Asociacioni i Mediave të Evropës Juglindore, përmes një reagimi për media i ka bërë thirrje Milo Gjukanoviqit, që të përmbahet me deklarata ndaj mediave.
Reagimi vjen pasi Gjukanoviq, sipas këtij njoftimi nga AMEJL, e kishte cilësuar të përditshmen “Vijesti” si “fashiste” dhe “zhvatëse”.
“E ftojmë Gjukanoviqin që urgjentisht ta ndërpresë retorikën ndezëse dhe ftesat e hapura për linçimin e mediumeve të pavarura, të lira dhe profesionale, ngase në të kundërtën do të jetë personalisht përgjegjës për çfarëdo sulmi potencial të të punësuarve në ‘Vijesti’ apo ndaj pronës së këtij mediumi”, thuhet ndër të tjera në reagimin e nënshkruar nga drejtori ekzekutiv, Vuk Marash, në emër të Asociacionit të Mediave të Evropës Juglindore.
Gjukanoviq, mbrëmë e ka quajtur “Vjestin” “fashiste dhe zhvatëse” pas një serie shkrimesh së gazetës, “që kishin të bënin me hidrocentrale që i menaxhon djali i Gjukanoviqit, e prej nga e shet rrymën me çmim mbi atë të tregut”.
Më poshtë është i plotë reagimi nga AMEJL:
Ftesë Gjuklanoviqit që urgjentisht ta ndalë vizatimin e metave mbi mediumet profesionale dhe të lira.
Milo Gjukanoviq, kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Malin e Zi dhe për afro tre dhjetëvjetësha shef i regjimit malazias, dje vazhdoi me praktikën e rrezikshme të vizatimit të metave mbi mediumet e gazetarët e lirë dhe të pavarur.
Personi që pretendon të shndërrohet në kryetarin e shtetit që e synon anëtarësimin në BE, e që është anëtar i NATO-s, assesi nuk do të duhej t’ia lejonte vetes që t’i cilësonte mediumet e lira dhe të pavarura si “fashiste” dhe “zhvatëse”, vetëm për shkak se nuk e pëlqen politikën e tyre redaktuese, e as faktin se këto mediume merren dita më ditë me zbulimin e rasteve të korrupsionit të lidhura për njerëzit e qarqeve të tij.
Me këso cilësimi të “Vijestit”, një mediumi të pavarur, që është anëtar i AMEJL-it, Gjukanoviqi sërish, për kush e di të satën herë, ua vizatoi gazetarëve, redaktorëve dhe të gjithë të punësuarve aty, metën në ballë dhe de facto bëri ftesë për linçimin e tyre.
Do t’ia rikujtojmë Gjukanoviqit se kjo retorikë dhe retorika të ngjashme tijat në të kaluarën janë përcjellë nga madje 25 sulme mbi të punësuarit e “Vijestit” dhe pronës së këtij mediumi, përfshirë rrahje, kërcënime, sulme me bomba dhe kallje veturash, e që vetëm një rast i vetëm të jetë zbuluar deri më tani, dhe ky pjesërisht.
Prandaj, e ftojmë Gjukanoviqin që urgjentisht ta ndërpresë retorikën ndezëse dhe ftesat e hapura për linçimin e mediumeve të pavarura, të lira dhe profesionale, ngase në të kundërtën do të jetë personalisht përgjegjës për çfarëdo sulmi potencial të të punësuarve në “Vijesti” apo ndaj pronës së këtij mediumi.
Vuk Marash, drejtor ekzekutiv
Asociacioni i Mediave të Evropës Juglindore