Komuna e Tuzit do të jetë sërish në qendër të atmosferës festive me organizimin e edicionit të 31-të të manifestimit tradicional “Karnevali Koret 2026”. Aktivitetet do të zhvillohen nga 14 deri më 17 shkurt 2026, duke sjellë një program të pasur kulturor, artistik dhe zbavitës për të gjitha moshat, trabsneton Ulqini Online.

Sipas Këshillit Organizativ të Shoqatës “Karnevali Koret – Tuzi”, ky manifestim tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në komunë, duke promovuar traditën e karnevaleve, bashkëpunimin rajonal dhe frymën festive në komunitet.

Hapja me “Ballon nën maska”

Aktivitetet nisin më 14 shkurt, në ora 20:00, me organizimin e “Ballos nën maska” në ambientet e Tasty Chill & Bar. Mbrëmja do të shoqërohet me performancë muzikore nga “Aco on Guitar”, ndërsa hyrja do të jetë falas. Organizatorët kanë bërë të ditur se mbajtja e maskave është e obligueshme, duke ruajtur kështu traditën karakteristike të karnevaleve.

Karnevali për fëmijë me mbi 20 ekipe pjesëmarrëse

Më 15 shkurt, duke filluar nga ora 13:00, në Sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” do të mbahet “Karnevali për fëmijë”. Defileu do të nisë nga Shkolla Fillore “Mahmut Lekiq” dhe do të përfundojë në sheshin qendror të Tuzit. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë mbi 20 ekipe, duke sjellë kostume kreative dhe performanca të përgatitura nga nxënësit dhe grupet pjesëmarrëse.

Ky segment i programit konsiderohet si një nga momentet më të gjalla të karnevaleve, pasi përfshin drejtpërdrejt fëmijët dhe institucionet arsimore, duke nxitur kreativitetin dhe frymën bashkëpunuese.

“Nata e saragave dhe verës”

Programi vazhdon më 16 shkurt në ora 19:00 me “Natën e saragave dhe verës”, që do të mbahet në Sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kjo mbrëmje tradicionale, e sponsorizuar nga Mark Nikollë Pjetrushi Lulgjuraj, pritet të mbledhë qytetarë dhe vizitorë në një atmosferë festive, duke kombinuar gastronominë tradicionale me argëtimin.

Nata finale dhe djegia e shtrigës

Karnevali do të kulmojë më 17 shkurt në ora 18:00 me “Natën finale”, e cila përfshin defileun e grupeve pjesëmarrëse, djegien simbolike të shtrigës dhe programin muzikor. Defileu do të organizohet nga ndërtesa e QKI “Malësia” deri në Sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i paraprirë nga përfaqësuesit e grupeve dhe anëtarët e FECC (Federata Evropiane e Qyteteve të Karnevaleve).

Sipas organizatorëve, këtë vit manifestimit do t’i bashkohen mysafirë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe nga qytetet bregdetare të Malit të Zi, duke i dhënë aktivitetit dimension ndërkombëtar dhe duke forcuar bashkëpunimin kulturor rajonal.

Pas përfundimit të programit zyrtar, festa do të vazhdojë me program zbavitës dhe performancë muzikore nga këngëtari Anduel Kovaçi.

Organizatorët kanë ftuar qytetarët dhe vizitorët që t’i bashkohen këtij manifestimi tradicional, i cili prej më shumë se tri dekadash përfaqëson një simbol të kulturës, traditës dhe identitetit të Tuzit.

By admini

Leave a Reply