Qeveria e Kosovës ka vendosur të mërkurën që taksa doganore për produktet e Serbisë nga 10% të shkojë në 100%, duke i dhënë një goditje “bombastike” transportit të mallrave mes dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se vendimi për vendosjen e masës 100% për produktet serbe hynë në fuqi në menjëherë.
“Nga sot masë 100% ndaj Serbisë! Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Poashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë poashtu menjëherë”, shkruan Haradinaj.
Taksa doganore 100 për qind do të vendoset edhe për të gjitha importet me prejardhje nga Bosnje Hercegovina, ndërsa përjashtim do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende. /Top Channel/