Nga Frank Shkreli
Ashtu si edhe çdo vit tjetër, shqiptarët nga Malësia e Madhe së bashku me bashkvëllezër nga të gjitha trojet shqiptare, javën e parë të prillit, në qytetet Detroit dhe Nju Jork, shënojnë përvjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe kujtojnë prijsin e Malësisë dhe heroin Kombëtar Ded Gjon Lulin. Kështu ndodhi edhe sivjet. Komuniteti katolik i famullisë shqiptare në Detroit, kryesisht nga Malësia e Madhe, organizuan një darkë madhështore me këtë rast. Këtë vit bie108-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe komuniteti i Kishës Katolike Shën Pali kishte vendosur të kishte në mesin e tyre Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, për të kujtuar këtë datë historike të shtunën që kaloi.
Siç dihet, Kryengritja e Malësisë së Madhe – që është zhvilluar në vazhdimësi të kryengritjeve anti-osmane në Kosovë midis viteve 1908-1910 – i parapriu ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë nga Ismail Qemali dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. “Në nderim të kësaj date dhe të gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim”, thuhej në deklaratën për shtyp nga zyra e Kryemistrit Haradinaj, para se të nisej kreu i qeverisë së Kosovës për në Detroit të shtetit Miçigen të Shteteve të Bashkuara. Me të arritur në atë qytet në veri të Amerikës, zyrtari i lartë i Kosovës mori pjesë në darkën e shtruar me këtë rast në sallën e madhe të Shën Palit, ku mbajti një fjalim prekës.
“Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë. Ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin, e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetet shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjtë që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër”, është shprehur kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, në tubimin që fund javën që kaloi shënoi 108-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe.
“Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 1911-ës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit. Jam sot me ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull, që “…nga Jerusalemi e rreth e përqark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë”, ka thënë kreu i qeverisë së Republikës së Kosovës para një turme të madhe populli që kishin ardhur për të takuar mysafirin e lartë.
“Duke ruajtur kodet e jetës së të parëve, ne arrijtëm ta ruajmë identitetin tonë”
Midis të tjerash, në takimin e tij me komunitetin shqiptar në Detroit, Kryeministri Haradinaj ka theksuar tolerancën unike ndërfetare tek shqiptarët duke thekësuar se toleranca fetare dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe një mënyrë dominante e bashkëjetësës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjten Nënë Terezën.
Gjatë vizitës së të tij në Shtetet e Bashkuara – udhtim të cilin, ai tha se po e bën në nderim të kësaj date të Kryengritjes së Malësisë dhe të gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri, por njëkohësisht edhe për të nderuar rolin dhe kontributin e ShBA-ve — Kryeminisitri Haradinaj ka njoftuar se do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim. Njoftohet gjithashtu se Kryeministri Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe me autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së, ka njoftuar zyra e tij.
Kryeministri Haradinaj në portalin kryeministror ka shprehur kënaqësinë e tij për vizitën që zhvilloi në Detroit midis malësorve duke thënë se ishte shumë i nderuar që ndodhej në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe të shqiptarëve nga të gjitha trojet tona, për të shënuar108-vjetorin e Kryengritjës së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, “Një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare. Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, i kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garancë e thellimit të miqësisë së përherëshme me ShBA-në”, përfundon komentin e tij kryeministri Haradinaj mbi vizitën e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan në qytetin Detroit të shtetit Miçigen.
—————————————————————————————————-
Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:
Të dashtur motra e vlëllezër, shqiptarë të Komunitetit Katolik Shqiptar – Shën Pali në Detroit; Të dashur malësorë, motra e vëllezër nga do që vini; Të dashur Prijës të Kishës sonë, këtu në Michigan, Dom Fred Kalaj dhe Nik Gjonaj;
Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-tës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit.
Jam sot me Ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës, për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përqark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë! Kryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjës së flamurit në Vlorë nga Ismail – Qemal Vlora si dhe shpalljës së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.
Sot kur kujtojmë 108-vjetorin e Malësisë, dua të përmend prijësit që i prinë asaj, Dedë Gjo Lulin që i priu Hotit, Dedë Nikë Martinin e Grudës, Dodë Prëçin e Kastratit, Palë Lucën e Këlmendit, Gjon Ucin e Vuklit, Gjon Sokolin e Nikçit, Tomë Nikën e Shkrelit, Mehmet Shpendin e Shalës dhe Prëtash Zekën e Kojës.
Për me e ditë se kush jemi ne shqiptarët dhe me i njoftë rrënjët tona të thella në histori duhet ta kujtojmë lidhjen tonë si mishi me thonin, sepse atëbotë edhe autoritetet osmane u shpërndanë shqiptarëve myslimanë të atyre trevave rreth 4 mijë armë, për me nxitë konflikt ndërmejt shqiptarëve të të njëjtit gjak. Por popullsia shqiptare e besimit mysliman e priti me shpërfillje këtë propagandë, siç i shpërfilli gjatë tërë historisë së re pykat e përçarjës.
Toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetësës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohenme të Shenjten Nanën tonë, Terezen!
Duke ruajtur kodet e jetës së të parëve për shtëpinë e shqiptarit që është e Zotit, e mikut dhe e shtegtarit, si përkujtim të përpjekjeve tona ndër shekuj, ne arritëm ta ruajmë identitetin tonë Dardan-arbnor dhe të bëjmë miq të mëdhenj, përtej Atlantikut, edhe këtu në tokën amerikane. Dhe sot, i madh e i vogël, shqiptarë kahdo që janë, përditë angazhohen për vazhdimësinë, kultivimin dhe thellimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në dhe me kombin bujar amerikan.
ShBA-ja dhe aleatët e saj europianë, mbështetur në vlerat e përbashkëta, parandaluan gjenocidin në Kosovë. Për këtë, shqiptarët kudo që janë do t’i jenë përjetësisht mirnjohës Amerikës dhe amerikanëve dhe ata e ndjejnë si obligim shpirtëror të jenë përjetësisht krah tyre, si një komb euro-atlantik.
Duke e dëshmuar
këtë moment, në këtë Tempull të Zotit dhe njeriut që flet shqip, sot, nuk
mundem e të mos përmend martirizimin tonë që nga Dardania antike, Shën Florin e
Laurin nga Ulpiana afër Prishtinës, martirizimin e shqiptarëve të krishterë,
nën regjimin komunist e deri në Kosovën e sotme, duke mbrojtur tokën e të
parëve tanë dhe identitetin tonë Perëndimor, përmes sakrificave të mëdha në çdo
cep të Atdheut, dhe pikërisht këto ditë po i kujtojmë martirët e Kosovës të
masakruar 20-vjet më parë. Luftëtarët
shqiptarë të lirisë, të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë
dhe vetë historia jonë, ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të
përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin e përmbi flamurin e
Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt
unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjt që na lidhë
përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër…Lavdi e përjetshme të gjithë
brezave të luftëtarëve shqiptarë!
Hiri i Hyut qoftë me Ju!