Adriatik-kelmendi Shkruan: Adriatik Kelmendi

Vërtet? Ose mos ne, të cilët besojmë në Babadimër, po shohim lindjen e një besimi të ri, një religjioni të ri?

SILLE E MBËSHTILLE, kush e çka, dhe unë prapë në prag të festave të fundvitit për rrjetet sociale.

Por – hej! – si të mos merremi me shokun tonë më të mirë gjatë tërë vitit?! Çka do të kishim bërë pa e shprehur në internet tërë frustrimin për politikanin hajn, ose tërë dashurinë për – ta zëmë – gruan me të cilën flemë çdo natë, ose pa i shpërndarë fotografitë e pushimit më të mirë të jetës në (paj) kudo qoftë, ose të picës së madhe që do të përfundonte pas pak çastesh në bark?

S’e di se si ia kemi bërë më parë!

Prandaj, në kohën kur “Facebooku” ynë i dashur sivjet ka mbushur plot 10 vjet – urime! – Mark Zuckerbergu është duke menduar se çka të bëjë edhe më të madhe sesa arritja e më të madhes deri më tash: lidhjen e mbi 1 miliard njerëzish në botë.

Pra, diçka që para një dhjetëvjeçari nuk ka ekzistuar fare, ka arritur të shtrihet më shpejt se çdo kulturë, çdo gjuhë, ose çdo religjion në historinë e njerëzimit.

Tash, kur për kaq kohë të shkurtër është arritur kaq shumë, përse të mos synohet vetë mrekullia?!

NE, PO, JEMI 1 miliard njerëz të varur nga kundrimi mbi monitor, po, kemi ndryshuar rrënjësisht mënyrat tona të shoqërimit dhe, po, mund të themi se jemi të hipnotizuar.

Kush tjetër në histori e ka arritur këtë ndikim te njerëzit?

Zuckerbergut duket se mund t’i ketë shkuar një përgjigje në mendje. Religjioni.

Po, po, “Facebooku” synon që në dhjetëvjeçarin e dytë të tij të kthehet as më pak e as më shumë se në religjion. Në fe.

Besoj se ne, të dorëzuarit para tij, paraqesim një tokë bukur të pëlleshme për këtë ide.

Dhe tashmë “sureja” ose “psalmi” i parë na është zbritur në tokë në këtë fund të 2014-s.

E DI EDHE UNË, ashtu siç e di edhe ti, se ky vit mbase nuk ka qenë më i miri që kemi pasur. Për shembull, në Kosovë aq shumë ka pasur mllef, ankesa e kritika nëpër rrjetet sociale, saqë ndoshta nuk mund të krahasohet me asnjë vit tjetër.

Gjithsesi se njeriu nuk shprehet me negativitet vetëm përse kjo e bën të ndihet më mirë. Përkundrazi. Mendimi negativ ndikon edhe në disponimin e përgjithshëm për të keq. Atëherë i bie se viti që po e lëmë pas, për një shumicë njerëzish nuk na paskësha qenë fort i mirë.

Mirëpo, duket se gjithçka do të përfundonte me tone të zymta dhe përsiatje defetiste, sikur të mos na iluminonte ai vetë, Shën Zuckerbergu, mesia i fundit i dërguar në tokë.

Me mrekullinë e tij prej të shenjti, ai bëri që mbi 1 miliard kukuvajka të rrjetit të tij përnjëherë t’ia pranonin vetvetes dhe të gjithë të tjerëve se, në fakt, ja që ky paska qenë një vit shumë, shumë i mirë.

Mjafton që një aplikacion “sure” psalm t’ua mbledhë fotot e shpërndara gjatë vitit dhe – hopa’ la! – çfarë viti i mrekullueshëm. Aq sa të bën që t’i falënderosh edhe të tjerët që kanë qenë pjesë e tij bashkë me ty!

A ka diçka tjetër përveç religjionit që e bën njeriun që ka vuajtur, përnjëherë, t’i harrojë të gjitha dhe të lumturohet e të falënderohet për atë që ka? A s’e bën këtë dorëzimi në besimin se i madhi Zot e bën çdo gjë të mundur dhe na bën që të mos biem në mëkatet e analizës së fakteve që na e thonë të kundërtën mizore?

Çështja është se njerëzit, thellë në vete, pavarësisht të gjithave, ndiejnë nevojën të besojnë. Të besojnë se, megjithatë, gjithçka është mirë.

Për këtë, apo jo, religjioni në fund të vitit na e ka ofruar edhe Babadimrin.

Se, i madh e i vogël, duan të besojnë se ka një Babadimër. Se ai, në fund, gjithmonë, do të përkujdeset që t’ua plotësojë dëshirat.

A s’po e zëvendëson tash Shën Clausin ky farë Shën Zuckerbergu?!

Vetëm se ky i fundit, në vend se me ski të na arrijë mbi çati, na vjen nëpërmjet “Facebookut” nëpër monitorët tanë.

Dhe, ho-ho-ho, it’s been a great year, thanks for being a part of it.

NE BESOJMË në Babadimër.

Ne besojmë.

Opium.

Është mirë.

Pavarësisht!…

Urime 2015!

/KohaNet/

By admini

One thought on “It’s been a great year, thanks for being a part of it!”
  1. Ded Moroz, apo si i thonë, Deda Mraz, vjen nga Josef Stalin ( për ata që kan harrue, ky ishte krye krimineli ma i madh i botës. Ai donte tlargohet nga feja (Krishtenizmi)dhe e “cpiku” ket Ded Moroz. Tash edhe na (Shqiptarët) po i thom Babadimër. Kurse Santa Claus vjen nga Holandezet, Shejti Nikoll i cili festohet ne Dhetor dhe e feston pothuej mbar bota prendimore. Shën Zuckerberg? Pa Santa Claus nuk kishemi pas “festat e fundvitit”, dhe as Deda Mraz sepse ato jan festa artificiale per boten ateiste dhe anti Kristiane. Festat e “fundvitit” janë dita e Shën Nikollës ( i cili ka shpernda dhuratë)dhe Krishtlindja. Këto dy festa jan festue me shekuj dhe asht traditë edhe e jona (na Shqiptarët deri vonë kemi qenë të Krishten. Kujdes Zotni Kelmendi. Besoj se ju e keni zemren e mirë por pak mungesë hisorisë, fejës dhe traditës. Besoj se nuk ke pasë nevovoj per libra per shkrimin e këtij artikull. Per disa raste asht ma mirë me u edukue nga nji burrë i vjeter i vendit se nga librat apo akedemiket që janë edukua me Marsism-Leninism

Comments are closed.