Kryetari i Komunës Loro Nrekiqi zhvilloi një takim me Z. Ahmed Hassib, njeri nga përfaqësuesit e konsorciumit ,,NIRVANA,, nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Fjala është për konsorciumin që tubon 23 kompani të fuqishme të sektorëve të ndryshëm të cilët kanë investuar në shumë vende të ndryshme e që janë të interesuar për investime edhe në Mal të Zi, respektivisht në qytetin tone.
Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe u fol për mundësitë e mëdha të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, mësohet nga Komuna e Ulqinit, shkruan Ulqini Online.
Kryetari i Ulqinit bëri një prezantim të mundësive për investime në qytet, ku veçoi fushat e turizmit energjetikës, transportit ndertimin e aeroportit marinës etj. si fusha me potenciale të mëdha investimi. Ai poashtu nënvizoi dhe përparsitë që i ofrohen investitorëve të fuqishëm. U la, që shumë shpejtë në Ulqin të organizohet një takim i niveleve të larta ndërmjet dy vendeve dhe ekipeve nga kompanitë emirate me qëllim të konkretizimit të projekteve në fusha me interes reciprok.