Dr A. Sulejmani: IN MEMORIAM (Dr Rexhep Spuzha (1947 – 2019)

Dr Spuzha, siç e njihnin dhe e thërrisnin popullata e mbarë bregdetit të Malit të Zi dhe më gjërë, papritur na la. Mbeti vepra dhe veprimtaria e tij që, padyshim nuk mund të vdesë ndër breza të tërë. Shërimin që ai iu gjeti mijëra e mijëra foshnjeve e fëmijëve si dhe paqen që iu fali po kaq shumë e shumë prindërve, sigurisht nuk ka masë fjale që mund ta përcaktojë.

Siç ai u kujdes për shërim e paqe, jemi ne sot që lutemi për paqen e tij në botën e përtejme.

Prindërit e mi më kanë treguar që sa isha fëmijë, e kam vizituar disa herë Dr Spuzhën. Ai ishte mjeku i rasteve të rënda, i fjalëve me peshë dhe i gjetjeve magjike për më të vegjëlit. Ai ishte një mjek i pazakonshëm, një pediatër i klasit të rrallë dhe një njeri që i ishte falur tërësisht profesionit dhe popullit të vet.

Më vonë, në 2013-tën jeta krejtë rastësisht do të më çonte në Repartin e Pediatrisë në Tivar, ku Dr Spuzha punonte dhe udhëhiqte. Më thanë ta quaja “Shef”, kurse ai që në takimin e parë mjaftohej nga kolegialiteti me “Doktor”. I rreptë, i drejtpërdrejtë, profesionist, enciklopedist, lider në punën dhe angazhimin e përditshëm, Dr Spuzha ishte modeli dhe mësonjësi që kisha fatin ta ndiqja.

Tek Dr Spuzha takoheshin si Buna me Detin kohët dhe risitë. I kalitur nga puna në kohë të rënda dhe i hapur për të gjeturat më të fundit, mendësia dhe praktika e tij ishte gjithnjë reformatore dhe në hap me protokolet më të fundit të vendeve më të zhvilluara. Me plot gojën, Doajen i Pediatrisë bashkëkohore në Malin e Zi, Dr Spuzha do të mbetet përgjithmonë shembull konkret se si do duhet të jemi, se si mundemi dhe se si mund t’ia dalim. Ishte i të gjithëve, por pikë së pari ishte i yni, ishte i Ulqinit.

Falenderohemi sot për Doktorin që përkujdesej për shërimin dhe paqen tonë, me uratat që paqja dhe shpërblimi ta presë në botën tjetër. Pusho i qetë, Doajen i Pediatrisë bashkëkohore!

FALEMNDERIT, SHEF!

By admini