Nga Ramiz LUSHAJ
Vepra ma e re e ambasadorit, dr. Islam Lauka: “Kosova e kërcenuar nga gjarpri i shtëpisë”, pas promovimit në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Prishtinës (19 prill) dhe në komunën e Deçanit të Kosovës (10 maj), në fund të këtij muaji, më 31 maj 2019, ditë e premte, ora 12.30, do të promovohet edhe në Tiranë, në sallën “Classic” (250 vendshe) të Hotel Tirana International, një nga hotelet ma të mira në Ballkan e Europë, sidomos për veprimtari të tilla.
Folës kryesor do të jetë z. Besnik Mustafaj-ish ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (2005-’07), Presidenti aktual i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, ambasador i Shqipërisë në Francë e UNESCO (1992-’97), botues, analist, pas Kadaresë është shkrimtari shqiptar ma i përkthyer e botuar dhe vlerësuar në botë nga kritika e publiku (i botuar në disa gjuhë, shtete, kontinente), me disa çmime (ndër)kombëtare për veprat e tij, deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë.
Rreth librit e tematikës së tij do të ketë diskutime të shkurtëra nga diplomatë të karierës, të botës akademike e të fushës politike.
Do të flasin prof. dr. Marko Bello – ish ministër i Integrimit Europian, ambasador i Shqiëprisë në Rumani (1997-2000), doktor i Shkencave Juridike e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, ish korrespondent i Reuters e BBC, deputet në Kuvendin e Shqipërisë (2001-’13), profesor në Universitëtin Ndërkombëtar të Strugës në Maqedoni.
Do të flasin diplomati i karierës (prej v. 1982), Leonidha Mërtiri, me detyra e funksione në MPJ të Shqipërisë, në ambasadat shqiptare në Beograd (1987-1991), në Shkup (1993…), ambasador i Shqipërisë në Rumani (2000-2006), antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, poet, prozator, analist, autor i disa librave.
Fjalë rasti të shkurtë do të mbajnë dhe botuesi i veprës, drejtori i Shtëpisë Botuese “Konica” në Prishtinë, shkrimtari i mirënjohur, Nazmi Rrahmani, i cili ka punuar gazetar e redaktor te Radio Prishtina, gazeta “Rilindja”, redaksia “Jeta e Re”, botimet “Rilindja”, autor i disa romaneve të jehonshëm ndër dekada shqiptare, ndër studiuesit e Letërsisë Shqipe, është vlerësuar e nderuar me çmime të ndryshme.
Gjithashtu, fjalë rasti të shkurtë do të mbajnë edhe autori i veprës doktori i shkencave politike, diplomati e pedagogu Islam Lauka, i dekoruar me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” nga Presidenca e Shqipërisë (2018), ambasador i Shqipërisë në Kosovë (2009-’14), dekan i Trupit Diplomatik të akredituar në Prishtinë (2013-’14), president i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (prej v. 2003), drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike (prej v. 2005), autor i disa veprave për Ksoovën të botuara në shqip, anglisht, arabisht, rusisht, serbisht, persishtm greqisht, “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit (2010) e i qytetit Bajramcurri (2015) dhe i komunës Deçan në Kosovë.
Pjesë e programit të promovimit të kësaj vepre është dhe interpretimi aktorial me tematikë për Trojet Etnike Shqiptare i artistit të skenës e ekranit, Çun Lajçi, 73 vjeçar, aktor i rregullt i Teatrit të Prishtinës (prej v. 1970, derisa e hoqën më 1993 serbët e më 2011 qeveritarët shqiptarë), i dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenca e Shqipërisë (2017), me dekoratën “Naim Frashëri”, me Çmimin e Karrierës” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj. poet–me dy libra të botuar, za atdhetar rugovian në mbrojtje të trojeve të parëve e padrejtësive të shekujve.
Në fund të kësaj veprimtarie promovimi do të ketë dhe një Koktej për të pranishmit.
Botuesi i veprës, ShB “Konica”, do të ofrojë një numër kopjesh për shitje dhe kush dëshiron të ketë në libër firmën e autorit, autograf të tij, ai do të jetë në dispozicion të lexuesve.
Në promovimin e veprës të ambasador dr. Islam Lauka “Kosova e kërcenuar nga gjarpri i shtëpisë” do të marrin pjesë personalitete të larta të politikës aktuale, të botës akademike e diplomatike, të Letrave Shqipe, të Shoqërisë Civile, të Masmediave Shqiptare e të Huaja, etj. nga Shqipëria, Koosva, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe nga Diaspora në Europë e Amerikë.