Proteste-kosoveNjë numër shumë i madh i protestuesve nga e gjithë Kosova janë mbledhur të shtunën në Prishtinë, duke u tubuar në sheshet Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova.

Ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç, i cili i quajti “egërsira” nënat gjakovare që protestonin për familjarët e zhdukur, si dhe kanë kërkuar mbrojtjen e Trepçës.

Gjithashtu, protestuesit kanë akuzuar kryeministrin Isa Mustafa pse nuk po shkarkon ministrin serb, njëkohësisht zv.kryeministër i Kosovës. Në duar ata kanë mbajtur parulla me shkrimet “Jabllanoviç jashtë”, “Mustafa, argat i Serbisë”, “Trepça është e jona”, etj.

Protesta në përgjithësi ka qenë e qetë, por disa prej manifestuesve kanë hedhur sende brenda oborrit të ndërtesës së qeverisë së Kosovës, duke thyer edhe disa xhama të saj.

Driton Çaushi, organizator i protestave në Gjakovë, ka kërkuar nga Mustafa që të shkarkojë Jabllanoviç pasi deklaratat e tij janë të papranueshme.

“Nuk do të tolerojmë shkeljen e dinjitetit tonë dhe ne nuk do të ndalemi. Kjo është koha e fundit që ju duhet ta shkarkoni ministrin Jabllanoviç”, ka thënë ai.

Çaushi është shprehur se jehona e protestave të Gjakovës u përhap në gjithë Kosovën sepse qytetarët dolën në mbrojtje të vlerave të tyre.

Edhe deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në fjalimin e tij ka kërkuar dorëheqjen e Mustafës, duke thënë se, me ligjin që ka sjellë në Kuvend për ndërmarrjen e Trepçës ia jep atë Serbisë.

“Vetëm me popullin në rrugë fitohet Trepça”, ka thënë Kurti. Ai i ka drejtuar një ultimatum shefit të qeverisë për shkarkimin e Jabllanoviç, ndërsa ka paralajmëruar për të martën në orën 12 protestën tjetër.

By admini