(Qani Osmani, “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit”, Ulqin 2024 )

Nga Esat Mehmeti 

Librat që trajtojnë çështje nga fusha e sociologjisë te ne janë të rrallë, jo se kanë munguar sociologët, por janë të rrallë ata të cilët janë paraqitur me artikuj e botime të këtij profili. Në këtë aspekt te ne përjashtim bën sociologu, Qani Osmani, i cili në dekadën e fundit opinionit i është paraqitur me artikuj, studime, ese e analiza që me pas janë botuar në botime të veçanta, duke dëshmuar përgatitjen profesionale dhe guximin  qytetar e intelektual.

I këtij profili është libri i fundit i Qani Osmanit ”Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit”, ku janë përmbledh studime, artikuj  dhe  analiza,  që prekin thelbin e problemeve shqiptare.

Në sajë të lëndës se prezantuar, autori trajton një nga periudhat me komplekse në historinë e shqiptarëve-periudhën e tranzicionit, pas rënies së regjimit  komunist në Ballkan. Kemi të bëjmë me një letërnjoftim mbi problemet dhe fenomenet sociale që janë shfaqur gjatë tranzicionit, duke i trajtuar  në mënyrë të hollësishme sfidat kryesore që e kanë shoqëruar këtë tranzicion. Autori e sheh këtë periudhë jo vetëm si një transformim politik, por edhe si një proces social-kulturor për kombin shqiptar. Sipas autorit, tanzicioni nënkupton kalimin nga një sistem i centralizuar dhe totalitar në një shoqëri demokratike dhe të hapur.

Ne fillim te librit kemi  një përkufizim të identitetit kombëtar shqiptar si një nga  popujt më të lashtë në Ballkan, me rrënjë të thella historike dhe kulturore, duke theksuar se shqiptarët janë përballur me shumë sfida, përfshirë këtu pushtimet, përçarjet territoriale dhe ndikimet e politikave të fuqive të mëdha . Ndërsa me rënien e  regjimit komunist  në Shqipëri, Kosovë dhe pjesë të tjera me popullsi shqiptare,ky proces solli një transformim të madh politik, hapje drejt demokracisë, integrimit me Perendimin dhe synimit për të arritur standardet evropiane.

                              Nevoja për unitet kombëtar

Një nga temat kryesore, që autori paraqet është nevoja për një politikë të bashkuar ndërshqiptare që tejkalon kufijtë administrativë dhe ndarje politike, ku për të realizuar aspiratat kombëtare, duhet një bashkëpunim i fortë midis shqiptarëve kudo që janë, ndërsa ndarjet e mundshme midis shqiptarëve, mund të minojnë unitetin kombëtar dhe të shkaktojë tensione të panevojshme. Pikërisht, në lidhje mbi këtë çështje autori thekson rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, promovimit të mendimit kritik dhe formimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen.

Libri ”Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” është i vlefshëm sepse lidhet me identitetin, politikën dhe integrimin ndërkombëtar të shqiptarëve. Ai ofron një panoramë historike dhe bashkëkohore të sfidave me të cilat përballet kombi shqiptar në epokën e pastranzicionit. Libri në fjalë  ndihmon të kuptohet raliteti politik dhe shoqëror i shqiptarëve në këtë periudhë historike komplekse. Kështu, përmes argumenteve, autori na nxit të reflektojmë mbi rolin e shqiptarëv e si një komb me potencial strategjik, por që ende përballet me sfida të thella brenda dhe jashtë kufijve të tij.                   

 Një aspekt i rëndësishëm që trajton autori është nevoja për bashkëpunim dhe unitet kombëtar, duke argumentuar se vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit ndërshqiptar mund të përballohen sfidat politike, ekonomike dhe të arrihen synimet strategjike, si integrimi evropian dhe konsolidimi demokratik. Nuk ka dilemë se periudha e tranzicionit ka sjellë edhe kriza të vetëdijes kombëtare, të cilat janë shfaqur përmes ndarjeve politike, dallimeve ideologjike dhe ndikimeve të jashtme, ku këto faktorë, mund të çojnë në dobësimin e pozitës së shqiptarëve në rajon.

                          Identiteti i përbashkët kombëtar

Periudha e tranzicionit nga sistemi totalitar drejt demokracisë, ka sjellë ndryshime të thella në jetën politike, shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve. Në librin ”Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit”, autori analizon me kujdes këto zhvillime, duke vënë theksin te roli i identitetit të përbashkët kombëtar dhe identiteti kulturor si faktorë kyç për ruajtjen e unitetit dhe qëndrueshmerisë kombëtare.

Autori e konsideron identitetin e përbashkët kombëtar si bazën mbi të cilin  ndërtohet vetëdija  dhe ekzistenca e kombit shqiptar. Ky identitet, sipas tij, është  formu përmes një historie të përbashkët, gjuhe të njëjtë, traditash dhe sakrificash të shumta  ndër breza. Pavarësisht faktit se shqiptarët jetojnë  të shpërndarë në disa shtete, ata ndajnë një përkatësi të përbashkët etnike dhe kulturore që i bashkon identiteti kombëtar.Autori i kushton një rëndësi të veçantë çeshtjes së identitetit të përbashkët kombëtar, duke  e konsideruar atë si shtyllë themelore  për mbijetesën dhe zhvillimin e kombit shqiptar. Identiteti kombëtar është një faktor kyç për stabilitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve. Identiteti i përbashkët kombëtar nuk  është vetëm ndjenjë përkatësie etnike, por një bashkësi vlerash, historike, gjuhe, tradite, zakoneve, kulturës dhe përvojes së përbashkët historike.

Krahas identitetit kombëtar, autori i kushton vëmendje të veçantë edhe identitetit kulturor si shtyllë e rëndësishme e ekzistencës së kombit shqiptar. Kultura shqiptare, sipas tij, ka qenë  historikisht një mekanizëm mbijetese, që ka ruajtur vazhdimsinë kombëtare përballë pushtimeve, asimilimit dhe presioneve  të ndryshme politike.

Elemente si gjuha,folklori, traditat popullore,tolernca fetare dhe mënyra e jetesës përbëjnë thelbin e identitetit shqiptar që kanë ruajtur ndër shekuj. Identiteti kulturor është një pasuri e pazëvendësueshme e kombit shqiptar. Nese ruhet dhe kultiviohet me kujdes, ai mund të shërbejë si urë lidhëse mes traditës dhe modernitetit. Vetëm duke respektuar rrënjët e veta kulturore, shqiptarët mund të ndertojnë një të ardhme të qëndrueshme.

Në saje të rrethanave aktuale shoqërore,autori shpreh shqetësimin për ndikimet e tranzicionit dhe globalizmit mbi identitetin kulturor. Hapja ndaj botës, migrimi masiv dhe ndikimi i mediave moderne kanë sjallë ndryshime të shpejta në mënyrën e jetesës  dhe në sistemin e vlerave, sidomos te brezat e rinj, sepse egziston rreziku te humbja e origjanilitetit kulturor dhe zbehja e lidhjes me traditën kombëtare.

Autori nuk e sheh integrimin kulturor si një kërcënim të drejtpërdrejtë, por thekson se ai duhet të shoqërohet me vetëdije kombëtare dhe edukim kulturor, në mënyrë  që shqiptarët të përfitojnë nga moderniteti pa humbur identitetin e tyre. Nuk ka dilemë se  identiteti i përbashkët kombëtar dhe identiteti  kulturor janë të pandashëm.Kultura shërben si bazë e identitetit kombëtar, ndërsa  vetëdija  kombëtare  ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës. Dobësimi i njërës sjell dobësimin e tjetrës, gjë që përbën një rrezik serioz për kombin shqiptar.

Përfundim

Nga ajo që u tha më lartë përfundojmë se libri “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” ofron një analizë të thellë dhe reflektuese mbi rolin e identitetit të përbashkët kombëtar dhe identietit kulturor të shqiptarëve në një periudhë ndryshimesh të mëdha. Autori thekson se ruajtja e këtyre dy elementeve është thelbësore për forcimin e  unitetit kombëtar, stabilitetin shoqëror dhe ndertimin e një të ardhme të qëndrueshme.Vetëm përmes vetëdijes kombëtare, edukimit kulturor dhe bashkëpunimit ndërshqiptar, shqiptarët mund t’i përballojnë  me sukses sfidat e tanzicionit dhe  të ruajnë identitetin e tyre në një botë globale.

Ky vështrim për librin  “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit”  njëherit është edhe homazh për, Qani Osmanin i cili u nda nga kjo botë para kohe (tetor 2025), por që me këtë botim është dëshmuar me përkushtimin profesional, guximin qytetar e ate intelektual. Libri i shkruar me gjuhë të pastër, ide mendimesh dhe shpirt patriotik, paraqitur në mënyrë të dënjë  zhvillimet e kohës së tranzicionit dhe aktualitetin e sotëm politik, ku  kujtimi i tij le të mbetet i gjallë përmes veprës që ia dhuroj opinionit dhe dashamirëve të librit.

Marrë nga “ Koha javore” ( shkurt 2026)

By admini

Leave a Reply