Ai derisa po rrefente për jetën e tij, shprehej në vajë. I ngrati… ! Fitohej bindja se të vetmin “ngushllim “e kishte gotën e rakisë dhe duhanin ! Duhanin e thithet me aq afsh, sa të shkonte mendja se po e hante dhe nga goja nxirrte shllunga tymi sikur një lokomotive treni. Gjatë gjithë bisedës mbante një qëndrim të ndrydhur me një shpirt të trazuar. Kështu, nga bisedat e përgjithshme që zhvilluam vërehej, se bilanci rreth humbjeve vjetore që shoku im kishte shpenzuar në lojërat e fatit, shifrat ishin tejet marramendëse ! Vaj halli !
Por, ky nuk është i vetëm ….? Të tillë ka shumë !
Me këtë “ zanatë ” merren kategori të ndryshme njerëzish.
Nga gjithë ajo kohë sa qëndruam aty në atë lokal,“pacientët“ pritnin radhën për t’u bërë pjesë e lojërave të fatit. Njerëzit luajnë duke shpenzau shuma të mëdha parash dhe harxhuar shumë kohë, pa qenë të vetëdijshëm se nuk fitojnë. Faktet dëshmojnë se në këto lojëra, fitojnë organizatorët e tyre, fiton makina elektronike.
Andaj, për t’u larguar nga ky virus i rrezikshëm, personi që luan duhet të bind vetveten se asnjëherë nuk ka për të fituar nga këto lojëra, sepse këto lojëra janë të programuara që fitues të jetë vetëm pronari i tyre. Ai duhet të harrojë ato që i ka humbur dhe të reflektojë për të ardhmen e tij dhe të familjes.
Lojërat e fatit janë rrugë e gabuar, nga se duke vazhduar të luash, do të humbasësh jo vetëm atë që ke fituar, por shpeshherë merr edhe borxhe dhe për pasojë, atëherë përballesh me problem nga më të ndryshmet. Janë shumë të rralla rastet kur dikush fiton në këto lojëra.Edhe ata pak njerëz që fitojnë, ato para janë pa vlerë dhe mendoj se shpenzohen shumë shpejt. Lojërat e fatit nuk sjellin problem vetëm të personi i cili luan, por me kalimin e kohës, problemet fillojnë të përhapen në familje duke sjellur konflikte, ndarje e deri tek ajo më fatalja, vrasje apo vetëvrasje. Shumica e personave që luajnë lojërat e fatit, bankrotojnë shpejt, përfundojnë në varfëri të skajshme, shndërrohen në përdorues të drogës, alkoolit…, dhe përfundimi i tyre është shumë i keq ! Të tilla janë lojërat e fatit, për të cilat shumica e atyre që luajnë e dine se nuk janë të mira, por megjithatë nuk munden t’u largohen, sepse thjesht janë të varuar prej tyre .
Mos të harrojmë se; edhe me librat e shenjta, lojërat e fatit janë të ndaluara. Kështu, në librin e shenjtë, në “Kur’an” në mes të tjerave thuhet: “… lojërat e fatit….janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.”( Maide,90 ).
Andaj, njerëzit e prekur nga ky virus, duhet të kenë kujdesin e duhur, të kenë obligim ndaj vetës, ndaj familjes dhe të tjerëve. Duhet ta bindeni vetën se nuk duhet të bëheni barrë e askujt. Ju duhet ta drejtoni vehten, e jo jeta ju !
Andaj, do të ishte mirë që lojërat e fatit, që janë me pasoja fatale për shoqërinë, të ndalohen me ligj, por shtetet nuk e bëjnë këtë, nga se përfitojnë edhe ata prej tyre.