Qytetarë të shumtë nga Ulqini e urojnë me zemër

Me 66 vota për, 49 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi qeverinë e re “Kurti 3”, duke e rizgjedhur Albin Kurtin kryeministër të Republikës së Kosovës për një mandat të ri katërvjeçar, kështu shkruajnë mediat në Kosovë, transmeton Ulqini Online.

Seanca e votimit u mbajt më 11 shkurt 2026, pas një periudhe të gjatë pa qeveri funksionale që zgjati rreth një vit dhe çoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në fund të vitit të kaluar.

Në fjalimin e tij pas votimit, Kurti vuri theksin te riafirmimi i angazhimit për respektimin e Kushtetutës, forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ai gjithashtu nënvizoi domosdoshmërinë e dialogut me fqinjët dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë perspektivën europiane dhe adresimin e sfidave të vazhdueshme me Serbinë.

Qeveria e re përfshin 20 ministri, me figura kyçe si Glauk Konjufca si zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, Donika Gërvalla si ministre e Drejtësisë, si dhe emra të tjerë në portofolje të rëndësishme si financa, mbrojtja, shëndetësia dhe arsimi. Rizgjedhja e Kurtit vjen pas fitores së partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2025, ku ajo arriti të sigurojë shumicën e mandateve dhe ta zgjidhte bllokadën politike që kishte penguar formimin e qeverisë që nga fillimi i vitit 2025.

Më heret Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur si kryetare të kuvendit Albulena Haxhiun, po nga radhët e Lëviyjes Vetevendosje.

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë pozitive, me urime nga vende partnere dhe theksim të bashkëpunimit të mëtejshëm institucional dhe ekonomik. Përfaqësues të Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë kanë përgëzuar Kurtin për rizgjedhjen, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit të fortë mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Edhe qytetarë të shumtë nga Ulqini kanë uruar rizgjedhjen e Albin Kurtit në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Përmes postimeve në rrjetet sociale, ata kanë shprehur mbështetjen dhe krenarinë e tyre për vazhdimin e mandatit të tij. “Urime Albin Kurti. E gjithë shqiptaria krenare me ju!”, ka shkruar Medi Suma në profilin e tij në Facebook.

Shumë qytetarë të tjerë nga Ulqini kanë publikuar fotografi me z. Kurti, duke i shoqëruar ato me mesazhe urimi. “Urime Dardani! Urime Qeveria Kurti 3! Urime z. Kryeministër Albin Kurti!”, ka shkruar Zylfije Gjoni Duraku në postimin e saj.

Një mesazh të ngjashëm ka përcjellë edhe Dini Zeneli, i cili ka ndarë një fotografi me kryeministrin Kurti, duke shkruar: “Urime qeveria ‘Kurti 3’, suksese vendasi ynë! Na marrtë të keqen armiku!”


By admini

Leave a Reply