Nga Marjana Bulku

            Nuk ishin heronjtë e skenës e mbase emrat e tyre as nuk citoheshin kur sallat e mbushura plot duatrokitnin protagonistët por natyrisht që skena nuk do të mund të quhej e tillë pa ata që vetëm me 7 nota dhurojnë miliona tinguj muzikorë duke krijuar emocione të bukura të cilat ua mbushnin sado pak shpirtin qytetarëve duke i bërë të ndihen edhe më shumë qytetarë.

            Lahim Kola vjen si protagonist në këtë rrëfim , diapazoni i të cilit shkon përtej vetvetes ; në kohën kur lindi, zonën (Gryka e Madhe Sopot)e cila i ka dhuruar Dibrës sistematikisht vlera,hapat e para drejt artit të cilat nuk mund të ishin nëpër korridore sallonesh apo kolegjesh por nëpër gryka vullnetesh dhe pasionesh kur ndodh që njeriu takon njerëzit e duhur , ata që dijnë ta dallojnë shkëndijën e bukur të talentit të cilin munden ta shndërrojnë në produksion artistik.

            I tillë do të ishte i mirënjohuri Tonin Rrota i cili drejtonte në atë kohë Estradën Profesioniste Peshkopi në vitet 1960 , kohë kjo që përkon me angazhimin profesional të një artisti që kujton me dashuri çdo akt që e lidhi aq shumë me muzikën e cila frymonte edhe nëpër livadhet ku bariu i binte fyellit.

            Por asgjë  nuk mundet ta plotësojë zanafillën e pasionit të tij për muzikën sesa ky rrëfim i Lahimit  që unë dua ta citoj fjalë për fjalë …

            “    Ne fillim te viteve ’50 nisi të kremtohej data e clirimit të Zerqanit me 3 gushtnë  livadhet e allushjet. Një lugine e bukur e gjelberuar me lisa të medhenj që me hijet e tyre ia shtonin hijeshine ketyre livadheve të sapo kositura,që  pershkoheshin nga vijat plot me uje të ftohte të Gurrave te Tushjet. Në  kete feste vinin, jo vetem fshatrat e Grykes së Madhe, por edhe nga fshatrat e Gollobordes, të Maqellares e Bulqizes. Gjemonin lodrat e cylat nga të kater anet. Bukuri të papare krijonin veshjet popullore të grave, nuseve e vajzavetë  krahines së Zerqanit. Shamitë e jepekut, qashat e shajakut, të zeza për nuset e të  kuqe për vajzat, si dhe jeleket me pafte e bakoret me lara. Por bukurine më të madhe ja shtonin grupet artistike të ardhura  nga Tirana e Shkodra. Këta grupe me kengetar popullor si Xhevdet Hafizi, File Gjeloshi, Lucije Miloti e tj. të shoqeruar nga orkestra të mrekullueshme, që jepnin shfaqje sapo mbaronte festa, na kenaqnin shpirtin. Por ç’e do se ishte vetem një dite në vit. Mua mbi gjithcka më pelqente fizarmonika dhe thoja me mend e mija: “ah sikur të arrija te kisha një të tille”.Me një fjalë u “dashurova” me këtë instrument. Ishte interesante se po thuajse të gjitha kenget që kendoheshin aty, pas disa ditesh mesoheshin dhe kendoheshin nga të rinjte. Kjo tregonte etjen e madhe që kishin njerzit e vecanrisht të  rinjte dhe femijet për keto kenge, por që s’kishin ku t’i degjonin…”

              Disa vjetë më vonë por pa u shkëputur kurrë nga ajo andërr fëminore vjen edhe ai momenti i duhur pranë njerëzve të duhur që kanë të përbashkët vullnetin e mirë.

            Mjaftoi një firzamonikë dhe një partiturë dhe interpretimi edhe pse me emocion e me  duar që i dridheshin mbi instrumentin të cilin Lahimi  e kishte dashuruar në fëmijëri dhe kish mësuar ta ushtronte gjatë shërbimit ushtarak dhe dyert drejt profesionit do t’ia çelte një profesionist me emër dhe që i dha emër artistave , trupës dibrane duke ditur ta spikasë talentin dhe ta zhvillojë atë  mes punës  . Dhjetori i vitit 1960 do i çelte rrugën e gjatë si instrumentist profesionist pranë Estradës Profesioniste  Peshkopi. Dhe nuk ishte aspak e lehtë -shprehet Lahimi , -e përmëtepër kur do të zëvendësoje një artist të mirfilltë si Ahmet Balliu i cili u largua për studime.

            Të punoje me emra si Tefë Krroqi , regjizor i Estradës, i rrethuar nga kujdesi i Selim Alliut i cili i krijoi mundesi për arsimim komod çdo njërit që e dëshironte atë në një mjedis i cili duhet të edukonte shije muzikore mund të duket si luks  por është përgjegjësi gjithashtu pasi kërkon aftësi , punë dhe  përkushtim të vazhdueshëm .

        Arti edukon ndjesi të bukura , modestie dhe solidariteti, pikërisht kështu mendoj teksa ndjek rrugëtimin artistik të Lahim Kolës( xhaxhi Lahimit siç jemi mësuar ta thërrasim në familje) .

        Rrugëtimi i tij kalon nëpër udhë pasioni dhe përkushtimi, pa planifikuar kurrë madhështi por veçse dëshirë dhe sakrifica për atë çka shpirti don të bëjë : muzikën që sjell dhe ndjell aq shumë gëzim .Ai ka ruajtur me dashuri çdo kujtim, regjistrime , fotografi , audio ,vizive orkestrale duke pasuruar atë fond që mjerisht ka mbetur në harresë për shkak të teknologjisë së kufizuar të kohës . Teksa i ndjek me rradhë regjistrimet e hershme pohoj me një ndjesi krenarie se sa bukur këta artistë i kanë bërë jehonë trimërisë, bukurisë së natyrës dhe asaj njerëzore. Artistëve dibranë lindur e rrethuar me aq shumë bukuri natyrore ju kishte hije admirimi për natyrën , malet, kuvendet burrërore por edhe hijes jetëgjatë të bukurisë çka mbetet madhështore prej mjeshtërisë interpretuese të  Melita Shehut.

        “Të fala nga Korabi ” e vitit 1961 në një tur kombëtar përshkruhet me shumë dashuri nga Lahimi i cili në çdo akt përmend emra që për ne mbase janë të harruar por për të kurrsesi jo; Skënder Cala e Melita Shehu, Muharrem Zajmi, Haziz Ndreu, Adil Shehu, Hiqmet Elezi ,Haxhi Mata,Stefan Roçi, e pasuar nga Inajet Shehu, Agim Skara,Behar Mera,Flora Toska, Abdyl Sturçe,Liri Rasha,Arif Vladi, Saje Poleshi, etj…janë emra që e bënë të përjetshëm këtë udhëtim muzikor dhe artistik  nga Korabi i lartë nëpër gjithë Shqipërinë e kohës.

        Ne vërtet ishim të privuar dhe nuk pamë skenat e botës në atë kohë , por sot kur ato nuk na mungojnë ndjejmë se sa gjallë e paskan mbajtur kulturën tonë këto akte artistësh , se sa peshë historike dhe sociale mbartnin ato skena të thjeshta ku e bukura duartrokitej me shpirt. Dhe sa më shumë artistët shtohen akoma më të vlefshme bëhen  këto rrënjë identiteti të cilat e kanë zanafillën pikërisht nëpër  këto rrëfime që nuk u ikën asnjëherë vlera dhe rëndësia.

        Në kujtesën njerëzore dhe artistike të Lahimit një vend të veçantë zë Agim Krajka, një nxitës dhe frymëzues permanent me ndihmën e të cilit ai do tē luante në skenë solo  pjesët :” Speranza Perdita, Vallja e shpatave, Fantazi për firzamonikë dhe madje me ndihmën e mjeshtrit Tonin Rrota , Lahimi arrin të krijojë këngë me motive popullore. 

             Nuk ka gjë më të bukur se sa të duartokasësh artistët, përtej bukurisë skenike ata përcjellin njē diapazon të tërë përpjekjesh, përjetimesh , kufizimesh, sakrificash që në skenë nuk duken, por që kujtesa e tyre i ruan si një pasuri arkivore. Teksa futem një këtë lloj arkivi që Lahimi e ka ruajtur mjeshtërisht ndjek se si luan orkestra muzikore me dy tre instrumentistë, sa i pastër është tingulli nën atë interpretim live, sa i kthjellët është deri i kulluar zëri i Melita Shehut, sa i thellë është interpretimi i Skënder Calës , sa epik Arif Vladi , sa e ngrohtë Vera Laçi , sa modern dhe klas Arjan Toçi, sa madhështor Edmond Zhulali i cili nuk reshti kurrë ti dhurojë art dhe artistë skenës , Dibrës , Shqipërisë.

    Teksa ndjek rrëfimin arkivor plot me foto, shkrime e audio edhe vizive të Lahim Kolës pohoj dy gjëra : oda dibrane nuk është aspak rastësi dhe as një ngjarje gjeografike e eventeve folkloristike por një buqetë arti kultivuar historikisht në atë trevë ku i këndohet trimërisë e burrnisë, maleve e natyrës dhe  se Agim Kola dhe Artur Kola dy trashëgimtarët e Lahimit , përveç edukatës kanë të përçuar gene të mrekullueshme artistike të cilat bëhen të dukshme në vendet ku ato jetojnë dhe duke na bërë të kuptojmë se talenti lind, edhe pse jo në qytete që gjallojnë nga teatro a skena të mëdha , ato bëhen të tilla kur takojnë njerëz dhe vullnete nxitëse , frymëzuese e dashamirëse.

    Diapazoni i një njeriu si Lahim Kola shkon tej e përtej kohës, nëpër rrënjët e familjes, bukuritë e trevës ku është rritur , traditat e zonës me kostumet më të bukura në Shqipëri dhe kapërcen kufinjtë e Dibrës për ti dhuruar përjetësisht asaj tinguj , zëra e melodi që vijnë e shkojnë për të ushtuar grykave të thella të maleve ku ruhet e freskët dhe e harruar e shkuara jonë , diapazon.

   

    Nju Jork

By admini