Orë letrare me shkrimtarin Ibrahim Berjashi në Shkollën Fillore në Katërkollë

Në Shkollën Fillore „Bedri Elezaga“ në Katërkollë, të premten, më 27 prill, u mbajt orë letrare me shkrimtarin Ibrahim Berjashi, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Librit.

 

Ora letrare është konceptuar si njohje e nxënësve me krijimtarinë letrare të këtij poeti, i cili ka treguar për rrugën e tij letrare që nga shkrimet e para deri tani. Vetë poeti dhe mësimdhënësja e gjuhës angleze Luljeta Avdiu kanë lexuar disa poezi nga krijimtaria e autorit, ndërsa nxënësit përpos poezive të Berjashit, kanë lexuar edhe poezi dhe ese të krijuara nga ata vetë, kanë recituar poezi të autorëve të tjerë dhe kanë luajtur një fragment dramatik. Në vazhdim të orës letrare, autori është përgjigjur në pyetjet e nxënësve mbi krijimtarinë e tij letrare dhe karrierën gazetareske, kështu mësoeht nga  SHAI “Art Club”.

 

Ora letrare është organizuar nga Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. Ajo është përgatitur nga mësimdhënësja e gjuhës shqipe dhe letërsisë, Zaime Çapriqi, dhe mësimdhënësit tjerë të kësaj shkolle.

 

Ka tri vjet që “Art Club”-i ka filluar projektin, ku krijuesit shqiptarë në Malin e Zi, anëtarë të kësaj shoqate, por edhe krijues të tjerë, vizitojnë shkollat shqipe në Malin e Zi duke organizuar takime dhe orë letrare me nxënës të këtyre shkollave me qëllim të rritjes së dashurisë ndaj letërsisë dhe nxitjes së interesimit të të rinjve për t’u marrë me letërsi.

 

 

   

     Ulqin, më 28. 04. 2018