Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë në Kampionatin e Malit të Zi për Seniorë

NËNKAMPONË TË MALIT TË ZI U SHPALLËN ANTIGONA RAMA DHE ADNAN  KUQI, SI DHE DY EKIPET E SENIORËVE – SENIORET NË LUFTËRA DHE SENIORËT NË KATA

Më 24.02. 2018 në Podgoricë u mbajt Kampionati i Malit të Zi për Seniorë/e, ku Klubi i karatesë “Ulqini”u rendit i katërti në renditjen e përgjithshme. Në këtë Kampionat ai mori pjesë me 7 garues, të cilët arritën të kurotëzohen me 6 medalje: 4 të argjendta dhe 2 të bronzta.

Nënkampionë të Malit të Zi në luftëra individuale për seniorë/e u shpallën Antigona Rama +68 kg dhe Adnan Kuqi +84 kg, ndërsa në displinën ekipore ekipi i djemve në kata, në përbërje Allmir Hajdari, Marko Daboviq dhe Elvir Islami dhe ekipi i vajzave në luftëra, në përbërje Seida Suma dhe Antigona Rama. Ky ekip ishte pak i dobësuar në përbërje, sepse garuesja e tretë Hantije Ibroçi,  nuk mundi të marrë pjesë në këtë garë për shkaqe objektive, por prapseprap u arrit të ruhet primati i kësaj ekipe, e cila tash disa vite me radhë gjendet ndër ekipet më të mira të senioreve në luftëra, si në vend ashtu edhe në rajon. Në Kampionatin e Malit të Zi vajzat tona në finale luftuan kundër ekipit të KK “Omlladinac” nga Podgorica, i cili është ndër ekipet më të mira në Evropë. Ekipi i vajzave tona tregoi një punë të shkëlqyer kundër ekipit të tyre, mesohet nga Shërbimi Informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”.

Në luftëra individuale me medalje të bronztë u kurorëzua Seida Suma -68 kg, si edhe ekipi i seniorëve në luftëra në përbërje Edin Kraja, Allmir Hajdari, Marko Daboviq dhe Adnan Kuqi. Edhe ekipi i seniorëve tash disa vite me radhë gjendet ndër tre më të mirët.

Duhet cekur se garuesi ynë Adnan Kuqi është bartës aktual i medaljes së bronztë ballkanike në luftëra individuale për seniorë të rinjë  U21 +84 kg dhe kampion ballkanik në luftëra ekipore. Adnani tash sa i ka mbushur 18 vjet, me çka fitoi të drejtën të garojë në kategorinë e seniorëve për herë të parë dhe arriti të shpallet nënkampion i Malit të Zi. Në finale Adnani u ndesh me garuesin më cilësor në Mal të Zi dhe më gjerë, bartës të shumë titujve të nivelit evropian e botëror dhe të një përvoje shumëvjeçare në karate, Allmir Cecunjaninin. Adnani u tregua shumë i fuqishëm me një pregaditje shumë të mirë duke u ballafaquar me mjeshtri me këtë garues të nivelit botëror.

-Edhe pse nuk ishim në përbërjen e kompletuar, pasi që na munguan dhe disa garues të tjerë të njohur dhe të fuqishëm, prapseprap mbetëm ndër 4 klubet më të mira të Malit të Zi për seniorë. Jemi të bindur se edhe në Kampionatet në vazhdim për gjenerata të reja do të jemi shumë të suksesshëm, pasi që kemi një armatë shumë të përgatitur të të rinjve, gjithsej 82 garues të gatshëm të paraqiten në arenat vendore dhe ato ndërkombëtare, të cilët do të vazhdojnë të përfaqësojnë me dinjitet e krenari qytetin tonë, emrin e të cilit e mbajmë tash 43 vjet, –  shprehen të kënaqur udhëheqësit e klubit dhe kryetrajneri Kujtim Sukaliqi me trajnerët e tjerë të klubit për rezultatet e arritura.

Mirëpo, edhe pse shumë të kënaqur me rezultatet e arritura të garuesve të tyre, më përkrahje nuk jemi aspak, sepse edhe përkundër asaj që disa herë kemi apeluar për ndihmë financiare,  prapseprap përkrahja është shumë e vogël, kështu që Klubi ynë në garat në vijim do të marrë pjesë sa për të respektuar ftesat e bëra me pak garues.

Për fat të keq, duke mos pasur përkrahje financiare po i pritet perspektiva të rinjve tanë të cilët na kanë përfaqësuar kudo me dinjitet, ne dhe qytetin tonë. Apelojmë për ndihmë te të gjithë qytetarët, komuna e Ulqinit, institucionet shtetërore e private, për hir të rinjve tanë dhe traditës së gjatë katër dekada të klubit tonë, për hir të ardhmërisë sonë.

 

By admini