Me mbrëmjen homazh për poetin, studiuesin dhe profesorin e ndjerë Basri Çapriqi, sonte në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit fillon edicioni i 26-të i manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, i cili organizohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”

Për jetën dhe krijimtarinë e tij në këtë mbrëmje do të flasin akademikët Ali Aliu dhe Mehmet Kraja, shkrimtari Sadik Bejko dhe studiuesi i letërsisë Haxhi Shabani, ndërsa vargje nga krijimtaria e poetit do të lexojë aktori i Teatrit “Migjeni”, Simon Shkreli. Po ashtu disa nga kolegët dhe miqtë e tij do të evokojnë kujtime.

 

Ndërkaq, dy netët tjera do të organizohen mbrëmje autoriale me shkrimtarët e ftuar  – poeten dhe skenaristen Natsha Lako nga Shqipëria dhe poetin Salajdin Salihu nga Tetova (Maqedoni).

 

Tash një çerek shekulli “Kalimera Poetike” tubon emrat më të njohur të letërsisë shqipe dhe letërsive të vendeve të tjera nga rajoni dhe bota. Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, por edhe ballkanike dhe të huaj, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe turistët.

 

“Kalimera Poetike” nisi në vitin 1993 si tavernë poetike, me qëllimin për t’i bashkuar shkrimtarët që gjatë verës gjendeshin në Ulqin. Gjatë viteve ajo e ka ndryshuar konceptin dhe profilin e saj, me synimin jo për ta masovizuar, por duke përzgjedhur ajkën e letërsisë shqipe dhe të vendeve të rajonit. Në këtë mënyrë, me shkrimtarët, studiuesit dhe piktorët e ftuar, “Kalimera Poetike” ka arritur të ruajë jo vetëm traditën, por edhe cilësinë, duke qenë një manifestim elitar. Me traditën e saj prej një çerek shekulli, “Kalimera Poetike” është shndërruar tashmë në një institucion të rëndësishëm kulturor me përmasa rajonale.

By admini