(Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit midis njerëzve)
Nga Frank Shkreli
Në Vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) ka miratuar një rezolutë përmes së cilës identifikohet solidariteti njerëzor si një prej vlerave më themelore dhe të përgjithshme që duhet të përcaktojë marrëdhëniet midis njerëzve në shekullin 21. Njëkohësisht, në nderim të solidarësisë midis njerëzve dhe popujve, u vendos që 20 dhjetori të shënohet çdo vit, si Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit njerëzor.
Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së ka krijuar gjithashtu Fondin Botëror të Solidaritetit, që funksionon prej vitit 2003 me qëllim që të luftohet varfëria dhe të promovohet zhvillimi shoqëror në vendet në zhvillim e sipër, në veçanti, në pjesët më të varfëra të shteteve të botës. Sipas OKB-së, agjenda e organizatës botërore për realizimin e Objektivave në Mbështetje të Zhvillimit, duhet të përqëndrohet tek njerëzit, duke nënvijuar zbatimin e të drejtave të njeriut, duke përkrahur një partneritet dhe vendosmëri globale me objektiv zhdukjen e varfërisë, urisë dhe sëmundjeve. 20 Dhjetori është pra Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit — një ditë sipas OKB-së — që kujton dhe celebron unitetin midis njerzëve pa dallim, një ditë që u kujton qeverive të respektojnë angazhimet bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe një ditë veprimesh për të inkurajuar nisma të reja për barazi midis njerëzve dhe për zhdukjen e varfërisë.
Solidariteti ose solidarësia është identifikuar në Deklaratën e Milleniumit, si një cilësi humanitare, si një prej vlerave themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit 21, ku njerëzit që vuajnë ose që përfitojnë më së paku në një shoqëri të caktuar, meritojnë ndihmën e atyre që përfitojnë më së shumti në atë shoqëri. Si rrjedhim, sipas OKB-së, përballë globalizimit dhe sfidave që vinë si pasojë e pa barazisë në rritje e sipër — në vende të ndryshme dhe në botë në përgjithësi – forcimi i solidarësisë ndërkombëtare, por edhe nivelin ndër-njerëzor, është i pazëvendësueshëm, nqëoftse bota është serioze për zhdukjen e varfërisë dhe pabarazisë në botë.
Në shumë shoqëri, fatkeqsisht, ndoshta mund të themi edhe për shoqërinë shqiptare, ka shumë raste dhe situata ku pabarazia, varfëria dhe padrejtësitë e lloj-llojshme, janë shënja jo vetëm të një mungese, thellësisht jo vëllazërore, por ato tregojnë edhe një mungesë të kulturës së solidarsisë me njëri tjetrin, e sidomos me ata, të cilët Nënë Tereza i ka cilësuar si më të varfërit e të varfërve të shoqërisë.
Gjatë historisë së njerëzimit, jo se nuk ka patur raste ku individë të caktuar nga kombe të ndryshme nuk kanë dhënë kontribut dhe shembëlla solidarsie ndaj të tjerërve, madje edhe nën rrethana shumë të vështira. Por. besoj se në krye të kësaj liste, të njerëzve pra, që kanë dhënë kontributin më të madh dhe shembullin më të mirë të solidarisisë ndaj të tjerëve, sidomos atyre më në nevojë – mund të vendosim Nënën dhe Motrën tonë shqiptare, Shënjtëreshën Nënë Terezën, e njohur dhe e pranuar botërisht, si një shembull heroik i dashurisë për të tjerët dhe i solidarësisë, me të tjerët dhe ndajë më të harruarve të kësaj bote, pa dallim feje, krahine, kulture as enticiteti. “Dashuria nuk ka asnjë kuptim, nëqoftse nuk ndahet me të tjerët”, ka thënë Nënë Tereza dhe ka shtuar se, “Dashuria duhet të vihet në veprim” — dashuria për njerëzimin, për njëri tjetrin dhe për më të varfërit e shoqërisë”, është shprehur ajo.
Në një deklaratë të fortë, lëshuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta kujtoi në këtë ditë, fjalët e Nënë Terezës, ndërsa thekësoi se, “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, ne kujtojmë porositë e Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar e botëror të humanizmit e solidaritetit, për të qenë pranë njëri-tjetrit, në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe në gëzime, pranë kujtdo që ka nevojë për ndihmë e përkujdesje, veçanërisht në krah të fëmijëve e të rinjve, të vetmuarve, njerëzve në nevojë dhe të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim”, është shprehur Presidenti Meta, në mesaszhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidarsisë.
Më heret këtë muaj, një grup ekspertësh ndërkombëtarë të drejtave të njeriut në Gjenevë, i bënë një thirrje urgjente Kombeve të Bashkuara dhe shteteve anëtare të saj, që të shtojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër pabarazisë ekonomike dhe diskriminimit. Ekspertët e OKB-së theksuan nevojën kritike për të promovuar zhvillimin e shoqërive anë e mbanë botës, me qëllim për të pakësuar faktorët që kontribojnë në fushën e pabarazisë dhe njëkohsisht për të shtuar dhe për të përmirësuar mundësitë për zhvillim ekonomik mbrenda vet vendeve, por edhe midis shteteve të ndryshme. “Pabarazia dhe diskriminimet janë disa prej sfidave kryesore me të cilat përballet sot bota. Ato, jo vetëm përbëjnë pengesa për të siguruar të drejtën individuale për zhvillim, por këto pa drejtësi, përbëjnë njëkohsisht edhe kërcënime të mëdha ndaj paqës, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës. Këta dy faktorë janë shkaktarët kryesorë të imigracionit.”, kanë theksuar ekspertët ndërkombëtarë.
Ata citojnë gjithashtu Deklaratën e Drejtës për Zvillim të OKB-së, sipas të cilës pabarazia, domosdoshmërisht, minon të drejtat e njeriut. Deklarata në fjalë bën thirrje për një zhvillim më të barabart në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, për të siguruar kështu edhe shpërndarjen e ndihmave shoqërore dhe përfitimeve që vijnë nga zhvillimi, duke pasur parasyshë që të gjithëve, pa dallim, t’u jepet mundësia e barabart në fusha të të ndryshme të zhvillimit, si në arsim, në shërbimet mjekësore dhe për ushqim dhe strehim.
Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor na kujton se përgjegjësitë — për një solidaritet më të madh midis njerëzve dhe për një zhvillim dhe për të drejta të barabarta për të gjithë — janë në nivel ndërkombëtar dhe u përkasin organizatave si OKB-ja dhe në nivel kombëtar jsnë përgjegjësi e qeverive të shteteve dhe qeverive të ndryshme. Koncepti i solidaritetit është i lidhur ngusht, pra me promovimin e paqës — jo vetëm në botën e gjërë por edhe në mjedisin dhe shoqërinë ku jetojmë — në mbështetje të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në unitet, bashkim dhe dashuri vëllazërore me njeri tjetrin, sidomos në radhët e një populli të të njëjtit gjak, gjuhë e kulturë. Nënë Tereza do të na këshillonte se, “Nëqoftse nuk kemi paqë, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit.”
Pabarazia sistemike dhe sistematike, plus diskriminimet e ndryshme shoqërore, sidomos nga pikëpamja e pabarazisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror — edhe në radhët e shqiptarëve – jo vetëm që fyen dinjitetin njerëzor, por njëkohësisht merr nepër këmbë shtetin ligjor dhe pengon realizimin e të gjitha të drejtave civile, politike, ekonomike dhe shoqërore për një pjesë dërmuese të shoqërisë shqiptare, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Zhdukja e pabarazive dhe e diskriminimeve në të gjitha fushat dhe shtresat e shoqërisë pa dallim – jo vetëm që janë të nevojshme dhe të domosdoshme por për qeveritë janë përgjegjësi të detyrueshme, moralisht dhe ligjërisht. Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit, por edhe porosia e Nënë Terezës, e cila, si bijë e Kombit Shqiptar dhe si Nëna e botës, përfaqëson aspektet më të mira të njerëzimit dhe solidaritetit njerëzor.
Frank Shkreli