Presidenti Meta pritet nga Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, në kuadrin ne vizitës zyrtare në Maqedoni

 

20 nëntor 2017

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u prit sot nga homologu i tij, Presidenti Gjorge Ivanov. Pas interpretimit të himneve të të dy shteteve dhe nderimeve ushtarake të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet e zgjeruara mes dy delegacioneve.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e ngushta historike e kulturore dhe theksoi se ato janë ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

“E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimin i ngushtë në nivel dypalësh dhe atë rajonal – u shpreh Presidenti Meta.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi frymën dhe vizionin e përbashkët euroatlantik që i karakterizon ato dhe duke përshëndetur zhvillimet dhe angazhimet e marra nga Qeveria e re e Maqedonisë, për përmirësimin e klimës dhe harmonisë ndëretnike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, vlerësoi hapat konkrete në drejtim të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Presidenti Meta i konsideroi shqiptarët në Maqedoni, një faktor të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të orientuar qartë drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa pakicën kombëtare maqedonase në Shqipëri, si urë lidhëse të fuqishme miqësie. Presidenti Meta shprehu besimin se ligji i ri për pakicat kombëtare në Shqipëri do të krijojë hapësirën e duhur për ruajtjen e identitetit të saj sipas standardeve më të mira evropiane.

Duke perifrazuar Nënë Terezën e cila i bashkon të dy vendet, Presidenti Meta theksoi se shprehja e saj: “nëse i gjykojmë njerëzit pa fund nuk mbetet më kohë për t’i dashur ata”; i shërben si njerëzve ashtu edhe fqinjëve.

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu besimin se, mbledhja e ardhshme e dy Qeverive në Pogradec, do t’i japë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në planin politik por edhe në atë ekonomik dhe do të evidentojë projektet e përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit.

“Ballkani, i cili ka prodhuar shumë histori e retorikë konfliktuale në të shkuarën, sot ka më shumë nevojë për bashkëpunim konkret dhe jo retorikë bashkëpunuese”, – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta e siguroi edhe njëherë Presidentin Ivanov për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe rëndësinë që ka për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.

 

Presidenti Meta takohet me Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev

 

20 nëntor 2017

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryeministrin e Maqedonisë, zotin Zoran Zaev.

Presidenti Meta e uroi Kryeministrin Zaev për rezultatet pozitive të dy proceseve zgjedhore në Maqedoni, si dhe përshëndeti angazhimet konkrete të Qeverisë së re për përmirësimin e klimës dhe marrëdhënieve ndër-etnike, por edhe të krijimit të një marrëdhënie sa më pozitive me vendet fqinje.

Marrëdhëniet e mira ndër-etnike në Maqedoni janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit, u shpreh Presidenti Meta.

Edhe në takimin me Kryeministrin Zaev, Presidenti Meta theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë janë ekzistenciale dhe vendimtare për të ardhmen euroatlantike të të dy vendeve.

Së bashku mund t’i rezistojmë e të përballojmë me sukses të gjitha sfidat e globalizmit me të cilat përballet rajoni ynë – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu besimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE gjatë vitit 2018, si dhe e siguroi Kryeministrin Zaev mbi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.

Presidenti Meta dhe Kryeministri Zaev ndanë të njëjtin mendim lidhur me domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar, si dhe përmirësimin e lidhjeve energjetike dhe infrastrukturore, ku padyshim zbatimi i projekteve të përbashkëta në kuadrin e Korridorit 8 është shumë i rëndësishëm.

Në këtë kuadër Presidenti Meta theksoi se me investime jo të jashtëzakonshme mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme.

Ata shprehën besimin se në takimin e ardhshëm mes dy Qeverive, në Pogradec, do adresohen të gjitha këto çështje që lidhen me nxitjen dhe zhvillimin e gjithëanshëm mes dy vendeve.

Presidenti Meta takohet me Kryetarin e Asamblesë së Maqedonisë, Talat Xhaferi

 

20 nëntor 2017

 

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u takua sot edhe me Kryetarin e Asamblesë, zotin Talat Xhaferi.

Presidenti Meta e uroi edhe njëherë zotin Xhaferi për marrjen e detyrës së Kryetarit të Asamblesë dhe theksoi se ndjehet krenar që për herë të parë një përfaqësues i spikatur i shqiptarëve të Maqedonisë është në krye të Parlamentit, si dhe nënvizoi se kjo është edhe një përgjegjësi e madhe.

Presidenti Meta inkurajoi Kryeparlamentarin Xhaferi për të qenë më kontribuues për bashkëjetesën politike dhe ndër-etnike në Maqedoni.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se faktori shqiptar në Maqedoni është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe i orientuar qartë nga BE dhe NATO.

Në këtë kuadër, Presidenti Meta shprehu besimin se shumë shpejt Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë edhe ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi momentin e rëndësishëm, ku ndodhet Maqedonia dhe rishprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.

By admini