bushati-me-koalicionet-e-shqiptareve-ne-mal-te-zi

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati inkurajoi shqiptarët e Malit të Zi të shprehin vullnetin për 3 koalicionet shqiptare: “Me një qëllim”, “Shqiptarë të Vendosur” dhe koalicioni “Lidhja Demokratike Shqiptare”, për të siguruar një përfaqësim më të mirë shqiptarë dhe rritjen e mëtejshme të të zgjedhurve në Parlamentin e ri.

Ai priti në një takim përfaqësuesit e koalicioneve të partive politike shqiptare në Malin e Zi. Biseda u fokusua mbi gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi avancimin e të drejtave të tyre në funksion të përmirësimit të gjithanshëm të nivelit të jetesës, shkruan faqja lexo.

Ministri Bushati vuri në dukje vëmendjen e madhe me të cilën Qeveria e Shqipërisë ndjek gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi dhe në rajon. Ai vlerësoi popullsinë shqiptare të Malit të Zi si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke ndikuar ndjeshëm në afrimin e dy popujve si dhe evidentoi rolin e faktorit shqiptar në pavarësimin dhe avancimin e Malit të Zi në proceset e integrimit euroatlantik.

Në këtë kuadër, ministri Bushati shprehu mbështetjen për proceset integruese të Malit të Zi, çka përbën interes për avancimin e mëtejshëm për shqiptarët e Malit të Zi, si dhe i shërben stabilititetit të rajonit tonë.

Bashkëbiseduesit e njohën ministrin Bushati me disa nga sfidat e popullsisë shqiptare në Malin e Zi, që lidhen kryesisht me të drejtat e tyre të përfaqësimit në institucionet lokale dhe qendrore, menaxhimin e resurseve sipas legjislacionit vendas, si dhe përdorimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare. U theksua nevoja e përmirësimit të kuadrit ligjor në funksion të arritjes së standardeve europiane dhe ndërkombëtare, përsa i takon respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.

Duke nënvizuar domosdoshmërinë e zgjidhjes së problematikave të ngritura, ministri Bushati siguroi bashkëbiseduesit se qeveria e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje ecurinë e mëtejshme të pozitave të shqiptarëve në Malin e Zi. Ministri Bushati përshëndeti angazhimin e ndërmarrë nga faktori politik shqiptar për t’u grupuar politikisht në 3 koalicione zgjedhore, si dhe inkurajoi vijimin e bashkëpunimit mes tyre për realizimin e një platformë të përbashkët në Parlamentin e ri në funksion të mbrojtjes së interesave të të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi.

Në këtë kuadër, ministri Bushati inkurajoi shqiptarët e Malit të Zi të shprehin vullnetin për 3 koalicionet shqiptare: “Me një qëllim”, “Shqiptarë të Vendosur” dhe koalicioni “Lidhja Demokratike Shqiptare”, për të siguruar një përfaqësim më të mirë shqiptar dhe rritjen e mëtejshme të të zgjedhurve në Parlamentin e ri.

By admini