Shqipëria kërkon të kthejë grykëderdhjen e Lumit Buna në Adriatik, në një zonë të frekuentuar ashtu si në pjesën e Malit të Zi në plazhin Ada të Ulqinit. Ministria e Mjedisit dhe Turizmit në Shqipëri, prezantoi të shtunën në Velipojë, projektin “Mbrojtja e Deltës së Lumit Buna”, financuar nga fondacioni “MAVA” me vlerë 2 milionë euro, i cili parashikon zbatimin e Planit të Menaxhimit të kësaj zone të mbrojtur, shkruan sot Koha Ditore.
Gjatë lansimit të programit të rehabilitimit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga Velipoja deklaroi se projekti do të mundësojë ngritjen e plazheve pranë brigjeve të lumit. Sipas ministrit, oferta e përbashkët turistike me Kosovën do bëjë të mundur që këto zona të ofrohen si destinacione turistike për turistët.
“Oferta e përbashkët turistike me Kosovën, por edhe bashkërendim i ofertës turistike me vendet e tjera fqinje do ta bëjë shumë shpejt zonën e Velipojës një nga perlat e turizmit shqiptar. Është e nevojshme që në këto zona të shtojmë hotelet me 4 dhe 5 yje, zhvillimin e agroturizmit në zonën e Velipojës, gjë që në vitin 2018 do të dyfishojë vizitorët në këtë zonë.
Qeveria shqiptare po vazhdon investimet jo vetëm për zhvillimin e politikave të turizmit por dhe përmirësimin e infrastrukturës në këto zona”, ka thënë ministri Blendi Klosi.