SQARIM
Nga Ajet Zaga*
Lidhur me debatet e zhvilluara sot në Kuvendin e Komunës së Ulqinit gjatë pikës së Rendit të ditës “Propozim Vendimi mbi themelimin e SH.P.K. për ruajtjen dhe mbrojtjen e biodiversitetit, kultivimin, gjuetinë dhe peshkimin – Ulqin”, si drejtor i Ndërmarrjes për Kultivimin e Egërsirave “Ulqini” ndiej obligim që të sqaroj opinionin publik për punën dhe menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje gjatë kohës që unë gjendem në krye të saj. Këtë e bëj edhe për shkak se ndonëse isha i pranishëm gjatë mbledhjes, nuk kisha mundësi që të marr pjesë në debat për arsye se propozues i pikës së lartëpërmendur të rendit të ditës ishte sekretari për Ekonomi i Komunës së Ulqinit.
Duke vlerësuar se gjendja e Ndërmarrjes është jashtëzakonisht e vështirë, më habiti fakti se si në situatën e rëndë të krijuar, gjejnë vend disa batuta nga një organ i tillë serioz, siç është Kuvendi, i cili ligjërisht ka përgjegjësi për vendimmarrjet.
Pa dashur të polemizoj me çdo debatues që ka marrë fjalën në Kuvend dhe duke i vlerësuar me vend disa nga fjalimet e pjesëmarrësve në debat gjatë seancës së sotme, dua të sqaroj dhe bëj të ditur punën dhe masat që kam ndërmarrë si menaxhues “i pafejuar” i NP “Ulqini”.
Me zgjedhjen time drejtor i kësaj ndërmarrjeje, më 28 maj 2014, gjegjësisht para katër viteve (e jo para 7-8 viteve, siç është diskutuar në Kuvend), NP “Ulqini” e kam gjetur në një situatë më të keqe seç është tani. Për ilustrim të gjendjes financiare, po përmendi vetëm faktin, lehtësisht të verifikueshëm, që unë si person fizik kam bërë donacion pranë ndërmarrjes për regjistrimin tim si drejtor i saj në Gjykatën Ekonomike në Podgoricë.
Duke e gjetur një gjendje të tillë, kam ndërmarrë disa masa për stabilizimin e situates, ku duhet të nënvizoj:
– zvogëlimi i numrit të punëtorëve, që është i verifikueshëm lehtësisht, për dallim nga debatuesit të cilët kanë theksuar se disa ndërmarrje e kanë rritur numrin e punëtorëve;
– kam ulur shpenzimet e administrates, gjë që mund të verifikohet shumë lehtë, pa dashur t’ju ngarkoj me shifra, dhe disa masa të tjera që kanë qenë të nevojshme për sanimin e situatës.
Këto masa janë marrë me qëllim që ndërmarrja të funksionojë normalisht, mirëpo gjatë mandatit tim si menaxhues i ndërmarrjes jam ballafaquar me shumë problematika, ku do t’i rendis disa prej tyre:
– Kompensimi i anëtarëve të përbërjes së mëparshme të Këshillit Drejtues të ndërmarrjes, kur kam ardhur në krye të saj kanë qenë mbi 300 euro në muaj dhe pa paguar që prej disa viteve (ku kryetari i Këshillit Drejtues ka pasur të ardhura mujore më të larta sesa sesa punonjësit e ndërmarrjes);
– Kontributet e papaguara që nga muaji qershor i vitit 2010;
– Pagat mujore të papaguara për 15 muaj për punonjësit e rregullt;
– Dhe borxhet tjera shtesë ndaj palëve të treta.
Gjithashtu duhet të theksoj se gjatë dy viteve të fundit vetëm në emër të borxheve nëpërmjet përmbaruesit kemi paguar rreth 100 000 euro, duhet shtuar se kemi paguar kontributet e punonjësve mbi 40 000 euro, shpenzime që janë të trashëguara nga vitet e mëparshme dhe jo nga keqmenaxhimi (për sqarim: shuma e përafërt e cekur më lart, po të paguhej për pagat mujore të punëtorëve, sot nuk do të flisnim për keqmenaxhim, por për mirëmenaxhim sepse kishim shlyer përafërsisht rreth 23 paga mujore neto për punëtorët e rregullt. Të gjitha këto janë lehtësisht të verifikueshme dhe çdo qytetar mund t’i verifikojë).
Gjithashtu duhet të theksoj se buxheti i planifikuar nga ana e Komunës së Ulqinit për këtë ndërmarrje që disa vite është realizuar me një mesatare nën 50%, gjë që ka reflektuar në rritjen e obligimeve.
Përkundër të gjitha këtyre obligimeve dhe këtij realizimi, hartuesit e buxhetit nuk e kanë parë të arsyeshme që të parashohin mjete më tepër edhe pse kemi kërkuar disa herë, në mënyrë që të zbutej sadopak situata e vështirë financiare në këtë ndërmarrje.
Vendime politike që janë ndërmarrë nuk kanë qenë në favor të daljes nga situata e krijuar, por ndodh paradoksi tjetër që kjo ndërmarrje për shkak të vendimeve politike ngarkohet edhe me një zëvendës drejtor tjetër, çka mendoj se nuk don ndonjë koment të veçantë, siç nuk don koment dhe bllokimi i llogarisë bankare nga ana e anëtarëve të Këshillit Drejtues aktual, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit.
Duke pasur parasysh problemet e krijuara me vite të tëra del se nga disa debatues në këtë Kuvend fajtor për të gjitha këto na qenka drejtori aktual (gjer tani i pafejuar) i kësaj ndërmarrjeje. Duke mos qenë i kompleksuar nga debatuesit dhe ata që janë marrë personalisht me mua, por gjithashtu duke mos e ndier veten pengesë që kjo shoqëri të jetë pjesë e integrimeve evropiane, këto sqarime i dhashë për shkak të ndriçimit të së vërtetës dhe për hir të opinionit të gjerë, duke shpresuar në vlerësimin Tuaj të drejtë.
*drejtor i Ndërmarrjes Publike për Kultivimin e Egërsirave “Ulqini”