Në zgjedhjet lokale që do të mbahen kësaj të diele në Tuz do të garojnë edhe tri lista shqiptare, Alternativa shqiptare, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike Shqiptare. Në mediat online dhe nëpër rrjetat sociale kohëve të fundit qytetarët kanë mundur të mësojnë edhe për një marrëveshje në mes këtyre subjekteve për koordinim dhe veprim të përbashkët pas zgjedhjeve dhe e gjitha kjo e mbështetur nga Tirana zyrtare. Por, sipas informacioneve më të fundit, vështirë që do të ketë edhe koalicion paszgjedhor.

Në të gjithë këtë situatë është shumë e habitshme është sjellja e dy subjekteve tjera shqiptare të cilët aktualisht veprojnë në mesin e shqiptarëve në Mal të Zi. Forca e Re Demokratike dhe Partia Demokratike të cilët kanë numër të konsiderueshëm të votave shqiptare n Mal të Zi, përveç që nuk garojnë fare në këto zgjedhje janë tërësisht të heshtura rreth tyre.

Këto subjekte akoma nuk janë deklaruar se si i shohin zgjedhjet për Kuvendin e Komunës urbane të Tuzit, si duhet të jetë vota e shqiptarëve atje apo edhe ndonjë përkrahje për ndonjërin nga subjektet politike shqiptare nga ana e tyre.

Në nivelin qendror në kuadër të Koalicionit ”Shqiptarët të vendosur” bëjnë pjesë Forca, ASh dhe UDSH por që në nivelin lokal tashmë është e qartë se dy partneret e Forcës garojnë të ndara. Nga ana tjetër Partia Demokratike në zgjedhjet qendrore ka qenë në koalicion me Iniciativën Qytetare e cila tani vepron në kuadër të Alternativës Shqiptare.

Si Forca ashtu edhe PD, me mospjesmarrje në këto zgjedhje por edhe mos orientim të qytetarëve të Komunës së Tuzit për votën e tyre, në njëfarë mënyre i ”bojkotojnë” ata.

Zgjedhjet lokale për Kuvendin e Komunës urbane të Tuzit do të mbahen me 26 nëntor të këtij viti.

 

By admini