Nga Qani  Osmani

 

“Tallava” politika, që janë duke bërë partitë politike shqiptare, është veprimtaria më e parapëlqyer në shoqërinë shqiptare e veçmas në Mal të Zi. Kjo ndodh mbase , tek ne që moti nuk vlersohen vlerat  intelektuale, morale, kombëtare dhe përgatitja shkollore, por libreza partiake që individi ka në xhep, e cila librezë ia mundëson të mos jetë e rëndësishme çka ke në kokë, por cilës parti i përket dhe cilën emblemë partiake e ke si shenjë njohëse! Pra, kjo ndodh mbase politika edhe të pavlerin, nga “askushi” e bënë të jetë “dikushi” dhe nga anonimi, të ngre në rrafshin e të famshmit të mëhallës, fshatit, qytetit etj.

S’ka dyshim se “tallava” politika që e praktikojnë partitë shqiptare, ka edhe një të mirë shumë të randësishme: nga njeri batakxhi dhe barkëthatë, të shëndron në politikan të llojit të vet, ngutshëm të shndërron në më të pasurin e fisit dhe mëhallës. Pra, atyre të cilëve dikur iu kërcisnin zorrët e uritura, nuk e kanë më problem si të ngopen me një byrek, por preokupim të vetëm ta kenë si t’u takojë një copë sa më e madhe e kulaçit të pushtetit.

Andaj, duke jetuar në një shoqëri ku veprimtaria më e preferuar e më fitimprurëse mbetet ajo që të siguronë famë dhe pasuri të shpejtë, nuk është e rastit që të parapëlqyerit e partive politike shqiptare janë “trutrashërit, servilët, dhe sahanlëpirësit”  të cilët posa bëhen të fortë e të famshëm, gjënë e parë që duan ta bëjnë, është të përbuzin, nënçmojnë, por pse jo edhe të vrasin  shokët dhe popullin që i kanë ndihmuar të bëhen politikan si dhe, ta marrin në duar, e të mos ndajnë me askend, partinë e cila i ka lindur. Këto politikan partitë politike i kanë shndruar në kompani private dhe grupe interesi në emër të demokracisë dhe patriotizmit. Këto oligark partiak mendojnë se partia është vetëm e tyre dhe bazën e kanë në teorinë Staliniste “Ke pushtet, ke gjithçka”.

Shpjegimi i këtij fenomeni nuk është i komplikuar kur dihet fakti se partitë politke shqiptare kryesishtë janë shndrruar në srehimore të individëve të pasukseshëm në profesionet e tyre, kuptohet me ndonjë përjashtim të vogël. Këto parti politike kanë marrë trajtën e strehimores të njerëzve që ngutazi i kompenzojnë të gjitha humbjet jetësore dhe ku nga “askushi” mund të bëhen “dikushi”. Andaj, jo rastësisht partitë politike shqiptare në Mal të Zi, janë shndruar në shtabe, që pjellin patriota të rrejshëm. Këtë fenomen e dëshmon edhe vet fakti se si po bëhen ashtu edhe zhbëhen.

Sidoqoftë, patriotët tonë politik, politikën e konsiderojnë si veprimtari më të lehtë, me të ciilën mund të merret cilido individ. Shembull konkret për këtë janë parti të panumërta të ndara në pjesën “me vulë” dhe atë “pa vulë”. Gjë që popullit ia pasqyron të vërtetën se drejtuesit e tyre partiak, së bashku me vulën e partisë në xhep, në ballë e kanë të vulosur edhe njollën e paturpësisë, që u takon atyre që harrojnë se pa votën e mbështetësve partiak, vështirë se dikush do e dinte se edhe ata jetojnë në mjediset tona.

Prandaj, lehtësia me të cilën themelohen partitë politike shqiptare, si dhe lehtësia me të cilin lindin dhe zhbëhen “heronjtë” tanë politikë dhe liderët partiak, shpallos të vërtetën se politikën e konsiderojnë si veprimtari me të lehtë. Në të njejtën kohë, kjo shpjegon edhe faktin se edhe ne votuesit jemi të papërgjegjshëm ndaj vetvetes dhe i mbështesim edhe ata politikanë të cilët mendojnë se nuk ka gjë më të lehtë sesa të merresh me fatin e popullit tënd. Politikanë të cilët na sollën në situatën në të cilën ndodhemi: që shumë nga këto parti iu afrohet fundi i turpshëm dhe do të përfundojnë si lehona që i lindin “kopilët” e vet, ata të cilët kur ditën kur partia nuk do ua përmbush ambiciet e tyre individuale, janë në gjendje ta shkatrrojnë atë.

Pra, kështu do të jetë , përderisa politika shqiptare do të udhëhiqet me patriotë të rrejshëm, pse jo, edhe për derisa kultura politike dhe mentaliteti i votuesve të papërgjegjshëm gjenë vend në vetveten e tyre! Po pra, politika dhe “tallava” muzika shqiptare janë veprimtari që me shpejtësi të bëjnë të pasur e të famshëm. Dhe përderisa tallava këngëtarët nuk dëmtojnë askend, por ua shtojnë disponimin dëgjuesve të vet, “tallava” politikanët e marrin në qafë popullin dhe votuesit. Ata madje i shkatërrojnë edhe partitë që i kanë themeluar, vetëm pse ato më nuk mund t’ua realizojnë ambicijet karrieriste dhe interesat personale. Me çka shihet qartë pse partitë shqiptare themelohen lehtë, por edhe lehtë copëtohen e shkatërohen: Sepse themeluesit dhe oligarkia e tyre partiake nuk kanë për qëllim realizimin e asaj që ua premtojnë votuesve, por atë që ua thotë xhepi dhe atë që ua thotë  patroni e tyre malezias, si dhe atë që ua kanë premtuar grave dhe dashnoreve të tyre!

 

 

 

 

 

 

 

 

By admini