Procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale në Tuz, si komunë në kuadër të kryeqytetit, tashmë ka përfunduar, pasi dje u mbajtën zgjedhjet lokale për përbërjen e re të parlamentit vendor. Edhe pse ende nuk janë kumtuar rezultatet zyrtare nga komisioni zgjedhor i kryeqytetit, duke u bazuar në rezultatet preliminare nga shtabet të listave pjesëmarrëse në zgjedhje, numrin më të madh të votave e ka fituar PDS, e cila në parlamentin vendor do të jetë e përfaqësuar me 15 këshilltar. ASH, ka fituar 7 mandate, kurse LDSH dhe Partia Boshnjake, kanë fituar nga 3 mandate. UDSH, ka fituar dy mandate, kurse Socialdemokratët dhe Mali i Zi Demokratik, kanë fituar nga një mandat. Të rikujtojmë se PSP dhe PSD, nuk arritën të fitojnë cenzusin i cili do tu mundësonte hyrjen në parlamentin vendor. Në bazë të këtyre rezultateve, asnjëra nga strukturat pjesëmarrëse në zgjedhje, nuk arritën të fitojnë shumicën absolute për të formuar pushtetin, pasi nga këto zgjedhje, parlamenti vendor, numëron 32 mandate.

Në këtë moment, PDS, si fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve, do të duhej të formoj koalicionin paszgjedhor për të formuar pushtetin e ardhshëm në komunën e Tuzit. Edhe pse mundësitë janë të shumta për formimin e një aleance të tillë paszgjedhore, mbetet të shihet se cili do të jetë kombinimi i tillë për formimin e shumicës parlamentare. Analistët vlerësojnë se si mundësi reale mund të jetë formimi i koalicionit në nivel lokal i ngjashëm me atë në nivelin shtetëror, por sidoqoftë, opinioni është në pritje të bisedimeve që do të pasojnë në periudhën paszgjedhore.

Përgatiti, Gj. Dukaj, gazetar i RTMZ

/lajmet, rtcg/

By admini