Nga Frank Shkreli*
Ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës. Nja shtatë javë pasi Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e dytë Botërore, për herë të parë, më 1 shkurt, 1942 u transmetua një program prej 15-minutash nga një studio e vogël në Nju Jork, drejtuar Gjermanisë. Programi i parë i VOA-s filloi me fjalët e folësit Uilliam Hejl: Po ju sjellim zërat nga Amerika. Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do t’ju flasim për Amerikën dhe për luftën. Lajmet mund të jenë të mira për ne. Ose lajmet mund të jenë të këqia. Por ne do t’ju themi të vërtetën.” Ndërkaq, ç’prej vitit 1976, këto fjalë janë mishëruar në Kartën e Zërit të Amerikës, në dokumentin që sipas ligjit, Zëri i Amerikës, duhet të vazhdojë të, “Shërbejë si burim i besueshëm dhe i mirë informuar lajmesh”. Për më tepër, ky ligj detyron VOA-n që trasmetimet e sajë duhet të jenë, “të sakta, objektive dhe gjithpërfshirëse”. Drejtoresha aktuale e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett është shprehur se, “Janë bërë 75 vjetë ç’prej kohës që kemi filluar të transmetojmë lajme dhe informacione objektive dhe se puna që jemi duke bërë tani është më e rëndësishme se kurrë më parë.”
Mbrenda një kohe të shkurtë, pas transmetimit të parë shkurtin e vitit 1942, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Zëri i Amerikës kishte filluar transmetimet radiofonike në 40-gjuhë të huaja, përfshirë edhe gjuhën shqipe.
Në një njoftim të shpërndarë për medien ditët e fundit, Zyra e VOA-s për informimin e publikut thotë se, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës, ky ent mediatik botëror vazhdon të marrë urime nga personalitete politike amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe nga personalitete të tjera nga të gjtiha anët e botës. Në këtë njoftim për publikun, pasqyrohen urimet nga ish-presidenti amerikan Xhimi Karter dhe ish-presidenti Xhorxh W Bush.
Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, demokrati Xhimi Karter citohet të ketë thënë në urimin dërguar VOA’s se, “Ne e dijmë se transmetimet e Zërit të Amerikës kanë qenë dhe janë burim inkurajimi për gjenerata të tëra të mbrojtësve të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Unë jam krenar që ky ent mediatik i Shteteve të Bashkuara u kushton vëmendje dhe u jep një zë që nuk e kanë popujt e shtypur dhe të margjinalizuar kudo në botë.” Në njoftimin e VOA’s thuhet gjithashtu se Presidenti Karter, në mesazhin e tij të urimit, e cilësoi Zërin e Amerikës si, “Një model i një shtypi të fuqishëm, të lirë e të pavarur”.
Ndërsa Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara, republikani Xhorxh W. Bush, në urimin e tij dërguar VOA’s në 75-vjetorin e themelimit, shprehu respektin e tij ndaj dëgjuesve të Zërit të Amerikës, anë e mbanë botës, të cilët sipas tij, gjatë viteve kanë rrezikuar shumë për të dëgjuar “zërin e lirë” të VOA-s, një zë, që shtoi ai, i është përgjigjur dëshirës së çdo zemre të njeriut për të jetuar në liri. Presidenti Bush, në mesazhin e tij, e ka vlerësuar Zërin e Amerikës si, “Një zë realist për paqë. Jo në zë idealist i pa shpresë”. Kam folur shumë me udhëheqës të ndryshëm botërorë gjatë mandatit tim, tha ai, duke shtuar se në takimet me ta u ka “Kujtuar atyre rëndësinë e rolit që luan shtypi i lirë, si një prej gurthemeleve”, të demokracisë. Ish-presidenti amerikan Bush ka nënvijuar me këtë rast se, “Liria nuk është një e drejtë amerikane, as nuk është një ide amerikane. Liria është një ide universale dhe Zëri i Amerikës është pjesë e këtij nocioni… Zëri i Amerikës na kujton këtë universalitet të lirisë”, është shprehur Presidenti Xhorxh Bush, në urimin e tij dërguar VOA-s kohët e fundit, në kujtim të 75-vjetorit të themelimit.
Ndërkaq, VOA njofton se më heret, ndër personalitete të tjera të larta botërore, i kishte ardhur një mesazh urimi nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Ban Ki Mun, në të cilin ai kujton kohën kur kishte filluar në rini, të mësonte anglisht, duke dëgjuar Zërin e Amerikës. Në atë kohë, tha ai, kishte pak radio aparate në Kore, që është vendlindja e tij, por tha se gjithnjë mban mend hapjen e programit: “Ju flet Zëri i Amerikës! Është shpresa e shumë njerëzve anë e mbanë botës”, theksoi ish-Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se VOA për ‘të, “Ishte një burim i mirë dhe i besueshëm lajmesh ndërkombëtare”.
Ashtu si gjatë 75-viteve të ekzistencës së tij, me të njëjtin përkushtim ndaj së vërtetës dhe besueshmërisë në emisionet e tij, Zëri i Amerikës edhe sot vazhdon transmetimet në shumë gjuhë të huaja, përfshirë gjuhën shqipe, ndërkohë që korrespondentët e VOA’s vazhdojnë të raportojnë nga të gjitha anët e botës, përfshirë trojet shqiptare në Ballkan. Sipas VOA’s, në këtë 75-vjetor, ky ent ndërkombëtar mediatik me qëndër në Uashington – përveç emisoneve të drejtë për drejta — transmeton lajme dhe informacion nepërmjet 2500 radio dhe TV stacioneve anë e mbanë botës, ndërkohë që komunikon me audienca edhe nepërmjet medias shoqërore, siç është faqja fejsbuk dhe platforma të tjera. VOA me të drejtë mburret, se bazuar në të dhënat e vitit të kaluar, gëzon një audiencë javore prej 236 milionë vetash, në të gjitha platformat e shpërndarjes së lajmeve, anë e mbanë botës.
Nuk mund të mos përmend faktin se pjesë e kësaj historie të famëshme 75-vjeçare e këtij enti të njohur ndërkombëtar lajmesh e informacioni ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, pjesë e Drejtorisë së VOA-s për Euro-Azinë, nën drejtimin e Dr. Elez Biberajt. Në raportin e fundit të Drejtorisë të Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, thuhet se programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, “Tërheqin dhe influencojnë më shumë njerëz se çdo transmetues tjetër ndërkombëtar lajmesh në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.” Ky fakt vërtetohet edhe nga raporti i agjencisë ndërkombëtare të anketimeve, “Gallup World Poll National Survey” për vitin 2016, në të cilin thuhet se VOA shqip llogaritet të ketë në Shqipëri një audiencë prej 60.5 për qind e të rriturve, në javë dhe 64 për qind e të rriturve në Republikën e Kosovës. Këto të dhëna, sipas VOA-s, janë më të larta për të dy shtetet shqiptare, në krahasim me ato të vitit 2015. Në raport thuhet gjithashtu se 4 nga 5 shikues në Shqipëri, të programit televiziv të VOA-s shqip, e vlerësojnë këtë emision si “shumë të besueshëm”.
Në të vërtetë, ky fenomen është tepër i rrallë në fushën e transmetimeve ndërkombëtare – ndoshta i pa precedencë — kur një program lajmesh e informacioni nga jashtë, siç është Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, të tërheqë një përqindje kaq të madhe të shikuesve, në të gjitha trojet shqiptare.
Për aq sa ky fakt është një vlerësim i meritueshëm i punës që Shërbimi Shqip i VOA-s ka bërë gjatë këtyre 75-viteve për mirë-informimin e shqiptarëve kudo — shpesh herë nën rrethana të vështira – aq më tepër kam drojë se është një tregues i dhëmbshëm i gjëndjes dhe i mjedisit jo të mirë në të cilin vepron media, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ente që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, siç është organizata “Freedom House”, e kanë karakterizuar median në Shqipëri dhe në Kosovë si “gjysëm të lirë”, dhe subjekt kontrolli dhe influence nga partitë politike dhe nga interesa të tjera biznesi. Sipas ekspertëve, mungesa e një medias vërtetë të lirë, objektive dhe të besueshme në Shqipëri dhe në Kosovë, pasqyron edhe arsyet e vështirsive të këtij tranzicioni të stërgjatur, me të cilin është përballur shoqëria shqiptare, nga komunizmi gjysëm shekullor në një demokraci vërtetë funksionale. Besoj se kjo është edhe arsyeja kryesore që Zëri i Amerikës, madje edhe 75-vjetë pas themelimit të tij, vazhdon të jetë kaq popullor dhe të luaj gjithnjë një rol kryesor në hapësirën mediatike shqiptare, 27-vjetë pas shëmbjes së komunizmit.
Frank Shkreli
*Autori ka shërbyer në detyra të ndryshme të Zërit të Amerikës gjatë një kariere 30-vjeçare, përfshirë shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i VOA-s për Europën.