Nga Gjekë Gjonaj
Në Ulqin, sikur në të gjitha qytetet bregdetare në Mal të Zi, rastet e ndotjes së mjedisit janë të pafundme. Ndotjen e ambijentit e gjejmë në forma të ndryshme.Kjo situatë sjell pasoja të rënda mjedisore dhe dëmton shëndetin e njerëzve. E, për të pasur një shëndet të mirë, nuk mjafton vetëm kujdesi për veten, por është i nevojshëm një mjedis i pastër e i shëndetshëm.Mjedisi është i rëndësishëm, por shëndeti është kushti themelor për mirëqenien dhe veprimtarinë e njeriut Duke parë rëndësinë e mjedisit, lind nevoja e madhe për mbrojtjen e tij.
Ruajtja dhe kujdesi për mjedisin nuk është vetëm një detyrim shoqëror. Mbi të gjitha është përgjegjësi individuale, pasi shoqëria dhe individi kujdesen për menaxhimin e burimeve natyrore, duke pasur parasysh mosshfrytëzimin e tyre pa kriter, në mënyrë që këto burime të jenë të dobishme jo vetëm për shoqërinë, por edhe për brezat e ardhshëm. Për këtë arsye duhet të jemi , më shumë se sa jemi, të kujdesshëm në veprimet tona dhe të kemi më shumë përgjegjësi shoqërore dhe individuale për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Imazhin e mjedisit në Ulqin as kësaj verë nuk mund ta ndryshojë vetëm ndërmarrja komunale e qytetit, e cila po punon vrullshëm në rregullimin, mirëmbajtjen dhe zbukurimin e hapësirave të gjelbërat në parqet e qytetit, nëse mungon ndihmesa vullnetare e gjithë qytetarëve. Ndryshimi pozitiv do të jetë i vështirë, për të mos thënë i pamundur, pa u vetëdijësuar qytetarët se duhet të japin kontributin e tyre për një mjedis higjenik.
Është për të ardhur keq të shikosh se si në shumë raste, përshtypjet e vizitorëve dhe të gazetarëve për pastërtinë, respektivisht për marrëdhëniet tona me mjedisin, janë përshtypje që na turpërojnë të gjthëve. Kjo duhet të ndryshojë! Mënyra më efikase për ndryshimin e kulturës sonë mizerabël ndaj mjedisit ku jetojmë është nëse veprojmë ashtu siç m veprojmë në shtëpinë tone. Asnjeëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë. Atëherë, pse duhet t’i hedhim ato në mes ose pranë rrugës, në plazhe, e gjetkë, e jo aty ku e kanë vendin. Ashtu siç secili prej nesh pastron shtëpinë e vet, ashtu edhe Ulqini i bukur duhet të funksionojë si një familje, që e pastron shtëpinë përpara se të hyjmë[ në një stinë tëre.
Nëse e duam Ulqinin, natyrën e tij të mrekullueshme, plazhet e tij magjike të ndihmojmë të gjithë ta mbajmë më të pastër. Të jemi të kujdessshëm me mënyrën se si i trajtojmë mbetjet tona. Të ngrisim përgjegjësinë dhe sensibilizimin për parandalimin dhe zvogëlimin e ndotjeve, për përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes mjedisore dhe për rëndësinë e vlerësimit të ndotjes së mjedisit dhe ndikimit të saj në shëndetin tonë. Të ndryshojmë mentalitetin e deritashëm . Të aktivizohemi dhe të mos mendojmë se vetëm institucionet dhe shoqatat duhet t’i kushtojnë kujdes mbrojtjes së mjedisit.