Libri i cili vjen si vazhdimësi e luftës së autorit Veton Surroi kundër përpjekjes së pushtetit për imponim dhe ushtrim të gënjeshtrës e manipulimit, ka dalë më i kërkuari në edicionin e 19-të të Panairit të Librit në Prishtinë, me rreth 3 mijë kopje të shitura.

“Gorillat që s’i pamë” e vë Surroin të parin në top pesëshen e librave më të shitur gjatë gjashtë ditëve, sa ka zgjatur Panairi. Ky është viti i pestë me radhë që Surroi është autori më i kërkuar, e veprat e të cilit janë më të shiturat në Panairin e librit në kryeqytet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në një konferencë për media, të dielën, në ditën përmbyllëse të Panairit, që u mbajt prej datës 6 deri më 11 qershor, përfaqësues të Shoqatës së Botuesve të Kosovës kanë prezantuar listën me top pesë librat më të shitur. E dyta në listë është radhitur “Na dy” e Flutur Mustafës, më pastaj “Veprat” e Arbën Xhaferit, “Dritëhijet e një diplomati, Faik Konica” të Agron Alibalit dhe “Pa heronj, pa bujë” të Ndriçim Ademajt.

Në bazë të të dhënave që janë shpalosur, në pesëshen e shkrimtarëve më të kërkuar joshqiptarë kanë qenë “Unë jam Malala” e Malala Yousafzai, “Mbiemri i ri” i Elena Ferrante, “Lufta nuk ka fytyrë gruaje”, e Svetlana Aleksieviq, më pas “Sapiens, një histori e shkurtër e njerëzimit” e Yuval Harari dhe “Harta dhe territori” nga Michel Holluebecq.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, në Panairin e sivjetmë, që ka ofruar mbi 1 mijë tituj të rinj e rreth 5 mijë tituj në përgjithësi, numri i vizitorëve ka qenë mbi 40 mijë… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

/Koha Ditore/

By admini