Nga ASDREN ÇELAJ*

Të gjithë jemi dëshmitarë se kohëve të fundit, gjithandej po flitet e po shkruhet kinse (pu)shteti i Malit të Zi paska bërë zyrtarizim të gjuhës shqipe në ato komuna ku popullsia shqiptare përbën 5% a më tepër.

“Ujku qimen e nd’rron por zanatin s’e harron”, fjali, frazë që më së miri i shkon për shtati këtij pushteti (3 dekadësh) në këtë shtet që e ka bërë të vetin!

Nuk e di se deri kur do t’i zgjasë kjo propagandë e dëmshme, por gjithsesi se zërin e drejtësisë, zërin e ndërgjegjes së pastër të shqiptarëve nuk do të mund ta ndalë as ky (pushtet) as ndokush tjetër që me shpirt dëshiron zhdukjen e qenjes shqiptare këtu!

Gjuha jonë, jo vetëm që nuk respektohet por në ç’do formë ajo nënçmohet, diskriminohet; do të thotë se fjalë e premtime të tilla janë plotësisht të pavërteta, janë vetëm sa për t’u ‘hedhur pluhur syve’ “miqëve” të tyre !

Rastet e diskriminimit, përveç tjerash, janë të dukshme ç’do ditë, janë të dukshme pikërisht ndaj gjuhës shqipe në secilen komunë e edhe në Guci ku shqiptarët përbëjnë jo më pak se 43% të numrit të përgjithshëm të popullsisë!

A mund të quhet respektim i gjuhës, nëse një kërkesë shumë e thjeshtë e një qytetari shqiptar të Gucisë nuk pranohet nga punëtori i administratës komunale (njëkohësisht zyrtar i lartë i partisë në pushtet) vetëm e vetëm se kërkesa është e shkruar në gjuhën shqipe?!!!

Për të mos mjaftuar me kaq, zyrtari tjetër i lartë i po këtij subjekti të pushtetit (njëherit drejtor i Shkollës Fillore në Guci) mjerohet kur dëgjon mësuesin shqiptar tek flet shqip.

Gjatë raportimit të tij për suksesin e nxënësve të vet, mësuesi posa fillon të flasë shqip në drejtorinë e Shkollës, ndërprehet nga drejtori të cilit duke se i pengon kjo gjuhë!

Për më tepër, mësuesit i thotë se je i dërguar nga Lidhja Demokratike Shqiptare që të flasësh shqip këtu.

Nuk ka nevojë as mësuesi as kush tjetër që të jetë antarë i këtij apo atij subjekti që ta mbrojë të drejtën e vet, që t’a mbrojë gjuhën e vet, që t’a mbrojë identitetin e vet!

Nuk është e nevojshme e as logjike që atij (drejtori) as kujt tjetër, as shefave të tij këtu a më lartë t’i pengojë gjuha shqipe, gjuhë e cila flitet në trojet e veta, gjuhë e cila flitet në tokën e vet; gjuhë të cilën nuk mund t’a nënçmojë askush, gjuhë të cilën nuk mund t’a nëpërkëmbë askush!

Në emër të popullit shqiptarë,
PLAVË E GUCI, Prill 2017.

* Autori është kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Lidhjes Demokratike-Guci

By admini