Atë që nuk arriti ta bëjë ndër vite pushtetari, po e bën familja Hajdari
Gjekë Gjonaj
Jemi dëshmitarë se në qytetin e Ulqinit ka hapësira të vogla publike të gjelbëruara, kurse nëpër lagje e zona rurale pothuaj s’ka fare. E themi me keqardhje se shumica e hapësirave publike në territorin e kësaj komunë janë lënë pas dore dhe janë ende deponi ilegale të cilat presin investime, që ato të shndërrohen në hapësira të gjelbëruara dhe terrene të përshtatshme si për fëmijët , ashtu edhe për të moshuarit. Mungon gjelbërimi. Mungojnë lulet. Mungojnë parqet… Të gjithë dëshirojmë t’i kemi ato, por mungon kujdesi. Për momentin m’u kujtua thënia indiane “ Dikur njeriu është frikësuar nga natyra, ndërsa sot natyra frikësohet nga njeriu” .
Mjedisi do të duhej të jetë themeli bazë i zhvillimit të qëndrueshëm, paqes dhe sigurisë edhe për Komunën e Ulqinit. Veç kësaj mjedisi do të duhej të jetë një prioritet shumë i rëndësishëm i punës së përditshme të saj. Mbase hapësira e mirë publike e qytetëron qytetin. Sjell ngjyra. Dritë dhe gëzim në jetën e përditshme. Rrit shëndetin qytetar, po ashtu. Megjithatë, përpjekjet e deritashme të pushtetarëve për të parandaluar krimin mjedisor, e mbi të gjitha për ta mbrojtur atë nga hedhja e paligjshme e mbetjeve urbane dhe jo urbane, nga keq menaxhimi i mbetjeve të rrezikshme industriale etj. , kanë qenë dhe mbeten të jenë të pamjaftueshme. Për këtë arsye në të ardhmen duhet punuar më shumë për një qeverisje më të mirë mjedisore, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm dhe standard mjedisor, sidomos për brezat që vijnë. Për pasojë të mos angazhimit të duhur, në radhë të parë të institucioneve përkatëse në nivel vendor, Ulqini edhe në mileniumin e tretë vazhdon të jetë ndër qytetet e rralla i cili nuk ka asnjë park publik, ku qytetarët mund të pushojnë e argëtohen. Një shoqëri e qytetëruar varet nga hapësirat e mira publike. Prandaj duhet t’i mbrojmë dhe të kujdesemi për to.
Atë që nuk arriti ta bëjë ndër vite pushtetari, po e bën familja Hajdari. Kjo familje ( Xhevdet dhe Margaret Keane-Hajdari), e cila jeton dhe vepron në Shtete të Bashkuara të Amerikës, ka vendosur që me mjete të veta financiare , në truallin e dhuruar nga komuna, të ndërtojë parkun publik me një sipërfaqe prej 6685 metër katrorë në Anë të Malit (Kosiq të Poshtëm), në shumë prej 212.000$. Është kjo dhurata më e çmuar e familjes Hajdari që i ka dhënë vendlindjes së vet. Ky kontribut vullnetar financiar i kësaj familjeje të qytetëruar këtë vend djerrë e të degraduar së shpejti do ta transformojë në një mjedis shumë të mrekullueshëm e dinjitar për komunën e Ulqinit. Punimet nga firma “ Gencon” nga Ulqini për ndërtimin e parkut kanë filluar që nga tetori i vitit të kaluar dhe ato, siç mësojmë nga koordinatori i këtij projekti Sabri Salaj, po vazhdojnë me ritëm dhe intensitet të parashikuar. Faza e parë e këtij projekti pritet të përfundojë në javën e parë të muajit prill, respektivisht për Ditën e Komunës së Ulqinit. Për disa muaj edhe Ulqini do të ketë një park argëtues – publik jashtëzakonisht të bukur me të gjitha pjesët e tij përbërëse, si një shembull nga qytetet evropiane.
Parku në fjalë paraqet një potencial të madh për krijimin e një vepre ku qytetarët mund të jetojnë në harmoni me natyrën. Ai është projektuar me mjaft kujdes nga studioja e projektimit “V&B Studio Design” për përmbushjen e nevojave funksionale të qytetarëve. Gjithashtu pamja e tij do të jetë tepër tërheqëse. Qëllimi i tij është funksionalizimi i hapësirës publike , krijimi i hapësirave rekreative e cila do ta bëjë këtë zonë edhe më të bukur. Më atraktive. Më të njohur. Më joshëse dhe më të sigurt , nga se kjo hapësirë si dhe shumë të tjera ka qenë e pa trajtuar më parë.
Ky lokalitet, me finalizimin e këtij projekti, do të jetë krejt ndryshe nga sa është sot dhe njëkohësisht do të shërbejë edhe për promovimin e turizmit malor. Me rëndësi është që, duke qenë parku i parë publik në Ulqin, të jetë në mbikëqyrje të përhershme në mirëmbajtje, në ruajte dhe gjithashtu edhe në siguri. Vetëm si i tillë ky park do të shërbejë si vendtakim i miqve dhe i të panjohurve , të grupmoshave të ndryshme. Vend ku do të shkosh me miqtë për piknik. Të admirosh lulëzimin e pranverës,. Të luash me top. Të ulesh e të kalosh kohë vetëm me mendimet e tua. Të takosh të panjohur. Të kënaqesh me fëmijë, mbesa e nipa, apo të rikujtosh gjënë shpesh të harruar – lidhjen tonë me natyrën.