Nga tubimi qendror përurues për komunën e Tivarit, të listës zgjedhore KOALICIONI SHQIPTAR – ME NJË QËLLIM (PD-IQ-LD në MZ dhe PERSPEKTIVA) në sallën e mbushur plot, mbajtur mbrëmë,12.10.2016, në OSTROS – KRAJË
Zonja dhe zotërinj,
Në Zgjedhjet Parlamentare në Malin e Zi, që do të mbahen më 16. 10 2016, lista jonë zgjedhore KOALICIONI SHQIPTAR – ME NJË QËLLIM (PD-IQ-LD në MZ dhe PERSPEKTIVA) në listën përmbledhëse zgjedhore gjendet në nr.3, të cilën zgjedhësit shqiptarë kanë shansin dhe arsyen më të mirë që ta votojnë, sepse kanë kandidatët dhe subjektet politike që tash më se një çerek shekulli parimësi e me dinjitet po përfaqësojnë interesat e shqiptarëve dhe jo vetëm. Ishte dhe është Lidhja Demokratike në Mal të Zi, që asnjëherë nuk bëri kompromis me të keqen, me tradhëtinë e as me antikombëtaren.
Pse Kraja mbeti edhe sot e kësaj dite e zonë e pazhvilluar, pa ujësjellës e pa infrastrukturë tjetër, kur gjendet në bregun e liqenit të Shkodrës, bazenit më të madh me ujë të ambël në Ballkan?!
Pse kranjanët po e lëshojnë Krajën, kur sot jashtë kemi trefishin e atyre që janë brenda? Pse në komunën e Tivarit nuk është gjuha shqipe në përdorim zyrtar, megjithëse është gjuha më e vjetër në këto treva? Pse të rinjtë tanë, tashmë të shkolluar e të pajisur me dije specialistike e dije të gjuhëve të huaja nuk mund të punësohen? e shumë e shumë pyetje të tjera u vunë për të satën herë. Përgjigja ishte dhe është ajo që e dimë të gjithë.- DISKRIMINIMI ishte dhe është opcion i tyre. Ata i duan këto troje, por pa ne. Prandaj ne duhet t’i dalim zot vetvetes. Është detyrë dhe obligim yni e sidomos i përfaqësuesve tanë që do të jenë në Kuvendin e Malit të Zi, të angazhohen me gjithë dijen, përvojën dhe qenien e tyre, që në bashkëveprim me zgjedhësit, sidomos me të rinjt dhe të rejat , të realizojnë kërkesat jetësore e kombëtare, mbrotjen e interesave, në veçanti të, shqiptarëve sot në Malin e Zi.
Bardhi mori edhe një shembull.
– Më lejoni që nga kjo foltore të them shkurtimisht pikëvështrimin tim në lidhje me këtë çështje.
Sot në Malin e Zi, shqiptarët, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë (2011), i cili për mendimin tim kishte shumë mangësi si në Ligjin po edhe në organizimin e tij, sepse mbeten një numër i konsiderueshëm shqiptarësh pa i regjistruar etj., jetojnë 4,91 % nga numri i përgjithshëm i popullsisë së Malit të Zi, ndërsa se gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare janë deklaruar 5,27 % (!?), ose më preciz (gjithnjë sipas regjistrimit) 30,439 banorë shqiptarë.
Pse kjo disharmoni? Si mundet që një individ që e ka gjuhën shqipe gjuhë amtare e nuk është deklaruar shqiptar!? Është apsurd i llojit të vet. Po, po do të ishte apsurd…Por kur u sugjerohet (lexo u imponohej) “…se ju shqiptarët jeni shqiptarë, se keni gjuhën që ju dallon, tash është nevoja të shpëtohet shteti, shteti i Malit të Zi, në regjistrim të dalin shumica malazezë! Pra të na ndihmoni edhe kësaj here, si na ndihmuat në Referendum!
Po është e vërtetë në Referendum ndihmuam, se menduam se ndihmojmë edhe veten tonë, por ama të mohojmë përkatësinë nacionale, është pak si tepër. Sepse, jo vetëm se është diçka jo në rregull, jo e sinqertë, madje morbide, por kur bëhet fjalë për të drejtat nacionale, atëherë thonë se ju jeni kaq përqind e nuk i plotësoni kriterët…e sa e sa gjëra të tjera. Pra mosdeklarimi ka pasoja, jo vetëm psikologjike individuale shoqërore e kombëtare po edhe në realizimin, gjegjësisht në moslejimin e realizimit të drejtave.
Kërkojmë me ngulm që të lirohet maja e malit të Rumisë e cila me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë serbo-malazeze e okupoi me dhunë e kërcënim Kisha Pravosllave Serbe, më 18 qershor 2005, duke vendosur një objekt në forme të kishës, si edhe ishujt në liqenin e Shkodrës.
Gogllaçët nga maja e Rumisë sonë krenare duhet të shkojnë andej nga kanë ardhë. Rumia duhet të jetë e lirë. Ajo u takon të gjithëve, dashamirëve të hapësirave të blerta e të lira. Të parët tanë kullotën bagëtinë nëpër pllajat e saja të lira. Edhe sot, megjithëse bagëti ka shumë më pak. As kënga, as zumaret e kavalli i barinjve nuk ndihen si më parë. Populli me shekuj i këndoi Rumisë. Po edhe poeti ynë Ndre Mjeda.
Prandaj kësaj here në këto zgjedhje, që do të duhej të jenë të lira e demokratike, megjithëse nga disa këndvështrime e analiza të mirëfillta, na del se vetëm zgjedhjet e para shumëpartiake të mbajtura më 9. 12. 1990, ishin të lira apo më të lira, ndërsa në të gjitha të tjerat që pasojnë, partia në pushtet i perfeksionoi manipulimet e keqpërdorimet, për të rrembye votat, ju drejtohemi që të votoni subjektet politike shqiptare e në rastin konkret të votoni KOALICIONIN SHQIPTAR “Më një qëllim”, që do t’i dalim zot vetvetes. Unë Mehmet Bardhi, jam para jush, që gjithherë, gjithë jetën time ia kushtova angazhimit e luftës për të drejtat tona, për një të ardhme më të mirë , për shkollimin e të rinjve, për të krijuar kuadra të shkolluara , të pjekura që do të dinë e do të duan t’i dalin zot vetvetës.
Megjithëse më përndoqën (po edhe sot nuk po na lanë rahat!), më përjashtuan nga puna, më burgosën, më përndoqën edhe famljen e familjarët, u mbeta besnik vlerava të mirëfillta familjare rreptësisht njerëzore të babait e nënës e të parëve tanë. Për të gjitha torturat e përndjekjet nuk më bënë që të urrej kombet e tjera, pse përndjekjet e vujtjet m’i bëri pushteti, m’i bënë pjesëtarët, pushtetarët e tij të mbushur me urrejtje e detyra për të realizuar projektet famkeqe të ideologëve si Garashanini, Çubrilloviqi, Ivo Andriqi, Millosheviqi e bashkëvijuesit e tyre edhe këtu. Më bindën edhe më shumë se isha dhe se kishim të drejtë të jetojmë me dinjitet në në trojet tona stërgjyshore, pa marrë parasysh se në cilin shtet jemi sot. Nuk është ëndërr që shqiptarët të jenë bashkë. Edhe Evropa, me të drejtë është bashkë e po punojnë që të jenë bashkë.
Krajën legjendare bijtë e saj kur nuk e tradhtuan…
Ishin disa nënvizime të Bardhit në këtë tubim përurues në Krajën e mbi-Shkodrës, Krajës së Tivarit të lashtë ilir.
Tubimin e hapi zotëri Fitim Draga që me shumë respekt ia dha fjalën profesorit të nderuar doktorit të shkencave zotëri Ismail Dodës, kryetarit të Degës së Krajës – Tivarit të LD në MZ, i cili me urtësi e përshëndeti këtë tubim madhështor përurues të Koalicionit Shqiptar MË NJË QËLLIM.
Me shumë përkushtim folën edhe kandidatët për deputetë: Fitim Draga, Valmir Arbneshi, pastaj zonja kandidatja Zana Sarvan (Perspektiva), zotëri Fatmir Gjeka (kryetari i PD-së) dhe zotëri Gzim Hajdinaga , bartës i listës së KOALICIONIT SHQIPTAR “Më një qëllim”, që në listën përmbledhëse zgjedhore gjenden në nr.3, të cilën listë, folësit i ftuan të pranishmit dhe të tjerët që të dalin masovikisht në zgjedhje kësaj të diele, më 16.10. 2016 dhe të votojnë.