Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegut, ka dalur sot në një konferencë shtypi lidhur me diskriminimin në fushën e punësimit dhe përfaqësimit proporcional të shqiptarëve, posaçërisht në komunat Plavë e Guci.
Deklaratën e plotë të z. Nimanbegu mund ta lexoni më poshtë.
Të nderuar përfaqësues të mediave, qytetarë të dashur!
E thirra këtë konferencë për t’ia prezantoj opinionit më në detaje problemin , me të cilin ballafaqohen bashkëvendësit tonë, e ka të bëjë me problemin e punësimit dhe përfaqësimit proporcional në komunat Plavë dhe Guci.
Komuna e Plavës dhe komuna e Gucisë janë edhe vetë të vogla dhe pamjaftueshëm të zhvilluara, por ne jemi fokusuar në punësim dhe përfaqësim në institucionet dhe organet shtetërore që veprojnë në zonën e këtyre dy komunave.
Ky aktivitet është iniciuar me vizitën time në Plavë dhe Guci dhe me ftesën e një numri të qytetarëve nga këto dy komuna, kështu, më 14 maj të këtij viti, me bashkëpunëtorët e mi, kisha një mbledhje pune me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe anëtarët e KKSH nga këto treva.
Aty më njoftuan mbi pakënaqësitë e tyre në realizimin e të drejtave themelore të njeriut, para së gjithash në procesin e punësimit dhe prezantimit proporcional të shqiptarëve në organet lokale dhe shtetërore si dhe institucionet e sistemit, gjë që kontribuon dukshëm në pozitën ekonomike, para së gjithash të familjeve të reja, e si pasojë edhe në nivelin e lartë të emigrimit të shqiptarëve nga këto treva.
Gjithashtu na njoftuan se me këto probleme i kanë njoftuar edhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Malit të Zi, por deri më tani pa farë rezultati.
Në këtë mbledhje na njoftuan me të dhënat e tyre statistikore, për secilin institucion dhe organ veç e veç dhe, më duhet të pranoj se numrat që na i paraqiten ishin edhe për ne të pabesueshëm.
Iu drejtuam udhëheqësve të institucioneve dhe organeve shtetërore, në mënyrë që të dhënat e tyre t’i krahasojmë me të dhënat e fituara nga aktivistët tanë.
Jemi jetësisht të interesuar për plotësimin e të drejtave tona nga Kapitulli –TË DREJTAT E POSAÇME, në nenin 79, al1, pika 9 dhe 10 e Kushtetutës së MZ, që garanton në mënyrë decide të drejtat bashkësive kombëtare të pakicave:
“ 9) në prezantimin autentik në në Kuvendin e Malit të Zi dhe kuvendet e njësive të vetëqeverisjes locale ku përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, bazuar në parimin e aksionit afirmativ;
10) në përfaqësimin proporcional në shërbimet publike, organet e pushtetit shtetëror dhe vetëqeverisjes lokale” dëshiroj t’ua prezantoj gjendjen dhe numrat në këtë fushë, deri të cilët kemi ardhur.
U jemi drejtuar udhëheqësve të organeve dhe institucioneve shtetërore, për t’i fituar të dhënat prej tyre dhe t’i krahasojmë me të dhëna të fituar prej aktivistëve tanë
Si institucionet më të rëndësishme, ku ishte punësimi minimal:
- Ministria e shëndetësisë,
- Drejtoria e punëve të inspektimit,
- Drejtorisë së pyjeve,
- Enti për punësim të MZ,
- MPB MZ,
- Parku nacional „Bjeshkët e Nemuna“
- Ministria e punës dhe kujdesit social,
Pyetjen mbi shqiptarët e punësuar e dërguam sipas nenit 50 të Rregullores mbi Punën e Kuvendit, në javën e parë të qershorit, mirëpo, deri më tani, edhe përkundër obligimit të tyre, që të përgjigjen në afatin prej 15 ditësh, nuk e kemi fituar përgjigjen nga Parku nacional „Bjeshkët e Nëmuna“ dhe të Ministrisë së punës dhe kujdesit social.
Dhe, çfarë janë rezultatet:
Nëse e përjashtojmë përgjigjen e drejtorit të Drejtorisë së pyjeve, ai i vetmi e ka dhënë përgjigjen në numra për shqiptarët e punësuar dhe vendin e tyre të punës, përgjigjet tjera për ne janë, gati të papranueshme. Mangësia e kësaj përgjigje është se nuk ka përfaqësim në përqindje dhe as numrin e përgjithshëm të të punësuarve, që do të na e jepte pasqyrën më të qartë.
Shikuar në mënyrë të përgjithshme, kam bindjen se udhëheqësit e organeve dhe institucioneve shtetërore, me dëshirë që të fshehin gjendjen jashtëzakonisht të dobët, do të thosha të mjerueshme të punësimit të shqiptarëve në organet dhe institucionet që i udhëheqin, provojnë të nxirren me konstatimet mbi mbrojtjen kushtetuese dhe ligjore të individëve, të drejtën e tyre që nuk janë të obliguar të deklarohen mbi përkatësinë kombëtare.
E se gjendje në fushën e punësimit të shqiptarëve në këto dy komuna është vërtetë e mjerueshme, t’i shohim disa numra nga terreni:
Nuk ka asnjë shqiptar të punësuar në këto institucione:
Organi /institucioni | Numri i të punësuarve | Shqiptarë të punësuar |
Policia kufitare | 105 | 0 |
Gjykata themelore | 16 | 0 |
Prokuroria | 6 | 0 |
Gjykata për kundërvajtje | 5 | 0 |
Shërbimi informativ* | 6 | 0 |
Drejhtoria e punëve të inspektimit | 7 | 0 |
Enti për punësim | 6 | 0 |
Qendra për punë sociale | 16 | 0 |
Drejtoria e tatimeve | 4 | 0 |
Drejtoria e patundshmërive | 7 | 0 |
Posta | 12 | 0 |
Parqet nacionale | 30 | 0 |
Përpos këtyre të dhënave, për mua është shqetësuese edhe cilësia e përgjigjeve që i kemi fituar, para së gjithash nga Drejtoria e punëve të inspektimit dhe nga Ministria e shëndetësisë.
Përgjigjet e tyre tregojnë se, për fat të keq, ende është e pamjaftueshme vetëdija mbi seriozitetin e problemit, dhe mund të konstatoj se edhe anashkalimi i nenit 79 të Kushtetutës së Malit të Zi nga vetë këta udhëheqës, apo nga ata që e kanë përpiluar përgjigjen. Më e rëndësishmja është, se tregojnë probleme të qarta se si të implementohen dispozitat e kushtetutës, si aktit më të lartë juridik. Pra, nuk ekziston përgjigje institucionale se si, kur dhe kush do ta përmirësojë anashkalimin e dispozitës së Kushtetutës nga neni 79.
Është interesant se në dy përgjigje, të Drejtorisë së punëve të inspektimit dhe MPB, thirren në nenin 46 të Kushtetutës së Malit të Zi “Askush nuk është i obliguar të deklarohet mbi bindjet e veta fetare dhe të tjera.“
Shtroj pyetjen, si të përmirësohet gjendja pa të dhëna dhe evidencë?
Sipas mendimit tim, përkatësia kombëtare nuk është bindje, dhe për këtë arsye, ky nen i Kushtetutës nuk do të duhej të përdorej në këtë kontekst.
Në përgjigjen e Drejtorisë për Punë të Inspektimit është thënë se „DPI nuk ka të dhëna mbi deklarimin kombëtar të të punësuarve“. Në pyetjen e njëjtë, ish drejtori, përgjigjet se në DPI janë të punësuar 3 persona (ose 1,19%) të të punësuarve, që deklarohen si shqiptarë.
Medoemos na paraqitet pyetja, si është e mundur që ish drejtori t’i ketë të dhënat e sakta për të punësuarit që deklarohen si shqiptarë, ndërsa drejtori aktual të konstatojë se të dhëna të tilla DPI-a nuk posedon?
——–
Ministria e punëve të brendshme në përgjigjen e vet cek„… Me kontrollin e bazës së të dhënave është konstatuar se nuk ka persona, që në rubrikën për përkatësinë kombëtare deklarohen si shqiptarë, gjë që nuk do të thotë se nuk ka të punësuar…“
A është e mundur, që asnjë shqiptar i punësuar aty nuk e ndien nevojën që të deklarohet për përkatësinë e vet kombëtare, apo kemi të bëjmë me diçka tjetër?
Pra, Ligji ekzistues mbi Punët e Bredshme „siguron përfaqësimin proporcional“ ndërsa me ligjin e ri “… do të kihet kujdes mbi përfaqësimin proporcional të pjesëtarëve të popujve pakicë
Nëse sipas ligjit ekziatues kemi gjendjen e tillë, e pyes veten si do të jetë gjendja në këtë segment, kur VETËM TË KIHET KUJDES.
—-
Kemi edhe rastin e shkollës në Guci, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, ku asnjëri nga udhëheqësia e shkollës nuk e njeh gjuhën Lidhur me këtë e kam informuar edhe Ministrin e Arsimit në mbledhjen e punës lidhur me problemet e arsimit shqip në Mal të Zi, javën e kaluar.
Ose, nëse e marrim numrin e përgjithshëm të të punësuarve në Plavë dhe Guci, janë 698, ndërsa numri i shqiptarëve të punësuar 35 (në këtë numër kryesisht bëjnë pjesë punëtorët e arsimit – shqiptarë), gjegjësisht 5%, ndërsa përqindja e popullatës arrin 26% .
Në fund, asnjë institucion nuk ka as plan, as propozim se si të avancohet diskriminimi i deri tashëm i qartë mbi shqiptarët nga kjo trevë.
Ky diskriminim, pavarësisht nga shkaku, duket evituar. Këto të dhëna do t’ua dërgojmë ministrave dhe drejtorëve përkatës, me qëllim që eventualisht t’i përmirësojnë të dhënat dhe, ç’është më e rëndësishme të gjejmë zgjidhje të përbashkët: Faleminderit .
http://cloud.skupstina.me/index.php/s/oCDAwY43TSnTK87/download