Unioni demokratik i shqiptarëve nuk do ta respektojë marrëveshjen për veprim të përbashkët të partive shqiptare (ASH dhe LDSH) pas zgjedhjeve lokale në Tuz. Siç shkruan cdm, ai subject pas zgjedhjeve do të jetë i hapur për biseda me DPS-in por edhe me partitë tjera.
Zyrtari i UDSH-së Fadil Kajoshaj për cdm ka deklaruar se kanë marrë këtë vendim pasi, siç thotë ai, janë mashtruar nga Alternative shqiptare e cila në zgjedhje do të dal e vetme edhe pse çdo gjë ka qenë e dakorduar që ata të dalin së bashku me UDSH-në.
Ai shton se ka qenë i caktuar edhe bartësi i listës i cili do ti takonte Alternativës shqiptare.
Nga ana tjetër, çdo gjë demanton zyrtari i Alternativës shqiptare Nik Gjeloshaj. Ai për të përditshmen Vijesti deklaron se Kajoshaj demanton veteveten dhe se përgjigja më e mirë është intervista e tij e datës 30 tetor 2017.
Ai shton se në mbledhjen e ASH është vendosur që të dyja partitë të dalin të pavarura në zgjedhje pasi është në interes të të dyja partive. Gjeloshaj shton se ASH e ka prit UDSH për rreth dy muaj por që ata, sipas tij, ”janë lutur DPS-it që të shkojnë në koalicion me ta”.
Në Komunën urbane të Tuzit të drejtë vote kanë 11 599 votues, kurse zgjedhjet do të mbahen kësaj të diele.