”Derisa të mos zgjidhet dikush nga pakicat në vendet udhëheqëse, si President, kryeministër ose kryetar i Kuvendit, kjo tregon se këto vende kyçe janë të rezervuara vetëm për pjesëtarët e popullit shumicë. Deri atëherë Mali i Zi, i cili për nga përbërja e popullsisë është vërtet shtet shumëetnik dhe multifetar, nuk mund të lavdërohet me shkallën e demokracisë së arritur”, kështu shkruan ndër të tjerave për të përjavshmen Koha Javore profesori në Universitetin e Shkodres dhe gazetari i njohur Ismet Kallaba.
”Shteti i Malit të Zi ka treguar edhe një herë në praktikë se nuk iu beson pakicave dhe përfaqësuesve të tyre ndonëse e proklamon me të madhe veten si shtet demokratik dhe shembull i harmonisë ndëretnike dhe ndërfetare në rajon, ku respektohen të drejtat e pakicave, grupeve fetare etj. Dëshmia më e mirë është formimi i koalicionit të ri qeverisës, ku pakicat ndonëse ishin vendimtare për formimin e shumicës, nuk morën ndonjë pozitë kyçe në qeverinë e re e as në pushtetin legjislativ, edhe pse si sasi mund të kenë marrë edhe më tepër sesa iu takon në bazë të numrit të deputetëve”, vazhdon Kallaba.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin “747” të revistës Koha Javore