Kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Forcës Ardijan Mavriqi ka dalur sot me një kumtesë për media ku akuzon hapur votimin e kohë më parë të këshilltarëve të koalicionit rreth ish kryetarit Gjeka dhe atyre të Partisë Demokratike të Socialistëve propozimin me të cilin sugjerohet “fshirja” e inventarit të zhdukur me vlerë prej 31.125 euro.

Kumtesen e plotë të kryetarit i Klubit të Këshilltarëve të Forcës Ardijan Mavriqi mund ta lexoni të plotë më poshtë.

 

Kumtesë për media

Ulqin, 31.10.2017

Abuzimi i Kuvendit lokal për qëllime korruptive

Me qëllim të informimit të opinionit publik në Mal të Zi, veçanërisht votuesve të Forcës së Re Demokratike, si kryetar i Klubit të këshilltarëve të kësaj partie në Kuvendin e Ulqinit, ndjej nevojën që të sqaroj  ngjarjet e fundit që  kanë ndodhur gjatë seancë së fundit të Kuvendit Komunal.  Këto ngjarje, të cilat janë të paimagjinueshme në parlamentarizmin modern,  ishin një përpjekje që keqpërdorimet me elemente korruptive të paraqiten si rrjedha normale juridike të Kuvendit, duke shkelur në këtë mënyrë të gjitha parimet mbi të cilat bazohet ekzistenca e këtij institucioni.

Ky poshtërim i Kuvendit ndodhi kur këshilltarët e Partisë Demokratike, që udhëhiqet nga ish-kryetari i Komunës Fatmir Gjeka, i dorëzojnë Shërbimit të Kuvendit dhe gjithë këshilltarëve, propozimin me të cilin sugjerohet “fshirja” e inventarit të zhdukur me vlerë prej 31.125 euro, dhe në këtë mënyrë me votën e këshilltarëve të anullohen mungesat e vërtetuara. Çka është më e keqja, ky propozim votohet me shumicën e votave të këshilltarëve të koalicionit rreth ish kryetari Gjeka dhe atyre të Partisë Demokratike të Socialistëve. A ekziston ndonjë non sense më i madh se keqpërdorimet dhe korrupsioni i ish kryetarit Gjeka të miratohen nga Kuvendi Komunal?

  1. Gjeka dhe disa media të financuara nga paratë e qytetarëve të Ulqinit, janë duke u përpjekur ta zvogëlojnë rëndësinë e zhvillimeve të fundit në parlamentin lokal duke u përpjekur ta tërheqin vëmendjen dhe të merren me Forcën. Këshilltarët e Forcës, të cilët njëzëri votuan kundër këtij vendimi të paligjshëm, ishin shembull për të tjerët dhe treguan se nuk do të lejojnë që Kuvendi të kthehet në mekanizëm për fshehjen e keqpërdorimeve.

Miratimi i këtij propozimi ishte me shumë rëndësi për Gjekën  dhe bashkëpuntorët e tij, pasi me këtë do të mbulonin keqpërdorimet e kryera, por në fund doli që me këtë propozim vërtetuan vetë mungesën e këtij inventari. Ata shkuan aq larg sa bënë një presion të jashtëzakonshëm mbi këshilltarët që ky propozim i paligjshëm të votohej. Ky presion u bë edhe ndaj këshilltarëve të opozitës , në mënyrë që ato të mos merrnin pjesë në mbledhje dhe të mos ishin dëshmitar të debatit, çka edhe ndodhi, pasi përveç disa përjashtimeve ato nuk u paraqiten.

Që qëndrimi ynë ishte i drejtë e tregon edhe veprimi i Shërbimit të Kuvendit, i cili  pas votimit e tërhoqi këtë propozim si një akt të paligjshëm që nuk është përgjegjësi e Kuvendit. Me këtë  klubi  këshilltarëve të Forcës, së bashku me partnerë të tjerë të koalicionit, disa edhe nga radhët e koalicionit të Gjekës, treguan se në parlamentin lokal nuk ka përkrahje për miratimin e akteve të paligjshëm.

Për ata që marrin guximin të shpifin se gjoja Forca qenka në panik dhe se atë ditë në Kuvendin  lokal u rrëzua, unë vetëm dua tu përcjell se atë ditë Forca mbrojti integritetin e Kuvendit Komunal  dhe dërgoi mesazhin se për mjetet e munguara nuk duhet të vendos Kuvendi por Prokuroria. Jam i sigurt se do të përpiqen të hedhin dyshime për pretendimet tona, prandaj ftoj të gjitha institucionet relevante që të shikojnë me kujdes  regjistrimin e seancave të parlamentit lokal dhe të binden direkt  se çka këshilltarët e tyre propozojnë që të “fshihet”, dhe ku marrin përgjegjësinë se këto mjete janë zhdukur pa gjurmë dhe se kjo është dukuri normale . Një thënie popullore thotë:  “Kush pranon fajin, gjysma i falet”, prandaj ekziston mundësia që këto këshilltarë kanë hyrë në politikë me këtë parim dhe se kjo për ta është diçka normale, por për ne ky është një abuzim i parave të taksapaguesve.

Ardijan Mavriqi

Kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Forcës

By admini