AKB e BKA pavarësinë e Kosovës e festojnë në Ulqin me prodhime kombëtare
Ulqin, 26 janar – Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Klubi i Biznesit Anamali, janë dakorduar që përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, ta festojnë së bashku në Ulqin me aktivitete të shumta dhe atë me prodhime kombëtare.
Kjo do të bëhet në kuadër të “Javëve të Biznesit Kombëtar” që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijësimit dhe promovimit të prodhimeve kombëtare.
Delegacioni i AKB-së është takuar me kryetarin e Klubit të Biznesit Anamali dhe bizneset e kësaj ane për forcimin e bashkëpunimit.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, premtoi mbështetje edhe në të ardhmen për ngritjen dhe fuqizimin e Klubit të Biznesit të Anamalit.
Ai përsëriti se Ulqini vazhdon të mbetet njëra nga pikat kryesore të kosovarëve jo vetëm për pushime, por edhe për investime, gjë që ka interesim të madh si për turizëm, po ashtu edhe për investime.
“Nuk mjaftojnë vetëm rreth 500 familje apo biznese nga Kosova që të veprojnë në Ulqin, por ky numër duhet të jetë edhe më i madh dhe atë me investime më të mëdha sesa janë aktualisht”,tha Shahini
Ai tha se Ulqini me kosovarët e ka vlerën e shtuar si një qytet i lashtë që lidhë trevat kombëtare. Ai kërkoi si nga bizneset ulqinake që të vijnë e investojnë në Kosovë, por edhe anasjelltas, me të vetmin qëllim zhvillimin e trevave shqiptare.
“Ulqini duhet që potencialet e shumta që kanë ti promovojnë më fuqishëm me qëllim të thithjes së investitorëve”, tha Agim Shahini.
Sipas tij edhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë që përfshin të gjitha trojet shqiptare e ka këtë mision që të bashkoi kapitalin financiar dhe human për të zhvilluar ekonominë vendore,duke e bërë interesante për konkurrencën edhe si investitorë por edhe si konsumatorë.
Kabil Kurti, kryetar i Klubit të Biznesit të Anamalit, tha se jo vetëm bashkëpunimi ekonomik, por edhe nw fushat tjera vazhdon të forcohet edhe më shumë jo vetëm ndërmjet qytetarëve, por edhe bizneseve të Ulqinit dhe të Kosovës.
“Ulëqinit i nevojiten biznese të fuqishme, jo vetëm ato të vogla dhe duhet krijuar lehtësira dhe politika më të mira për joshjen dhe thithjen e investimeve të huaja posaqërisht ato nga Kosova e diaspora”, tha Kurti.
Ai tregoi se ka ngecje në këtë aspekt shkaku i situatës jo të mirë politike në Ulqin e në tërë Malin e Zi.
Sipas tij krahas përgatitjeve të sezonit turistike për joshjen e turistëve të huaj, veçanërisht ata nga diaspora e Kosova, duhet joshur edhe investitorët potencial, në mënyrë që kjo anë të zhvillohet më fuqishëm dhe të ketë edhe mirëqenie më të mirë të qytetarëve.
Kryetari i BKA-së tregoi se tashmë komuna ka hartuar plane dhe ka mundësi e potenciale të shumta për investime në hoteleri e ndërtimtari.
AKB-ja dhe BKA-ja u dakorduan që për herët të parë në Ulqin të festohet përvjetori i pavarësisë me aktivitete të shumta me 17 shkurt, së bashku me Shoqërinë Artistike Tradita./Koha Net/