“Art Club” shënoi 27-vjetorin e themelimit

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi të enjten 27-vjetorin e themelimit me një takim të anëtarëve të saj dhe miqve të shoqatës, në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.

Kryesia dhe anëtarët vlerësuan punën dhe veprimtarinë e Shoqatës gjatë vitit 2017 duke nënvizuar se ka qenë një vit i suksesshëm dhe se “Art Club”-i ka vazhduar misionin e tij duke qenë sinonim dhe lider i kulturës shqiptare në Mal të Zi.

Kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, prezantoi aktivitetet e kësaj shoqate gjatë këtij viti. Ai theksoi se viti 2017 është ndër vitet më produktivë në fushën e veprimtarisë botuese pasi që gjatë këtij viti me firmën e “Art Club”-it janë botuar plot 13 libra.

Shoqata ka organizuar edicionin e 25-të jubilar të manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, në kuadër të të cilit janë mbajtur mbrëmje autoriale me shkrimtarët Bashkim Shehu, Zuvdija Hoxhiq dhe Jusuf Buxhovi, si dhe është hapur ekspozita e piktores Majlinda Kelmendi. Me këtë rast është realizuar edhe filmi dokumentar “25 vjet të Kalimerës Poetike”, i cili flet për rrugëtimin e këtij manifestimi ndër vite.

Krijuesit letrarë të Shoqatës kanë vizituar sivjet pesë shkolla në gjuhën shqipe në Mal të Zi, ku janë mbajtur orë letrare apo janë përuruar librat e tyre, duke shënuar njëkohësisht Ditën Botërore të Poezisë dhe Ditën Ndërkombëtare të Librit. Me këtë rast, Shoqata dhe autorët kanë dhuruar libra si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave të këtyre shkollave.

Shënimi i përvjetorëve të ndryshëm është dëshmi e kujdesit se Shoqata i përkujton krijuesit apo figurat e njohura në fushën e kulturës shqiptare në Mal të Zi, por edhe të tjerët që kanë kontribuar për kulturën shqiptare në përgjithësi. Në këtë kuadër, është shënuar  110-vjetori i lindjes së shkrimtarit “Radovan Zogoviq” dhe është përuruar botimi i ri i veprës së tij “Ardhësit. Këngët e Ali Binakut”, ndërsa me rastin e njëvjetorit të vdekjes së historianit mr. Riza Rexha është bërë përurimi i librave të tij, të përkthyera në gjuhën malazeze.

Një aktivitet të veçantë përbën botimi dhe përurimi i monografisë si dhe hapja e ekspozitave retrospektive të piktorit Gjergj Noc Martini, në Ulqin dhe Podgoricë.

Promovimi i autorëve dhe i botimeve tona në vende të ndryshme është një segment tjetër me rëndësi. Botimet e “Art Club”-it janë prezantuar në Panairin e Librit në Podgoricë dhe në Panairin e Librit në Ulqin, si dhe kanë gjetur vend në Bibliotekën e Universitetit Columbia në Nju-Jork.

Por gjatë këtij viti, “Art Club”-i ka humbur dy anëtarë të tij: përkthyesen Diana Rexha dhe piktorin akademik Rudi Goga.

SHAI “Art Club” falënderon të gjithë donatorët që e kanë mbështetur në realizimin e projekteve të tij.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve të Ulqinit. Ajo është organizata më e vjetër e shoqërisë civile ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe një ndër shoqatat më të vjetra në vend.

 

 

 

Ulqin, më 29 dhjetor 2017