Nga një protestë e mëhershme e shqiptarëve në Martinaj

Nga Ramiz LUSHAJ

 

KUVENDI I SOTËM I KOSOVËS DUHET T’I VENDOSIN KUSHTE MALIT TË ZI

                Dita e sodit, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës, shtetit ma të ri të botës, po shkon drejt Ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi lidhur me Demarkacionin, përban një “ditë të zezë”, pasi i humbim mbi 80 km 2 tokë etnike shqiptare, për pafuqinë e fajësinë e Kosovës si dhe të Shqipërisë.

                Gjithato herë, tash pesë vite, kam shkrue për këtë cështje që po mbyllet politikisht e juridikisht, por që do të mbesin një plagë e hapur për shqiptarët në Ballkan e në Botë. Sidoqoftë, nuk kemi asnjë fuqi magjike, nuk kemi as firmë e as vulë, për ta ndalë këtë votim të sotëm në Kuvendin e Kosovës, që ndoshta e ban gjithcka akt të kryem, po ende na ka mbetur fjala në gojë e me letër për me shkrue deri në ditën e fundit të jetës ndaj padrejtësive të tilla që do na i ndëshkojnë dhe brezat e sotëm e të nesërmen. Mos të keqkujtojnë askush se na ka shterrë fuqia e zërit dhe e shpirtit me folë për Demarkacionin edhe pas të “Enjtes së Zezë”, po sot due me i ba një Apel Kuvendit të Kosovës, deputeteve e deputetëve të tij, që të mos e kalojnë këtë cështje kaq lehtë, kaq nënshtrueshëm, etj., por t’i vendosin disa kushte shtetit të Malit të Zi, në të mirë të Shqiptarëve që jetojnë nën Malin e Zi, për të mirën e Kombit Shqiptar.

                Sigurisht, nuk e kam ndërmend me gjet fjalë të bukura, as me ba komente të tepërta, etj., po due me i listnue në vargavijë disa cështje që mund të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovës në ditën e sodit, në këtë të “Enjte të Zezë”.

                Disa nga kushtet që Kosova mund t’i vendosin Malit të Zi:

1.- Rruga  ndërkombëtare Plave-Decan.

2.- Pika kufitare e doganore Plavë-Tropojë (Vranicë-Cerem) sipas Marrëveshjes zyrtare të kryeministrave Berisha-Gjukanoviq e akteve të tjera të mavonshme.

3.- Ligji për Të Mirat Detare.

4.- Problemet e Kripores së Ulqinit.

5.- Hapjen de-facto të pikës kufitare Cemi i Trieshit-Grabom, që e lidh Kosovën e shqiptarët e Plavë-Gucisë, etj. me kryeqytetin e Malit të Zi.

6. Zgjidhjen e problematikave lidhur me përdorimin e Simboleve Kombëtare Shqiptare në Malin e Zi si Flamuri Kombëtar Shqiptar, Gjuha Shqipe, etj.

7.- Cështje të arsimit shqip në shkollat e Malit të Zi si librat shqip, keqinterpretimet historike për cështje kombëtare shqiptare, etj.

8.- Zgjidhja përfundimtare e disa problematikave ende të hapura të komunës urbane të Tuzit në Podgoricë.

9.- Problematikat e krijuara nga Kisha Malazeze e Kisha Serbe në territoret etnike shqiptare.

10.- Zgjidhja e problematikave nga Parku Kombëtar i Paqes që cënojnë të drejtat e shqiptarëve etnikë në Plavë, në Guci, etj.

11.- Caktimi i një nënkryetari shqiptar në komunën e Gucisë me mbi 40 përqind shqiptarë etnikë.
12.- Heqja e Deponisë helmuese në Martinaj të Gucisë, e cila po e përkeqëson gjendjen në krejt krahinën dhe do të ndikojnë në shpërngulje të shqiptarëve etnikë nga trojet e veta.
13.- Mosndërtimi i minihidrocentraleve në krahinën e Plavë-Gucisë, si në Hot, etj.
14.- Kthimi i bjeshkëve të Martinajve (komuna Guci) që ua ka marrë para dy dekadave komuna e Andrejavicës në Malin e Zi.

                Këto e çështje të tjera kanë dalë si problematika e mbeten të hapura prej vitesh, çka po ndikojnë në jetën e ardhmërinë e shqiptarëve trojenik nën Malin e Zi, po krijojnë probleme të zhvillimit ekonomik e kulturor në trevat etnike shqiptare në Ulqin e Tuz, në Tivar e Plavë, në Rrozhajë e Guci, etj. , duke sjellë  shpërngulje të tyre në dhera të tjera, braktisje të kullave, tokave, pronave, vendit te tyre të shenjtë. Shqiptarët nën Malin e Zi janë në tokën e vet, në shtëpinë e vet, ndaj duhet të ndjehen të tillë, sin ë tokën e vet, sin ë shtëpinë e vet. Ndaj dhe Shteti i Kosovës, edhe Kuvendi i ditës së sotme, duhet t’i ndihmojnë shqiptarët nën Malin e Zi në të drejtat e tyre politike, ekonomike, kulturore, arsimore, etj., siç i ka ndihmue ndër shekuj në luftëra e paqe.

                Kuvendi i Kosovës në ditën e sodit nuk duhet të dorëzohet pa kushte, duhet të ndjehen sado pak shqiptarë të vërtetë deputetet e deputetët e tij, duke caktue disa nga këto kushte ndaj Malit të Zi. Ka ardhë koha të tregoheni ma pak tardhtarë e ma shumë shqiptarë. Ose shtyjeni Kuvendin për një datë e ditë tjetër, ose mos dilni nga Kuvendi i sotëm i Kosovës pa dalë me një Rezolutë a shumçka tjetër që përcakton kushte për Malin e Zi.

Dardani, 22 shkurt 2018

By admini