Lëvizja VETËVENDOSJE! uron subjektet politike shqiptare të bashkuara rreth koalicionit të përbashkët dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, për fitoren e rëndësishme të ditës së djeshme në Tuz. Në shpresojmë që vetëqeverisja në komunën e Tuzit do të përmirësojë jetën dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Tuzit, duke bërë që shqiptarët të rrisin mundësitë për veten dhe familjet e tyre në trevat e tyre historike, pa pasur nevojë për të kërkuar një jetë më të mirë larg vendlindjes.

Fitorja e mbrëmshme e koalicionit të subjekteve politike shqiptare në Tuz shpërndau rreze gëzimi e shprese tek të gjithë shqiptarët gjithandej. Ishte hera e parë që partitë shqiptare dolën me një listë të përbashkët, sepse nevojat dhe interesat e shqiptarëve janë të njëjta e të përbashkëta. Bashkimi mundësoi fitoren, ashtu siç pritej dhe siç duhej të ndodhte.

Shqiptarët në Mal të Zi po përballen për një kohë të gjatë me politika të vazhdueshme diskriminuese, shpërnguljes masive, varfëri e asimilim, si pasojë e mohimit të drejtave të tyre politike e kulturore. Pa edukim dhe arsimim në gjuhën shqipe, diskriminim në administratë e në punësime në institucione dhe me papunësi të gjerë. Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet për qeverisje të mirë e të drejtë tash, pa privilegje e diskriminime sepse ajo e kuptimëson plotësisht fitoren dhe e afron edhe më shumë me qytetarin. 
Fitorja e shqiptarëve në Tuz është një shembull i humbur në zgjedhjet e kaluara në Mal të Zi, por edhe një mësim që duhet ndjekur gjithnjë dhe në çdo palë zgjedhje, sepse bashkimi i potencialeve dhe kapaciteteve, është shumëfishim i mundësive për shqiptarët, kurse realizimi i të drejtave kolektive është rruga e vetme. Ndërsa, qeveritë shqiptare në Tiranë e Prishtinë duhet të braktisin shpërfilljen dhe të mbështesin aktivisht realizimin e të drejtave politike, sociale dhe ekonomike të shqiptarëve.
Është e domosdoshme që qeveria zyrtare e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të ngrenë një strategji të përbashkët për të drejtat politike, sociale e kulturore të shqiptarëve atje, me kërkesa konkrete, me qëllim të garantimit që shqiptarët të kapërcejnë sforcimin për të mbajtur gjallë identitetin e tyre, në mundësi të zhvillimit dhe jetesës së dinjitetshme në trevat e tyre dhe duke pohuar me krenari identitetin e tyre shqiptar, përfundon komunikat e Lëvizjes Vetevendosje nga Kosova.

By admini