Nga Vasel Berishaj*

Qytetarë të nderuar,
Është e zakonshme që në vlugun e fushatave parazgjedhore, sidomos në ambiente ku tradita politike është modeste siç është rasti ynë, kryesisht për shkak të frikës nga rivalet, subjekte të caktuara politike të mos respektojnë rregullat korrekte të “lojës”.

Në këtë mënyrë, në vend që të angazhohen për shpalosjen e programeve të veta dhe alternativave për zgjidhjen e problemeve të shumta që i rëndojnë qytetarët, e me këtë të ofrojnë moduse të realizueshme të bashkëpunimit në baza programore-pas zgjedhjeve, mangësitë e veta të potencialit për veprim politik kërkojnë që t’i kompensojnë në reagime animoze, trillime, shpifje dhe denigrime të partive simotra. Kjo energjie e shpenzuar kot nuk shkon në favor të atyre që e praktikojnë metodën e denigrimit të rivaleve politikë, duke besuar se nga kjo përfitojnë. Përkundrazi, konsiderojmë se e tëra shkon në “mullirin” e atyre subjekteve politike që hyjnë në garë – jo për të përfituar Malësia dhe banorët e saj, por për të siguruar dominimin e atyre stukturave që Malësinë e shfrytëzojnë për margjinalizimin dhe tjetërsimin e banorëve të saj që vërtet e duan.

Përvoja jonë me funksionimin e komunës urbane është dëshmia më e mirë se cilat janë objektivat e një projekti politik të quajtur komunë urbane, apo – neser – komunë e pavarur. E manaxhuar nga logjika politike e atyre që vazhdojnë të ruajnë dhe thellojnë paragjykime ndaj gjithë atyre që flasin,mësojnë dhe përpiqën që të ruajnë dhe avansojnë veçoritë etnokulturore shqiptare, vështirë se do të përfitojë ndonjë subjekt politik me këto premisa.

Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme, sfiduese dhe joshëse për të përfituar sa më shumë nga besimi i elektoratit. Ato, të gjithë i përjetojmë si barometer të kuptimit të ruatjes së kontinuitetit në skenën politike, ose për ndonjë korrigjim apo reformim programor. Mirëpo, duhet nënvizuar se zgjedhjet e këtij viti në Malësi dhe për Malësinë janë teper të veçanta. Forcat politike që garojnë për të merituar dhe arsyetuar votën e malësorëve, që japin premtime të mëdha për të kënaqur pritshmëritë e tyre duke shpalosur programe partiake që janë në harmoni me interesat e vëndit dhe banorëve të Malësisë, duhet t’i kthehen vetvetes, specifikave të veta programore, mekanizmave të jetësimit të tyre, respektimit të ndërsjellë të garuesëve të tjerë dhe vullnetit të bashkëpunimit korrekt për të siguruar dominimin politik.

Lidhja Demokratike Shqiptare (LDSH), është parti e re formalisht në moshë por jo pa traditë. Ne jemi si vëllai që pas krahishtimit të familjes, në frymën e traditës së Malësisë, e trashëgon votrën. Pra, jo vetem votrën si metaforë simbolike të lashtësisë, por votrën si sinonim të vendit ku sumblimohen të gjitha vlerat e traditës. Ne e marrim përsipër dhe na bën nder që tradita 30-vjeçare ka shtresuar edhe përvoja, edhe sfida, edhe përpekje të sinqerta për të afirmuar gjithë atë që na bën të veçantë si popull, si gjuhë, si kulturë, si traditë…

Ne politikën nuk e përjetojmë as që na shkon ndermend që të verbohemi nga premtimet për poste, statuse të privilegjuara në struktura udhëheqëse shtetërore, qofshin ato krejt politike apo byrokratike. Ne, edhe ata dhe të tjerët siç është puna e tyre i kuptojmë, por nuk i arsyetojmë nëse bëhen për përfitime përsonale dhe në kurrizin e votuesve. Orientimet tona programore nuk na lëjojnë që të hyjmë në pazare ku përfitojnë individë, ndërsa votuesit mbesin të zhgënjyer.

Votues të nderuar, ne duam të rritemi me përkrahjen dhe besimin tuaj. Ne kërkojmë të na besoni se vizioni ynë i avansimit të veçorive dhe vlerave kombëtare, është rruga më e drejtë. Ne, me ndihmën tuaj do të rritemi, mirëpo, rritën tonë duhet ta kuptoni si fuqizim e jo si tjëtërsim nga simbolika e të qenit TRASHËGIMTAR nën çatinë e shtëpisë ku u ushqye tradita, kultura dhe vlera.

Të nderuar votues të Malësisë, me numrin 2 fillon procesi i ndryshimeve, prandaj votoni me GUXIM për Malësinë që e duam.

*Autori i tekstit është pjesë e Lidhjes Demokratike Shqiptare për zgjedhjet lokale në Tuz

Shënim: Pikëpamjet në tekste të tilla të fushatës elektorale nuk paraqesin preferencat politike të faqes Ulqini Online. Publikohen si ndihmesë për subjektet politike shqiptare. 

By admini