Shkruan Gjekë Gjonaj
Për mua, besoj edhe për shumë shqiptarë, zgjedhjet presidenciale të tetë nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin më të veçantat nga të gjthë të tjerat, për dy arsye. Së pari për faktin se kandidatja demokrate Hillary Clinton synonte të jetë presidentja e parë femër në të gjithë historinë e këtij shteti më të fortë në botë. Së dyti shqiptaro-amerikanja Syzana Shkreli garonte si kandidate e Partisë Demokratike në zonën elektorale nr. 8 të shtetit Miichigan për Kongresin Amerikan. Ftorja e këtyre dy femrave, tashmë mikesha, konsiderohej si historike për amerikanët dhe për shqiptarët. Shtetet e Bshkuara të Amerikës do të thyenin akullin shekullor që për herë të parë të kenë presidente një femër, kurse shqiptarët për herë të parë t’i përfaqësojë një femër në Kongresin Amerikan .
Kur bisedova para disa ditësh nëpërmjet telefonit me një koleg timin të mirënjohur në fushën e gazetarisë shqiptare, i cili ka punuar gjatë në Zërin e Amerikës në Nju-Jork dhe Uashington për gjasat se a do të zgjidhet Hillary Clinton presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kategorisht m’u përgjigj:„ Besoj se po. Kanididatja Clinton, jo vetëm se është alternativa më e mirë për shqiptaro-amerikanët si shtetas të Amerikës, por mbi të gjitha është opsioni i vetëm i sigurt joavanturesk për shqiptarët në Ballkan. “. Por në fjalinë e parë të radhës e pranoi se ajo nuk do ta ketë të lehtë fitoren .
Dhe, ndodhi ajo që besohej më së pakti. Ajo që për gjysmën e SHBA-ve dhe për më shumë se 90% të botës nuk pritej të ndodhte. Donald Trump, në një fushatë të lodhshme, atipike, agresive, si asnjëherë tjetër, totlaisht jashtëtokësore, me të gjithë sistemin politik dhe ekonomik kundër, arriti të realizojë të paimagjinueshmën, të zgjedhet presidenti i 45-të amerikan. Zgjedhja e tij ka tronditur jo vetëm një pjesë të elitave amerikane, por edhe më gjerë. Triumfi i tij ka sjellë në vemendje disa probleme thelbësore dhe ka ngritur disa pikëpyetje në rrafshin global.
Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton , edhe pse me një përvojë të gjatë politike, nuk arriti ëdrrrën e saj, përballë sfidantit shoumenit , biznesmenit e miliarderit kontravers pa përvojë politike Donald Trump. Por, kjo nuk është hera e parë që Clinton provon shijen e humbjes në një fushatë presidenciale. Në vitin 2008, ajo u mund në garën brenda partisë nga Barack Obama. Në fjalimin prekës, ku ajo mezi i mbajti lotët, tha se nuk do të jetë e largët dita kur SHBA-të do të kenë një ditë një femër presidente .
Edhe ëndërrën e prokurores Suzana Shkrelit, kandidate 29 vjeçare me origjinë shqiptare e Partisë Demokratike, për të qenë femra e parë shqiptaro-amerikane në Kongresin Amerikan, e ka shkatërruar republikani Mike Bishop. Kjo politikane e re e zgjuar e cila punon si asistente në Macob megjithëse gjatë fushatës mori përkrahje të fuqishme edhe nga presidenti amerikan Barack Obama nuk arriti të sigurojë një ulëse në Kongres.
Edhe përkundër disfatës së këtyre dy femrave të fuqishme demokrate në këto zgjedhje ato arritën të hyjnë në historinë politike moderne amerikane. Zonja Hillary Clinton me siguri , për shkak të moshës, nuk do të mund të realizojë këtë ëndërrë të shuar. Nga ana tjetër zonjusha Shkreli, të cilën presidenti Obama e quajti “ një lidere të fortë dhe të zgjuar” mbetet në skenën politike . Falë ambicies dhe zgjuarësisë së kësaj figure të re politike në SHBA është e besueshme dhe mund të pritet që në një kohë jo të largët të arrijë synimin e vet të cilin nuk e realizioi në këto zgjedhje presidenciale. Ne shqiptarët gjithësesi do të donim që pikërisht ajo të sigurojë ulësen në Kongresin Amerikan që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.