Me rastin e Ditës Botërore të Librit, Karvani i shkrimtarëve vendas ka vizituar të hënën, më 22 prill 2019, Shkollën Fillore “Dacaj” – Rozhajë, dhe të martën, më 23 prill 2019, Shkollën Fillore “Hajro Shahmanoviq” – Plavë, ku janë mbajtur takime letrare me nxënësit dhe mësimdhënësit e këtyre shkollave.
Pjesë e Karvanit të sivjetshëm kanë qenë shkrimtarët Ali Gjeçbritaj, Dimitrov Popoviq dhe Hajredin Kovaçi, të cilëve u janë bashkëngjitur edhe krijuesit vendas Muratka Nurkoviq në Dacaj, dhe Hasnije Kukaj – Gjonbalaj e Shaban Hasangjekaj në Plavë. Ata kanë lexuar pjesë nga krijimtaria e tyre, kanë folur për rëndësinë e librit dhe të gjuhës shqipe etj. Ndërkaq nxënësit e këtyre shkollave kanë shfaqur për mysafirët një program të ndërthurur me recitime, grimca humoristike dhe pika muzikore.
Kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka dhuruar disa kopje të botimeve të kësaj shoqate dhe autorëve të tjerë, për bibliotekat e dy shkollave si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave të shkollave shqipe në Malin e Zi.
Karvani i shkrimtarëve vendas është ideuar si vizitë e autorëve shqiptarë në Malin e Zi, të cilët janë pjesë e SHAI “Art Club”, dhe e autorëve të tjerë, në shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ai ka për qëllim që nxënësit të njihen me shkrimtarët shqiptarë dhe letërsinë shqipe që krijohet në Mal të Zi, të komunikojnë drejtpërdrejt me autorët, t’i nxisë nxënësit për t’u marrë me krijimtarinë letrare etj.
Takimet letrare janë organizuar nga SHAI “Art Club” në bashkëpunim me drejtoritë dhe personelin mësimor të dy shkollave, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave.