Afrimi i Malit të Zi në NATO dhe mbështetja që Shqipëria i ka dhënë këtij procesi, ka sjellë që mes dy vendeve, në 4 muajt e fundit të intensifikohen takimet në nivel ministrash, kryeministrash e deri presidentësh.
Këtë herë ishte radha e kryeministrit Edi Rama, që të udhëtonte në Podgoricë, ku u takua me homologun e tij malazez, Dushko Markoviç.
Bashkë me të ishte edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili i ktheu vizitën homologut të tij Sërgjan Darmanoviç, i cili vetëm 3 muaj më parë vizitoi Tiranën, transmeton Top Channel.
Pas bisedës me kryministrin e Malit të Zi, kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se në Mal të Zi ndjehet si në Shqipëri, shkruan cdm.
Në përfundim të takimit, në një konferencë të përbashkët për shtyp dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, të cilat gjithsesi kanë nevojë për më shumë impulse.
E për këtë arsye, ata ranë dakord që në tetor të këtij viti, dy qeveritë të mbajnë një mbledhje të përbashkët. Mbledhje, e cila do të zhvillohet në Shkodër dhe në fokus të saj do të ketë thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.